LAJMI I FUNDIT:

Fabrika e ujit në Shkabaj s’është ende gati

Fabrika e ujit në Shkabaj s’është ende gati

E paraparë të nisë punën në nëntor të këtij viti, Fabrika e përpunimit të ujit në Shkabaj, pak kilometra në veri të kryeqytetit të Kosovës, pritet që të finalizohet në fillim të vitit të ardhshëm, thonë zyrtarë të Ujësjellësit të Prishtinës.

Zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal Prishtina, Arjeta Mjeku, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ka hedhur poshtë zërat për, siç është njoftuar, dështim të projektit.


“Fabrika e ujit në Shkabaj do të përfundojë në dhjetor 2016, ndërsa testimet e rrjetit, shqyrtimet, pranimet teknike, pajisjet dhe marrja e lejeve për shfrytëzim mbeten si një dy për qind i punëve totale për pjesën e parë të vitit 2017”, thotë Mjeku për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, me realizimin e këtij investimi, do të zgjidhet problemi i furnizimit me ujë të pijes për qytetarët e Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit, Podujevës, si dhe komunat tjera që janë nën menaxhimin e kompanisë të Ujësjellësit Prishtina.

Fabrika parashihet të ketë kapacitete përpunuese për fazën e parë deri në 700 litra për sekondë, me mundësi të rritjes së kapaciteteve edhe për 500 litra tjera në sekondë. Kjo sasi vlerësohet se do të jetë e mjaftueshme për të mundësuar furnizim të rregullt për 24 orë pa ndërprerje.

Projekti është një nga investimet më të mëdha në Kosovë që ka të bëjë me furnizimin e rregullt me ujë të pijshëm. Financues të këtij projekti janë Komuna e Prishtinës, Komisioni Evropian dhe Qeveria e Kosovës, të cilat kanë ndarë nga pesë milionë euro për këtë projekt, si dhe 20 milionë euro që kompania e Ujësjellësit rajonal Prishtina ka marrë kredi nga Banka Gjermane për Zhvillim, me ç’rast garantuese e kthimit është Qeveria e Kosovës.