LAJMI I FUNDIT:

Fillon sot Java Ndërkombëtare e Parasë

Fillon sot Java Ndërkombëtare e Parasë

Shoqata e Bankave të Kosovës do të bëjë sot hapjen e ngjarjes “Java Ndërkombëtare e Parasë 2016” me të cilën synojnë rritjen e njohurive të fëmijëve dhe të rinjve për paranë.

Kjo ngjarje shënohet në 124 shtete të botës e sot do të shënohet edhe në Kosovë.

Moto e Javës Ndërkombëtare të Parasë për këtë vit është “Merr pjesë, kurse në mënyrë të mençur! (Take part, Save smart!).

“Qëllimi kryesor i shënimit të kësaj jave është fuqizimi i gjeneratave të reja, që të marrin njohuri ekonomike-financiare nga ekspertë të sistemit bankar dhe rrjedhimisht të jenë të përgjegjshëm me financat e tyre”, thuhet në komunikatën e Shoqatës së Bankave.

SHBK në kuadër të aktiviteteve të saja edukativo-financiare nga fillimi i kësaj jave organizon ligjërata, orë mësimore dhe aktivitete të ndryshme për fëmijët e shkollave fillore dhe të mesme dhe studentë në disa qendra të Kosovës (Prishtinë, Gjilan, Pejë dhe Mitrovicë).

Me këto aktivitete Shoqata e Bankave të Kosovës synon që të bëhet angazhimi i fëmijëve dhe të rinjve për të mësuar se si funksionon paraja, duke përfshirë këtu kursimet, menaxhimin e parasë, menaxhimin e financave personale etj.

Lokacioni ku do të fillojë shënimi i Javës Ndërkombëtare të Parasë është shkolla fillore “Model” në Prishtinë. /Telegrafi/