LAJMI I FUNDIT:

Festivali i Gjelbër po vjen më 30-31 tetor, bashkon 45 kompani vendore

Festivali i Gjelbër po vjen më 30-31 tetor, bashkon 45 kompani vendore

Edicioni i katërt i Festivalit të Gjelbër do të mbahet në datat 30 dhe 31 tetor në sallën e sporteve “1 Tetori” në Prishtinë.

Për tri edicione me radhë ky Festival është organizuar nga USAID Empower Private Sector, ku edicioni i tretë është organizuar në bashkëpunim me Klubin e Prodhuesve të Kosovës. Ndërsa nga edicioni i sivjetmë, ky projekt implementohet nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës.

Sipas një njoftimi për media, koncepti i Festivalit të Gjelbër  është në përputhshmëri me punën e Klubit të Prodhuesve të Kosovës, ku objektivat kryesore të Klubit janë promovimi i produkteve “Made in Kosova” si dhe në përputhje me strategjinë bazë të Klubit e cila përfshinë punësimin, diplomacinë ekonomike, energjinë dhe ambientin.

“Festivali i Gjelbër ka për qëllim kryesor rritjen e tregjeve dhe promovimin e bizneseve në fushën e energjisë solare, atë eficiente dhe të riciklimit. Festivali do të ofrojë platformë rrjetëzimi për bizneset e gjelbra, agjencitë qeveritare, dhe të gjithë akterët relevantë të energjisë së gjelbër. Në këtë ngjarje dy ditore, rreth 45 kompani vendore do t’i ekspozojnë produktet dhe shërbimet e tyre në Pavijonin e Gjelbër” , thuhet tutje në njoftimin e Klubit të Prodhuesve, përcjell Telegrafi.

Këtë vit risi do të jetë prezantimi i kompanive ndërtuese me projekte dhe ide inovative të lagjeve moderne që promovojnë jetesën eficiente “Green”.

Edicioni i katërt i Festivalit të Gjelbër do të fokusohet në teknologjinë e gjelbër dhe inovative, energjinë e ripërtërishme, urbanizimin e qëndrueshëm, ndërtimin e dizajnin dhe mbrojtjen e ambientit.

Pjesë e festivalit do të jenë edhe Forumet e Gjelbra, ku ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë do të prezantojnë trendet e fundit dhe të ardhshme të industrisë në riciklim, energji të ripërtërishme dhe eficiencë të energjisë, duke theksuar rëndësinë e energjisë së gjelbër. /Telegrafi/