LAJMI I FUNDIT:

FDH për EULEX-in: Kontributi i pakontestueshëm, pritshmëritë të papërmbushura

FDH për EULEX-in: Kontributi i pakontestueshëm, pritshmëritë të papërmbushura

Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDH Kosovë (FDH) përmes një kumtese për media ka dhënë vlerësim për punën e Misionit Evropian të Sundimit të Ligjit (EULEX).

Në njoftimin e FDH-së thuhet se në bazë të dokumentacionit me të cilin disponon Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDH Kosovë), gjatë mandatit ekzekutiv në kuadër të gjyqësorit kosovar, në lidhje me akuzat për krime të luftës në Kosovë, prokurorët e EULEX-it i kanë ngritur 11 aktakuza kundër 41 shqiptarëve, 11 aktakuza kundër 12 serbëve si dhe 1 aktakuzë kundër 1 romi.


Lexoni të plotë deklaratën e Fondi Humanitar për të drejtën në Kosovë

“Në fund të mandatit ekzekutiv të EULEX-it: kontributi i pakontestueshëm, kurse të pritmet të papërmbushura

Misioni Evropian i Sundimit të Ligjit (EULEX) në datën 14 qershor të vitit 2018 zyrtarisht e përfundon mandatin e deritashëm dhe nuk ka më kompetenca dhe pushtet ekzekutiv në sistemin e gjyqësorit në Kosovë, të cilin e ka pasur pothuajse dhjetë vjet. EULEX-i ka qenë misioni civil më i madh dhe më i shtrenjtë i këtij lloji, të cilin Bashkimi Evropian (BE) e ka themeluar në ndonjë vend.

Sipas vendimit të Këshillit të BE-së të datës 8 qershor të vitit 2018, EULEX-i edhe më tutje, deri në vitin 2020, do të mbetet në Kosovë, por do të ketë mandat të ri, i cili do të përbëhet nga mbikëqyrja dhe këshillimi i gjyqësorit, i shërbimeve korrektueses dhe nga përkrahja për Gjykatën Speciale dhe implementimi i marrëveshjes, që arrihet në dialogun mbi normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

EULEX-i është themeluar në fund të muajit janar të vitit 2008, por në Kosovë zyrtarisht ka filluar nga puna në datën 9 dhjetor të po këtij viti. Plotësisht operues është bërë në muajin prill të vitit 2009, kur nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK-a) e ka marrë mandatin në fushën e gjyqësorit, të policisë, të doganave dhe të sistemit të burgjeve. Gjyqtarët e parë të EULEX-it janë sistemuar në Kosovë në muajin prill të vitit 2008, ndërsa në muajin janar të vitit 2009 kanë marrë në duart e veta edhe lëndën e parë (seanca e konfirmimit të aktakuzës në lëndën Prokurori kundër Gjelosh Krasniqit).

Aktgjykimin e parë e kanë sjellë gjyqtarët e EULEX-it në datën 12 mars të vitit 2009 (aktgjykimi lirues në lëndën Prokurori kundër Florim Ejupit).

EULEX-i që nga fillimi i punës së misionit e deri në muajin qershor të vitit 2014 (kur kjo kompetencë ka filluar gradualisht të bartet te institucionet e gjyqësorit vendor), ka qenë ekskluzivisht kompetent për ndjekjen penale të krimeve të luftës si dhe të veprave të tjera më të rënda me prapavijë politike ose etnike, siç janë terrorizmi, krimi i organizuar dhe korrupsioni i profilit të lartë. Panelet gjyqësore përgjegjëse për këto lëndë deri në fillimin e ngushtimit të mandatit të EULEX-it kanë vendosur në panele të përziera ndërkombëtare-vendore, me të cilat kanë kryesuar gjyqtarët e EULEX-it.

Kjo rregull nuk ka vlejtur vetëm në lëndët e procesuara para Gjykatës së Qarkut (më vonë Gjykata  Themelore) në Mitrovicë, ku për arsye të tensioneve politike dhe etnike panelet shqyrtuese kanë qenë ekskluzivisht të përbëra nga gjyqtarët ndërkombëtarë. Në anën tjetër, prokurorët e EULEX-it, edhe pas fillimit të reduktimit të mandatit të EULEX-it në vitin 2014, kryesisht deri në fund të misionit ekskluzivisht kanë qenë kompetent për ndjekjen e këtyre krimeve, që do të thotë se vetëm një numër i vogël i aktakuzave në lëndët më të vështira ka qenë i ngritur nga ana e prokurorëve vendor.

Sipas të dhënave të EULEX-it, gjyqtarët e këtij misioni që nga fillimi i mandatit e deri në datën 14 qershor të vitit 2018 kanë sjellë 648 aktgjykime, prej të cilave 479 në lëndë kriminale siç janë korrupsioni, krimi i organizuar, spastrimi i parave, krimet e luftës dhe trafikimi me qeniet njerëzore.

Në bazë të dokumentacionit, me të cilin disponon Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDH Kosovë), gjatë mandatit ekzekutiv në kuadër të gjyqësorit kosovar, në lidhje me akuzat për krime të luftës në Kosovë, prokurorët e EULEX-it i kanë ngritur 11 aktakuza kundër 41 shqiptarëve, 11 aktakuza kundër 12 serbëve si dhe 1 aktakuzë kundër 1 romi. Krahas të vendosurit në këto lëndë në procedurat e shkallës së parë dhe të dytë (si dhe të shkallës së tretë, kur e njëjta është paraparë me ligj sipas mjetit të jashtëzakonshëm juridik), gjyqtarët e këtij misioni kanë vendosur edhe në lëndët për akuzat e ngritura më herët nga ana e prokurorëve të UNMIK-ut, në të cilat, para vendosjes së misionit të EULEX- it, kanë vendosur vetëm gjyqtarët e UNMIK-ut.

FDH Kosovë në mënyrë sistematike dhe kontinuitive i ka përcjellë të gjitha gjykimet për veprat më të rënda penale, të cilat kanë qenë në mandatin e EULEX-it, duke publikuar rregullisht raporte vjetore me analizat mbi atë se si para gjykatës janë zhvilluar procedurat në këto lëndë dhe sa janë respektuar standardet ndërkombëtare gjatë tyre. Impakti i EULEX-it në gjyqësorin kosovar do të jetë edhe një nga temat kryesore në fokusin e raportit të ardhshëm vjetor (2018) të FDH Kosovë.

Megjithëkëtë, qysh tash, si një vlerësim i përgjithshëm, mund të veçohet se ky mision ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në përforcimin e efikasitetit të sistemit të gjyqësorit në Kosovë, si në pikëpamje të hetimit të krimeve më të rënda, ashtu edhe në pikëpamje të procesuimit të të njëjtave. Ky vlerësim posaçërisht vlen për vitet e para të mandatit të EULEX-it në Kosovë, kur këtë mision e ka stolisur transparenca dhe gatishmëria për bashkëpunim me të gjitha segmentet e shoqërisë, posaçërisht me sektorin joqeveritar, si dhe zbatimi i standardeve të caktuara të pranuara ndërkombëtare, të cilët nuk kanë qenë të paraparë me ligjet penale që janë në fuqi në Kosovë.

Prokurorët dhe gjyqtarët e EULEX-it, po ashtu, në numrin më të madh të rasteve, kanë treguar profesionalizëm në procesimin e krimeve të luftës, si veprat më të rënda penale, për të cilat kanë qenë të mandatuar. Kjo ka shërbyer si shembull për gjyqtarët dhe prokurorët vendor dhe përbënë një kontribut, i cili nuk mund të kontestohet. A thua për shkak të mungesës së gatishmërisë së shoqërisë kosovare që gjerësisht të mbështesë procesimin e krimeve të luftës, për të cilat janë dyshuar ose  akuzuar ish pjesëtarët e UÇK-së ose për shkak të mungesës së gatishmërisë së ULEX-it që deri në fund të insistojë në ndriçimin e këtyre lëndëve, mbetet përshtypja se misioni evropian nuk ka bërë një hap të madh në vërtetimin e përgjegjësisë për këto krime. Duhet të theksohet se për EULEX-in nuk ka qenë e favorshme klima gjerësisht e përhapur e mosndëshkimit për këto krime, me të cilën ballafaqohet shoqëria kosovare. Për shkak të kësaj klime,numri i dëshmitarëve, i cili ka qenë i gatshëm që publikisht të dëshmojë mbi krimet e luftës, ka qenë jashtëzakonisht i vogël, kurse shumë shpesh ka ndodhur që këta dëshmitarë në shqyrtimin kryesor të heqin dorë nga dëshmitë akuzuese të fazave të mëhershme të procedurës, me çka e kanë dëmtuar rëndë punën e madhe dhe energjinë e prokurorëve të EULEX-it të investuar në ndriçimin e këtyre lëndëve.

Në fund të fundit, FDH Kosovë konsideron se, krahas ndikimit pozitiv në gjyqësorin kosovar dhe në sistemin e sundimit të ligjit në tërësi, EULEX-i nuk i ka përmbushur të pritmet e fillimit të mandatit të tij as në pikëpamje të numrit të rasteve të procesuara e as në pikëpamje të mbrojtjes së dëshmitarëve, gjë që ka çuar deri te formimi i Dhomave të Specializuara dhe i Prokurorisë Speciale me seli në Hagë, që do të jenë kompetent për hetimin e krimeve në periudhën prej datës 1 janar i vitit 1998 deri në fund të muajit dhjetor të vitit 2000. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Gazetari britanik tregon nëse mund të ketë luftë në Kosovë dhe Bosnjë

Gazetari britanik tregon nëse mund të ketë luftë në Kosovë dhe Bosnjë

Siguri
Cvijanoviq: Qëndrimi i Bosnjës e Hercegovinës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të jetë neutral

Cvijanoviq: Qëndrimi i Bosnjës e Hercegovinës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të jetë neutral

Lajme
U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

Lajme
Kurti pas telefonatës me Macron: Besojmë që Franca ta mbështesë Kosovën në KiE pa parakushte

Kurti pas telefonatës me Macron: Besojmë që Franca ta mbështesë Kosovën në KiE pa parakushte

Lajme
Rrëfimi i Vasfije Krasniqit: Çdo ditë e kujtoj tmerrin që më ndodhi nga forcat serbe

Rrëfimi i Vasfije Krasniqit: Çdo ditë e kujtoj tmerrin që më ndodhi nga forcat serbe

Lajme
Goditi 42 herë me thikë ish-të dashurën në Vjenë, gjykata e dënon me 15 vjet burgim shqiptarin nga Kosova

Goditi 42 herë me thikë ish-të dashurën në Vjenë, gjykata e dënon me 15 vjet burgim shqiptarin nga Kosova

Lajme
Kalo në kategori