Fekir kishte bërë edhe fotot me fanellën e Liverpoolit, Klopp tregon prapaskenat pse nuk e zyrtarizuan francezin
Ish-trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka zbuluar se dështimi i klubit për të nënshkruar me Nabil Fekir në vitin 2018 mund të ketë pasur pasoja të mëdha në të ardhmen e skuadrës, duke penguar ndoshta transferimin e Alisson Becker.
Fekir ishte shumë pranë transferimit te Liverpooli për 52 milionë funte dhe madje u realizuan fotot zyrtare të prezantimit, por marrëveshja u prish në minutat e fundit.
Klopp pranoi se, nëse Fekir do të kishte ardhur, Liverpooli nuk do të kishte pasur mjaftueshëm fonde për të nënshkruar me Alissonin, një nga përforcimet më të rëndësishme të klubit në epokën moderne.
"Pjesa interesante është se ishim afër nënshkrimit të Fekirit dhe nëse nënshkruajmë me Fekirin, nuk kemi para për Alissonin", tha Klopp në dokumentarin e ri të Liverpoolit për Alisson.
Alisson erdhi nga Roma për 65 milionë funte dhe shpejt u bë vendimtar në skuadër, duke sjellë stabilitet dhe siguri në portën e Liverpoolit.
Humbja ndaj Real Madridit në finalen e Ligës së Kmpionëve 2018, pas dy gabimeve të Loris Karius, ishte një pikë kthese që e bëri të domosdoshëm afrimin e një portieri të nivelit më të lartë.
Klopp e quajti Alissonin transferimin e tij të “ëndrrave” dhe kujtoi momentin kur mbeti i mahnitur që në seancën e parë stërvitore: "Isha shumë i impresionuar nga Alisson. O Zot i madh. Ai bëri disa pritje dhe ne menduam 'çfarë?", deklaroi Klopp. /Telegrafi/































