eksperti ad

Apnea e gjumit është një gjendje që nuk duhet të neglizhohet, sidomos te fëmijët. Ajo lidhet me ndërprerje të frymëmarrjes gjatë gjumit dhe, sipas otorinolaringologut Kujtim Kastrati kjo kërkon vlerësim të menjëhershëm nga specialisti.

Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital, Kastrati foli për rastet kur prindërit vërejnë se fëmija gjatë gjumit duket sikur ndalon frymëmarrjen për disa momente.


“Kemi raste në të cilat na kanë ardhur prindërit duke u ankuar: doktor, fëmija në gjumë më duket sikur nuk merr frymë herë pas here”, tha Kastrati.

Sipas tij, në këto raste kontrolli duhet të fokusohet fillimisht te gjendja e adenoidit, i njohur në gjuhën popullore si “kreniku i tretë”, si dhe te bajamet.

“Gjëja e parë që duhet të shohim te fëmijët është si është gjendja e krenikut të tretë dhe si është gjendja e bajameve. Në qoftë se këto janë të rritura, duhet të hiqen, duhet të mënjanohen”, u shpreh ai.

Kastrati theksoi se apnea e gjumit nuk është vetëm një shqetësim i natës, por mund të ketë ndikim serioz në shëndetin e fëmijës për shkak të ndërprerjes së oksigjenimit.

Ai dha një paralajmërim të qartë për prindërit, duke thënë se apnea e gjumit nuk duhet të neglizhohet.

“Apnea e gjumit është urgjencë, për shkak se ndërprehet oksigjenimi i trurit”, tha ai.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":

- YouTube www.youtube.com