Ferizaj ekspozon historinë dhe trashëgiminë kulturore në kuadër të “Ditëve të Mërgatës”

Komuna e Ferizajt ka njoftuar se, në kuadër të aktiviteteve të manifestimit tradicional “Ditët e Mërgatës”, Njësia për Trashëgimi dhe Muze ka hapur një ekspozitë fotografike kushtuar trashëgimisë kulturore dhe historisë së qytetit.
Sipas njoftimit të komunës, ekspozita sjell për vizitorët një koleksion fotografish që pasqyrojnë monumentet, objektet me vlera historike e kulturore, si dhe momente të rëndësishme nga e kaluara e Ferizajt.
Përmes kësaj ekspozite synohet promovimi i trashëgimisë kulturore, ruajtja e kujtesës historike dhe afërsimi i brezave të rinj dhe mërgatës me identitetin, historinë dhe vlerat e qytetit.
Komuna ka bërë të ditur se ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët gjatë ditëve të manifestimit “Ditët e Mërgatës”, duke ofruar një mundësi të veçantë për qytetarët dhe bashkatdhetarët që të njihen më nga afër me pasurinë kulturore dhe historike të Ferizajt. /Telegrafi/







































