Fidanet vendore, garantuese të cilësisë

Aktualisht, në vend, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, funksionojnë 45 fidanishte, nga të cilat gjatë vitit të kaluar janë prodhuar rreth 517 mijë fidanë.
Fermerët që merren me këtë veprimtari, kanë treguar se, fidanët e mollës janë ato që kërkohen më shumti nga kultivuesit e pemëve.
Njëra nga fermerët prodhues, është Zade Cikaqi, nga fshati Dobërdolan i Suharekës, e cila ka një sipërfaqe prej 1.5 hektarë të mbjellë me fidanë të mollës, kumbullës, kajsisë dhe dardhës.
Ajo ka rrëfyer për portalin “Ferma Ime”, se me prodhimin e fidanëve ka filluar të merren nga vitin 2004, kur kishte 20 ari me fidane. “Duke parë se kërkesat për këtë material po rriteshin nga dita në ditë, së bashku me familjen kam shtuar edhe sipërfaqet në 1.5 hektarë, në të cilat i prodhoj këto fidane”, thotë Cikaqi.
Ajo tregon se ka të angazhuar vetëm një punëtorë, pasi në fidanishten e saj, përveç vetës, i ka të angazhuar edhe tre djemtë e saj.
Veprimtaria e prodhimit të materialeve fidanore, sipas fermerës Cikaqi, është e leverdishme dhe tregu për shitjen e fidanëve nuk është probleme. “Jemi të kënaqur edhe me çmimin e shitjes, e po ashtu edhe me tregun, pasi ne këtë material e shesim tek pemishtet e mëdha, në bazë të kërkesave të tyre, të cilat po rriten çdo ditë e më shumë”, thotë ajo.
Prodhimtaria vjetore e fidanëve, sipas saj, arrin në 25 mijë fidane, nga të cilat thotë se fidanët e mollës dhe kumbullës janë më të kërkuarat nga pemishtet.
Në anën tjetër, Sylë Sylanaj profesor i Pemëtarisë dhe Vreshtarisë në Fakultetin e Bujqësisë të UP-së, thotë se në Kosovë ka kushte optimale për prodhimin e materialit fidanor. “Në vendin tonë ka kushte dhe klimë të mirë për prodhimin e materialeve fidanore, por varet shumë edhe se për çfarë kulture bëhet fjalë”, thotë Sylanaj, duke shtuar se numri i fidanishteve në vend po shtohet nga viti në vit.
Ai ka treguar se brenda vitit prodhohen numër i madh i materialit fidanor, nga të cilat kultivohen pastaj edhe pemët. Profesori Sylanaj, thotë se bima që më së shumti kultivohet tek ne por edhe sa i përket materialit fidanor është molla.
Profesori i Pemëtarisë dhe Vreshtarisë në Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë, Sylë Sylanaj, ka treguar se këtë vit në këtë fakultet kanë të mbjella mbi 50 mijë nënshartesa, të cilat pas një kohe mbëltohen në pemë.
Ndryshe, sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), gjatë viteve 2010 - 2012, fidanishtet kanë prodhuar rreth 1.3 milion fidanë të pemëve. /FermaIme/Telegrafi/




















































