eksperti ad

E plotësuar: Ka përfunduar protesta e fermerëve të qumështit, e mbajtur të hënën para Ministrisë së Bujqësisë, ku prodhuesit vendorë shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj gjendjes në sektor dhe kërkuan ndërhyrje urgjente nga institucionet.

Përfaqësuesit e Shoqatës së Fermerëve Kosovarë të Qumështit thanë se prodhuesit vendorë ndodhen në një situatë të rëndë, duke theksuar se tashmë katër ditë nuk kanë ku ta dorëzojnë qumështin.


Ata kërkuan fillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit, ndalimin e importeve të qumështit të subvencionuar nga vendet e rajonit dhe masa konkrete për mbrojtjen e prodhuesve vendorë.

-------------

Fermerët kosovarë të qumështit kanë nisur protestën e paralajmëruar pranë Ministrisë së Bujqësisë, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj politikave dhe gjendjes në sektorin e qumështit.

Protestuesit kanë sjellë traktorë para objektit të ministrisë, ndërsa në shenjë revolte kanë derdhur qumësht në hyrje të institucionit dhe kanë larë me qumësht dritaret e objektit.

Ata gjithashtu kanë tentuar të fusin qumësht edhe brenda ndërtesës së Ministrisë, por janë penguar.

Gjatë protestës, fermerët kanë mbajtur pankarta me mesazhe si "Mos e dobësoni industrinë vendore!", duke kërkuar nga institucionet mbështetje më të madhe për prodhuesit vendorë dhe masa konkrete për mbrojtjen e sektorit të qumështit.

Vendimi për organizimin e protestës është marrë nga Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit, e cila e ka cilësuar protestën si të domosdoshme pas ndërprerjes së grumbullimit të qumështit të freskët nga fermat, situatë që, sipas tyre, rrezikon seriozisht ekzistencën e shumë prodhuesve vendorë.

Protesta vjen edhe pas mbylljes së përkohshme të fabrikës së përpunimit të qumështit "Vita" në Istog, pas një aksioni të autoriteteve.

Përmes protestës, ata kërkojnë që institucionet të ndërmarrin masa të menjëhershme për tejkalimin e krizës dhe kanë paraqitur tri kërkesa kryesore:

-rifillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit të freskët nga fermat;

- publikimin urgjent të rezultateve të analizave, në mënyrë që të hiqen dyshimet mbi cilësinë e produkteve vendore;

- rikthimin e çmimit të mëparshëm të qumështit, duke theksuar se ulja e çmimit po i çon shumë ferma drejt falimentimit.

Ndërkohë, protesta po zhvillohet nën përcjelljen e Policisë së Kosovës. /Telegrafi/