LAJMI I FUNDIT:

Përfundon seanca e gjykimit ndaj Salih Mustafës – gjithçka çka u tha nga prokurorët e ZPS-së

Përfundon seanca e gjykimit ndaj Salih Mustafës – gjithçka çka u tha nga prokurorët e ZPS-së

E plotësuar:  Ka përfunduar seanca e gjykimit ndaj Salih Mustafës, ku ZPS-ja ka paraqitur deklaratat përmbyllëse.

Prokurori i ZPS-së, Cezary Michalczuk ka thënë se Salih Mustafa duhet të dënohet me ose me dënim unik prej 35 vite duke marrë parasysh se krimet që ka kryer kanë qenë të rënda, ose në bazë të veprave penale.


“Bazuar në të gjitha dëshmitë që prezantuam më herët, Prokuroria e ZPS-së kërkon nga trupi gjykues të vendos dënimet sipas pikave të aktakuzës: Pika e parë, “ndalimi arbritrar” me 10 vite burgim, pika e dytë “trajtim mizor” 20 vite burgim, pika e tretë “torturë” 25 vite burgim dhe pika e katërt “vrasje” 33 vite burgim. Rregulla 164 kërkon nga paneli të japë dënim të vetëm që të pasqyrojë tërësinë e sjelljes kriminale të të akuzuarit, varet nga paneli të dënojë të akuzuarin sipas dënimeve që parashikohen nga pikat 1-4 apo me dënim më të lartë se ai që paraqitet në lidhje me çdo pikë të veçantë. Për këtë arsye, ZPS kërkon t’í jepet dënim prej 35 vitesh burgim”, tha prokurori Michalczuk.

——

Gjykimi ndaj Salih Mustafës, ZPS-ja: Nuk ka prova që forcat serbe kanë hyrë në Zllash

E plotësuar: Në Hagë është duke vazhduar seanca e gjykimit ndaj Salih Mustafës, ku ZPS-ja është duke paraqitur deklaratat përmbyllëse.

Prokurori i ZPS-së ka thënë se pala mbrojtëse është përpjekur të shpikë disa dyshime lidhur me përgjegjësinë e të akuzuarit për krimet e kryera.

Ai tutje ka thënë se nuk ka prova që krimet e kryera në Zllash janë bërë nga forcat serbe.

“Nuk ka asnjë provë që forcat serbe kanë hyrë në Zllash. Nuk ka dyshim që viktima është vrarë nga kapësit e tij në kompleksin e ndalimit në Zllash”, ka thënë prokurori i ZPS-së.

Prokurori tutje ka shtuar se i akuzuari është përgjegjës edhe për krimin e vrasjes edhe si epror, për shkak se nuk ka parandaluar ose dënuar atë që e kanë bërë vartësit e tij.

“Synimi i Salih Mustafës për të vrarë viktimën konfirmohet nga ndikimi që ka pasur ai në kompleksin e Zllashës”, ka thënë prokurori, duke shtuar se kjo është provuar nga të gjithë faktorët që kemi paraqitur si fakte të ndërmarrjes së përbashkët kriminale.

I akuzuari është fajtor në pikën 4 të aktakuzës.

—–

Prokurorja D’Ascoli: Mustafa është përgjegjës për krimet në katër pikat e aktakuzës

E plotësuar: Ka rifilluar seanca e gjykimit ndaj Salih Mustafës. Prokurorja e ZPS-së, Silvia D’Ascoli tha se Mustafa është përgjegjës përtej dyshimit të arsyeshëm për të gjitha krimet e akuzuara në katër pikat e aktakuzës.

Ajo tha se gjatë gjithë gjykimit janë dëgjuar viktima e dëshmitarë që me fjalë të thjeshta, por bindëse, treguan se si gjatë luftës në Kosovë nga 1 prill 1999 deri në 19 prill 1999 u dërguan në Zllash dhe u mbajtën në mënyrë të paligjshme në kompleks.

Ajo tha se dëshmitarët  treguan se si qëndruan në kushte të tmerrshme, u dëgjua se si abuzoheshin, rriheshin dhe torturoheshin nga mbajtësit e tyre.

“Siç dëgjuam gjatë gjykimit, ky kompleks që ZPS e ka quajtur kompleks të ndalimit, njihet si baza e Skifterëve apo baza e Skifterave. Njësia BIA e komanduar nga i akuzuari në fakt njihej si Skifterët. BIA e përdorte këtë vend si një nga bazat e veta. Salih Mustafa si komandant i BIA-së përgjigjej dhe kontrollonte kompleksin dhe ushtarët e BIA-së që ndodheshin aty. Disa ndërtesa kanë rëndësi të veçantë për këtë çështje pasi janë përdorur për të ndaluar, torturuar, marrë një pyetje civilë të Kosovës”, tha D’Ascoli.

Tutje, tha se viktimat ishin të gjithë kosovarë, shqiptarë të Kosovës, civilë dhe se asnjëri nuk merrte pjesë aktive në luftime në kohën e arrestimit, keqtrajtimit apo në rastin  njërit të vrarë. Ajo tha se askush prej tyre ndihmoi forcat serbe në ndonjë mënyrë.

Ajo tha se provat e dhëna nga dëshmitarët vërtetojnë të gjitha elementet për provat në aktakuzë përtej dyshimit të arsyeshëm.

Prokurorja Silvia D’Ascoli tha se rrëfimet e dëshmitarëve kanë mbështetur njëri-tjetrin.

“Prania e të akuzuarit në Zllash në prill 1999, është dëshmuar dhe është vërtetuar edhe nga dëshmitarët”, tha prokurorja, duke shtuar se dëshmitarët kanë vërtetuar se edhe goditja me rrymë është përdorur ndaj viktimave.

——

ZPS: Kapela e kuqe në kokë, tipari dallues i Salih Mustafës nga të gjithë pjesëtarët e tjerë të UÇK-së

E plotësuar: Prokuroria e ZPS-së ka vazhduar me paraqitjen e deklaratave përmbyllëse në rastin e Salih Mustafës.

Prokurorja tha se dëshmitarët kanë treguar për krimet dhe torturat e kryera në Zllash ku i akuzuari ishte udhëheqës i atij kompleksi.

Ajo më pas përmendi edhe kapelën e kuqe të cilën e ka bartur i akuzuari, duke thënë se kjo është një tjetër dëshmi që duhet ta marrim parasysh, shkruan Telegrafi.

“Kapela e kqure ishte tipar dallues i të akuzuarit ku ai dallohej nga pjesa tjetër e anëtarëve të UÇK-së. Kapela e kuqe është tipar dallues për të dhe kjo është identifikuar edhe nga dëshmitaret.

Gjatë dëshmisë së tij në gjykatë dëshmitari 03594  ka thënë se “kjo kapelë ishte si gjithë të tjerat vetëm se me ngjyrë të kuqe, ai ishte i vetmi që mbante kapelë të kuqe askush tjetër nuk mbante kapelë me ngjyrë të kuqe”, tha prokurorja.

Ajo shtoi se në momentin e arrestimit të Salih Mustafës, në kuletën e tij është gjetur një fotografi e tij pikërisht me kapelën e kuqe.

Seanca ndërkaq ka shkuar në pushim prej 30 minutash, dhe do të vazhdoj pastaj me deklaratat e tjera përmbyllëse të ZPS-së.

——-

ZPS kërkon që Mustafa të shpallet fajtor dhe të dënohet me burgim të gjatë

E plotësuar: Prokurori i Specializuar, Jack Smith ka përfunduar deklaratën e tij para trupit gjykues lidhur me akuzat ndaj Salih Mustafës.

Smith ka thënë se Salih Mustafa si komandues i kompleksit në Zllash ka dhënë urdhra për torturim të burgosurve që i mbanin aty, transmeton Telegrafi.

Prokurori i Specializuar, Jack Smith/ Foto: ZPS

“Herën e parë kur dëshmitari 679 u rrah, kjo ndodhi në prani të akuzuarit i cili i pari e nisi sulmin. Ai modeloi egërsinë kriminale ndaj vartësve të tij duke u dhënë leje atyre që ti torturonin të burgosurit”, ka thënë Smith.

Prokurori ka thënë se zyra e tij ka kërkuar që Mustafës t’i jepet dënimi i gjatë me burg, transmeton Telegrafi.

“Kërkoj që i akuzuari të shpallet fajtor për krimet e akuzuara dhe ti jepni dënimin e rekomanduar”, ka thënë Smith.

——–

Prokurori Smith: Në Zllash viktimat janë rrahur me sëpatë, trupi i tyre është djegur me qirinj e hekur të nxehtë

E plotësuar: Në Hagë është duke vazhduar seanca e gjykimit ndaj Salih Mustafës, ku Zyra e Prokurorit të Specializuar do të paraqesë deklaratën e saj përmbyllëse

Prokurori i Specializuar, Jack Smith ka vazhduar të paraqes para turpit gjykues deklaratat e dëshmitarëve për viktimat që janë torturuar në kompleksin e paraburgimit në Zllash, për të cilat akuzohet Mustafa.

Smith ka thënë se viktimat sipas dëshmitarëve janë torturuar dhe brutalizuar, transmeton Telegrafi.

“Viktimat janë rrahur me sakica, turpi i tyre është djegur me qirinjë dhe hekur të nxehtë, janë therur me thika.. dëshmitarët kanë treguar se shpesh herë janë zgjuar me trupat e tyre të mbuluar me gjakë”, ka thënë Smith.

Salih Mustafa duke përcjellur seancën e gjykimit ndaj tij/ Foto: ZPS

Smith ka përmendur dëshminë e dëshmitarit 679 rreth një të riu i cili ka vdekur në kompleksin e Zllashit.

“Nga abuzimi i viktimave askush nuk ka vuajtur më shumë se i riu (viktima 1617) që është pjesë e kësaj çështje e i cili është vrarë në Zllash. Viktima është dërguar në Zllash më 1999, e dimë që ky kompleks është kontrolluar atë kohë nga BIA e UÇK-së, ky kompleks ishte nën komandën e të akuzuarit z.Mustafa.  E dimë që viktima është torturuar për më shumë se 2 javë duke filluar nga 1 prilli 1999. E dimë që nga dita e parë viktima e vrasjes është ndarë për tu trajtuar në mënyrë abuzive”, ka thënë Smith.

Prokurori i ZPS-së ka shtuar se dëshmitari 679 tha se ka parë që viktima është djegur dhe therur me thikë.

“Kur e kanë sjellë në ahur pasi e kishin nxjerr për ta torturuar, viktima kishte njolla në trup, ka qenë i nxirë nga rrahjet dhe nuk mund të qëndronte në këmbë”, tha Smith.

—–

Fillon gjykimi ndaj Salih Mustafës, ZPS prezanton deklaratat përmbyllëse

Në Hagë ka nisur seanca në gjykimin ndaj Salih Mustafës, ku Zyra e Prokurorit të Specializuar do të paraqesë deklaratën e saj përmbyllëse.

Prokurori i Specializuar, Jack Smith është duke paraqitur deklaratat e viktimave lidhur me krimet e kryera në Zllash.

Smith tha se viktimat kanë deklaruar se e vetmja gjë që ata duan është të tregojnë historitë e tyre pa frikë.

“Viktimat duhet ta dinë se ky është vendi ku mund të rrëfejnë historitë e tyre pa frikë. Citoj se viktimat kanë deklaruar se ne e duam vendin tonë Kosovën, e vetmja gjë që kërkoj është të themi atë çfarë ka ndodhur pa frikë”, ka thënë Smith.

Prokurori ka potencuar se të burgosurit në Zllash janë rrahur e torturuar çdo ditë.

Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Buleshkaj: Vitin e kaluar jemi njoftuar për një politikan që i ka pasë 5 milionë euro në një bankë në Zvicer

Buleshkaj: Vitin e kaluar jemi njoftuar për një politikan që i ka pasë 5 milionë euro në një bankë në Zvicer

Lajme
“E çela vrimën në mur, i preva tre palë tela dhe ika arave deri në Lipjan”- Arratisja e Faton Hajrizit nga Bondsteel-i dhe Burgu i Pejës

“E çela vrimën në mur, i preva tre palë tela dhe ika arave deri në Lipjan”- Arratisja e Faton Hajrizit nga Bondsteel-i dhe Burgu i Pejës

Siguri
Server: Qeveria e re e Serbisë me bashkëpunëtorë të sulmit terrorist të Banjskës

Server: Qeveria e re e Serbisë me bashkëpunëtorë të sulmit terrorist të Banjskës

Lajme
Knaus

Knaus "godet" sërish: Kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në KiE me krijimin e Asociacionit pamundëson realizimin e të dyjave

Lajme
Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Lajme
Konjufca i zhgënjyer me BE-në: Me padurim doni të punoni me qeverinë serbe pro-ruse, e neve nuk na hiqni masat

Konjufca i zhgënjyer me BE-në: Me padurim doni të punoni me qeverinë serbe pro-ruse, e neve nuk na hiqni masat

Lajme
Kalo në kategori