Filmi “Mr. Jones” – me regji nga Agnieszka Holland dhe skenariste Andrea Chalupa – përçon një mesazh të fuqishëm për kërkimin e së vërtetës.

Gjithçka bazohet në historinë e vërtetë të gazetarit Gareth Jones, që ishte këshilltar për marrëdhëniet me jashtë të ish-kryeministrit britanik David Lloyd George.

Jones arriti në Moskë në 1933, në përpjekje për të zbuluar se nga vinin paratë për të financuar industrializimin e Bashkimit Sovjetik. Por, ndërkohë zbuloi krizën e tmerrshme të urisë, që ishte rezultat i konfiskimit të grurit nga Qeveria e Moskës.

Gjyshi ukrainas i skenaristes Andrea Chalupa, jetoi gjatë periudhës së asaj urie nga e cila vuajtën miliona njerëz.

“Në një skenë të filmit, Gareth Jones sheh një person duke ngarkuar kufoma në një saje. Ai e merr trupin e një gruaje të vdekur në anë të rrugës dhe beben në krahët e saj që po përpiqej ta zgjonte të ëmën. Gruaja e vdekur dhe foshnja e ende e gjallë hidhen në pjesën e prapme të sajës, mbi një grumbull kufomash, dhe çohen në një varr masiv. Ajo skenë u mor direkt nga autobiografia e gjyshit tim”, ka rrëfyer ajo.

Gjatë kësaj krize të njohur si “Holodomor”, janë shënuar edhe shumë raste kanibalizmi. /TCh/