LAJMI I FUNDIT:

Evropianët të “rraskapitur” nga pandemia, thotë OBSH-ja

Evropianët të “rraskapitur” nga pandemia, thotë OBSH-ja

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se coronavirusi po u shkakton dëme emocionale popullatës së Evropës.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, organizata ka vërejtur rritjen e niveleve të apatisë midis disa popullatave të kontinentit.


Të dhënat e sondazhit zbulojnë se shkalla e “rraskapitjes nga pandemia” vlerësohet të ketë arritur mbi 60 per qind në disa raste.

Shumë njerëz ndihen më pak të motivuar për të ndjekur masat mbrojtëse pasi kanë jetuar për disa muaj me përçarje dhe pasiguri, raporton BBC.

Derisa të zbulohet vaksina kundër COVID-19 ose edhe trajtimet efektive, mbështetja publike dhe sjellje mbrojtëse sikurse pastrimi i duarve, bartja e maskave, dhe distancimi shoqëror – janë masat të cilat duhet të zbatohen për ta luftuar virusin.

Deri më tani coronavirusi ka prekur 35 milionë njerëz në 188 vende të botës, si dhe ka lënë të vdekur rreth një milion persona.

Drejtori i OBSH-së për Evropë, Hans Henri Kluge, thotë se kjo “rraskapitje” pritet në këtë fazë të krizës.

“Që kur virusi arriti në Evropë, qytetarët kanë bërë sakrifica të mëdha për ta reduktuar përhapjen e COVID-19”, u shpreh ai.

“Virusi ka reflektuar me një kosto të jashtëzakonshme, që na ka lodhur të gjithëve, pavarësisht se ku jetojmë apo çfarë bëjmë. Në rrethana të tilla është e lehtë dhe e natyrshme të ndihesh apatik dhe i demotivuar”, ka shtuar mes tjerash Kluge. /Telegrafi/