Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm strategjik duke u bashkuar zyrtarisht me iniciativën globale të OKB-së “Football for the Goals”.

Kjo platformë ndërkombëtare synon të mobilizojë botën e futbollit, nga federatat dhe klubet, te lojtarët dhe komunitetet, për t’i përkrahur objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm (SDG) dhe për të përdorur popullaritetin dhe ndikimin e këtij sporti si forcë pozitive për shoqërinë.


Me aderimin në këtë iniciativë, FFK merr përsipër të promovojë parime kyçe si barazia gjinore, respektimi i të drejtave të njeriut, përfshirja sociale dhe mbrojtja e mjedisit.

Përmes projekteve konkrete, fushatave dhe aktiviteteve komunitare, futbolli pritet të shndërrohet në një platformë edukimi dhe ndërgjegjësimi, ku vlerat shoqërore të kultivohen paralelisht me zhvillimin sportiv.

Ky hap i ri krijon mundësi të gjera bashkëpunimi me organizata ndërkombëtare, institucione vendore dhe partnerë të tjerë të rëndësishëm.

Ai gjithashtu e vendos Kosovën në mesin e vendeve që e shohin sportin si motor të progresit shoqëror, duke e forcuar rolin e futbollit si urë lidhëse mes komuniteteve dhe si mjet transformues për brezat e rinj.

Pritet që përmes kësaj nisme të ndërmerren programe të reja edukative, aktivitete për mbrojtjen e mjedisit, si dhe fushata që nxisin barazinë dhe përfshirjen në futboll, duke krijuar ndikim të drejtpërdrejtë dhe të qëndrueshëm në shoqërinë kosovare./Telegrafi/

telegrafi sport app