LAJMI I FUNDIT:

Fakulteti i muzikës në Tetovë, pa kushte të përshtatshme!

Fakulteti i muzikës në Tetovë, pa kushte të përshtatshme!

Rreth dy muaj tashmë studentët e fakultetit të arteve të cilët mësimin e zhvillojnë në hapësirat e Shtëpisë së Kulturës në Tetovë, janë pa nxehje qendrore. Ata ankohen se në kushte të tilla të vështira, e kanë të pamundur ti zhvillojnë ushtrimet në violinë, piano apo ndonjë instrument tjetër, sepse gjithnjë duhet të rrinë me pallto në klasa, njofton Alsat-M.

“Nuk e di ama prej që është bë ftohtë më nuk ka nxehje. S`kemi marr përgjigje pse por edhe s`jemi interesuar lartë, kemi pasur shumë ftoftë por s`ka treguar kush. I mbajmë ligjëratat kështu në të ftohtë,” u shpreh një student.


“Siç tha edhe kolegu tjetër që kur ndryshoi koha u bë më ngrohtë i ndaluan nxehjet dhe më nuk i kanë lëshuar por arsyet nuk i dimë.” 
A keni ftohtë?
Po ja na shihni si jemi,” deklaroi një student.

Rreth kushteve të papërshtatshme për të zhvilluar mësimin ankohen edhe profesorët e fakultetit të muzikës. Ata thonë se pavarësisht përpjekjeve të tyre për të mos ndaluar procesin mësimor, prapë se prapë nuk mund të parandalojnë sëmurjen e shpeshtë të studentëve për shkak të të ftohtit.

“Po ja, kemi edhe alternativa të tjera si nxehemi se studentët duhet të punojnë dhe s`mund ta ndalojmë punën…kemi edhe studentë që na sëmuren se tash është edhe sezoni që ka gripëra dhe me të vërtetë duhet të gjendet një modus sepse e shoh edhe shtëpia e kulturës është në gjendje shumë të keqe. Por ja mundohemi siç e shihni sjellim ndonjë nxehëse nga shtëpia që të mos ndalohet puna,” u shpreh një profesor.

Si pasojë e mungesës së nxehjes qendrore në fakultetin e artit muzikor këtu në shtëpinë e kulturës në Tetovë , sipas profesorëve një numër i madh i studentëve nuk janë duke ardhur në mësime, shkaku se që prej një muaji këtu mungon nxehja qendrore ndërsa të ftohtët kanë bërë që shumica e tyre të jenë me sëmundje të gripit.

Nga universiteti i Tetovës dhe dekanati i fakultetit të arteve kanë refuzuar të prononcohen para kamerës, ndërsa përmes telefonit janë shprehur se bëhet fjalë për një defekt teknik, i cili, sipas tyre, së shpejti do të shmanget. Por sipas informacioneve që arritëm të marrim nga të dy institucionet, shtëpia e kulturës dhe USHT, mungesa e nxehjes është si pasojë e borxhit prej 2 milion denarësh që Universiteti i ka shtëpisë së kulturës për energjinë elektrike.