FIFA hap “kuletën”, i rrit shpërblimet financiare për Kupën e Botës 2026

FIFA ka rënë dakord në parim për të rritur shpërblimet financiare dhe tarifat e pjesëmarrjes për Kupën e Botës 2026.
Ky vendim vjen pasi disa federata kombëtare kanë shprehur shqetësime për rritjen e shpenzimeve, sidomos ato që lidhen me udhëtimet, logjistikën dhe taksat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të zhvillohet pjesa më e madhe e turneut.
Fillimisht, FIFA kishte njoftuar një fond rekord shpërblimesh prej 727 milionë dollarësh, ku secila nga 48 kombëtaret do të garantonte të paktën 10.5 milionë dollarë, ndërsa fituesi i turneut pritej të përfitonte 50 milionë dollarë.
Por, pas diskutimeve të fundit, kjo shumë pritet të rritet edhe më tej. Miratimi përfundimtar do të bëhet në një mbledhje të Këshillit të FIFA-s që do të mbahet në Vankuver.

Përveç rritjes së shpërblimeve, FIFA po planifikon gjithashtu të rrisë fondet e zhvillimit që shpërndahen për 211 anëtarët e saj, si pjesë e strategjisë së gjerë financiare.
Ky hap mbështetet nga pozicioni i fortë financiar i FIFA-s, e cila parashikon të ardhura prej rreth 13 miliardë dollarësh gjatë ciklit aktual, kryesisht falë Kupës së Botës 2026.
Rritja e parave për shpërblime shihet edhe si përgjigje ndaj presionit të disa federatave, të cilat frikësoheshin se mund të dilnin me humbje financiare nëse nuk arrinin fazat e avancuara të garës./Telegrafi/





















































