LAJMI I FUNDIT:

Fakte për Kasapin e Ballkanit: Monstrumi që edhe në burg ndjehej fitues

Fakte për Kasapin e Ballkanit: Monstrumi që edhe në burg ndjehej fitues

Telegrafi ju sjell në pika të shkurta, detajet nga jeta e Sllobodan Milosheviqit, dhe deklaratat që ai kishte dhënë dikur që ndër të tjera pasqyrojnë karakterin e tij mizor. Njeriu që kishte shkaktuar tmerret më të mëdha në Ballkan në pjesën e dytë të shekullit XX, më 2000 kishte thënë: Mund të fle qetë, sepse ndërgjegjja ime është e pastë!

Ngritja dhe rënia e Milosheviqit


1964: Diplomon në Drejtësi, në Universitetin e Beogradit, dhe i bashkohet Partisë Komuniste.

1984: Emërohet lider partiak në Beograd, nga miku Ivan Stamboliqi.

1986: E zëvendëson Stamboliqin – si shef i komunistëve serbë – pas emërimit të tij kryetar i Serbisë.

1987: Në prill e mban fjalimin nxitës, te serbët e Kosovës. Ky fjalim e katapulton dominimin e tij në Serbi. Në shtator e akuzon Stamboliqin si përfaqësues të politikës anti-komuniste dhe anti-serbe, duke imponuar dorëheqjen e tij.

1989: Emërohet kryetar i Serbisë, e heq autonominë e Kosovës dhe urdhëron vrasjen e mbi 20 shqiptarëve në protestat e Kosovës.

1990: Jugosllavia i dërgon trupat ushtarake, për të imponuar kontroll në Kosovë. Serbia e shpartallon qeverinë e Kosovës.

1991: Kroacia dhe Sllovenia e shpallin pavarësinë. Milosheviqi i inkurajon serbët e Kroacisë t’i kapin armët.

1992: Në mars, Bosnja dhe Hercegovina e shpall pavarësinë. Milosheviqi i financon rebelët serbë të Bosnjës.

1995: Pranon paqen e Dejtonit për përfundimin e luftës në Bosnjë.

1996: Në nëntor, aleatët e Milosheviqit fitojnë në zgjedhjet parlamentare, por opozita i fiton zgjedhjet lokale, duke përfshirë edhe Beogradin. Milosheviqi i anulon këto zgjedhje, të cilat shpërthejnë në protesta.

1997: Për shkak të kufizimeve kushtetutare, e detyron parlamentin që ta shpallë kryetar të Jugosllavisë.

1998: Rrit numrin e forcave ushtarake dhe paraushtarake në Kosovë, për ta shuar rezistencën shqiptare.

1998: KS i OKB-së në shtator e miraton rezolutën për ndërprerje të luftimeve në Kosovë.

1998: NATO-ja autorizon në tetor sulme kundër caqeve serbe. Milosheviqi pranon t’i tërheqë ca trupa dhe ardhjen e 2000 monitoruesve të paarmatosur.

1999: Shqiptarët e nënshkruajnë në mars marrëveshjen paqësore në Paris, serbët jo. Ky refuzim solli më 24 mars fillimin e bombardimeve të NATO-s mbi caqet policore dhe ushtarake serbe.

1999: Milosheviqi dhe katër bashkëpunëtorë të tij, në maj, akuzohen nga Tribunali i Hagës për krime lufte.

1999: Më 3 qershor e pranon planin për vendosjen e administratës së OKB-së në Kosovë.

1999: Më 9 qershor nënshkruhet marrëveshja e Kumanovës, që sjell përfundimin e luftës në Kosovë.

2000: Më 24 shtator, serbët votojnë për kryetar. Përkrahësit e sfiduesit të tij – Vojislav Koshtunica – shpallin fitore, e cila nuk pranohet nga Milosheviqi.

2000: Më 5 tetor tërhiqet pas trazirave në Beograd.

2001: Më 1 prill arrestohet nga policia, pas rezistencës 26-orëshe.

2002: Më 12 shkurt fillon gjykimi i tij.

2006: Më 13 mars vdes në qelinë e tij, në burgun e Sheveningenit.

Tha Slloba dikur…

Dhjetor 1988: Prandaj, shokë, e para që duhet të them është se ju duhet të qëndroni këtu. Kjo është toka juaja, këto janë shtëpitë tuaja, arat dhe kopshtet tuaja, kujtimet tuaja. Ju nuk doni ta lëshoni tokën tuaj në Kosovë se aty jetohet vështirë, por pse ju kanë detyruar padrejtësia dhe nënçmimi.

Nëntor 1989: Mbetet një numër i vogël i fanatikëve, të cilët ende ëndërrojnë për ndryshime të kufijve, që ta ndajnë Kosovën nga Jugosllavia dhe t’ia bashkojnë Shqipërisë. Dëshira e tyre që ta marrin Kosovën kurrë nuk do të realizohet. Duke luftuar për këtë qëllim, ata vetëm mund ta sjellin veten në përfundime tragjike, gjë që edhe po ndodh, sepse kurrë Serbia nuk do ta japë Kosovën dhe nuk ka forcë që mund ta bëjë këtë, sepse Kosova është zemra e Serbisë.

Janar 1990: Ne jemi kundër autonomisë së Kosovës. Ne jemi për autonomi të shqiptarëve, të pakicës shqiptare në vendin tonë, por jo për autonomi të Kosovës. Nëse atje jetojnë 200.000 serbë, a t’i kthejmë ata në robëri? Këtë nuk guxojmë ta bëjmë, sepse nuk kemi të drejtë. Kemi të drejtë që shqiptarëve t’u ofrojmë autonomi kulturore, e cila ka të bëjë me kulturë, arsim, shëndetësi, sigurim personal dhe social.

Qershor 1996: Dhe, nuk do të ndodhë internacionalizimi i temës Kosovë.

Mars 1998: Asnjë fuqi e jashtme nuk mund të na diktojë se ku do ta vendosim policinë në Kosovë. Policia duhet të koncentrohet kudo ku ka terroristë.

Prill 1999: Qytetarë të nderuar, mendoj se Kuvendi Popullor i Serbisë ka vepruar mirë kur e ka marrë vendimin që të mos e pranojë praninë e trupave të huaja në territorin tonë.

Maj 1999: Kur kanë filluar bombardimet, janë paraqitur refugjatët, natyrisht si rrjedhojë e bombardimeve dhe këtë të gjithë e dinë. Të gjithë ikin nga bombardimet, serbët, turqit, romët, myslimanët. Natyrisht, numri i shqiptarëve është më i madhi. Ama të gjithë ikin… zogjtë ikin…

Dhjetor 2000: Mund të fle qetë, sepse ndërgjegjja ime është e pastër.

“Top” deklaratat e Sheveningenit

• Unë jam fitues moral, pavarësisht nga ky gjykim!

• Unë, siç flet edhe emri im, jam i lirë (Slobodan), edhe me “s” të madhe e të vogël!

• Po ta kisha komanduar armatën, Jugosllavia do të ruhej!

• Fjalimi im në Gazimestan ishte i shkëlqyeshëm!

• Serbët janë i vetmi popull, për të cilin mbrojtja e të zënëve robër sipas traditës është gjë e shenjtë!

• Nga të gjitha ish-republikat, vetëm në Serbi nuk kishte diskriminime etnike dhe vetëm Serbia e ka ruajtur strukturën e njëjtë etnike që ka qenë edhe para konfliktit.

• Kosova nuk kufizohet me Serbinë. Kosova është Serbi. As Haga nuk kufizohet me Holandën!

• Fuqitë perëndimore qëllimisht i bombarduan civilët shqiptarë në Kosovë për ta nxitur eksodin masiv dhe, me katastrofën e krijuar humanitare, i arsyetuan sulmet e NATO-s mbi Serbinë!

• Bombardimi, nën udhëheqjen amerikane, ishte aq i madh, saqë edhe derrat e egër nga Çyçavica e kaluan lumin Sitnica dhe zbritën në rrafsh, e kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë!

• Në aspektin global, Perëndimi ka shkaktuar konflikte të popujve sllavë e myslimanë që nga Kosova e deri në Çeçeni, me qëllim që këta popuj të dobësohen dhe që mbi ta të vendoset më lehtë kontrolli!

• Ky tribunal nuk mund të më gjykojë, ngase nuk është themeluar në mënyrë ligjore. Ky nuk është gjykim i drejtë – gjyqtarët jo vetëm që janë të njëanshëm, por që më parë e kanë shpallur aktgjykimin dhe e kanë orkestruar fushatën mediale si linç i drejtpërdrejtë!

• Akuzat kundër meje janë shkruar me nivelin intelektual të fëmijës së retarduar 7-vjeçar.

• Unë jam avokat i paqes.

• Më lironi!

/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Lajme
Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Lajme
Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Lajme
Një muaj paraburgim për shqiptarin nga Kosova të arrestuar në Serbi

Një muaj paraburgim për shqiptarin nga Kosova të arrestuar në Serbi

Drejtësi
“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

Drejtësi
Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Siguri
Kalo në kategori