LAJMI I FUNDIT:

Euro simbol i stabilitetit

Euro simbol i stabilitetit

Presidenti i Këshillit të BE dhe Presidenti i Komisionit të BE bashkohen në vlerësimet e tyre: 20 vjet pas futjes së euros, krerët e BE kujtojnë rëndësinë e monedhës së përbashkët.

“Euro është kthyer në një simbol të unitetit, të sovranitetit dhe të stabilitetit”, deklaroi shefi i Komisionit të BE Jean-Claude Juncker në Bruksel. Nënshkrimi nën marrëveshjen e Maastrihtit për krijimin e një bashkimi ekonomik dhe monetar “është nënshkrimi më i rëndësishëm i jetës sime”, tha Juncker, i cila ka qenë për shumë vjet kryeministër i Luksemburgut.

Ndërsa Presidenti i Këshillit të BE, Donald Tusk theksoi: “Ashtu si çlirimi i Evropës Qendrore dhe Lindore dhe si ribashkimi i Gjermanisë, edhe krijimi i Euros 20 vjet më parë ishte një moment kthese i historisë evropiane”. Sot Euro është një “dëshmi e fuqisë politike dhe ekonomike” të BE në skenën ndërkombëtare.

Në vlerësimin e tyre, Juncker dhe Tusk e hodhën vështrimin edhe përpara. “Ne punojmë edhe më tej në mënyrë intensive për përsosjen e bashkimit tonë ekonomik dhe monetar si dhe për forcimin e mëtejshëm të rolit ndërkombëtar të euros”, tha Junckeri. Dhe Tuski plotësoi: “Përballë ndryshimit të pandërprerë ne do ta zgjerojmë dhe forcojmë më tej bashkimin tonë ekonomik dhe monetar”.

Euro hyri në përdorim në 1 janar 1999 – fillimisht si monedhë e depozitave bankare – në njëmbëdhjetë shtete: krahas Gjermanisë u fut edhe në Francë, në Belgjikë, në Holandë, në Luksemburg, në Austri, në Itali, në Spanjë, në Portugali, në Irlandë dhe në Finlandë. Prej kësaj date, në këto shtete të BE mund të paguhej në euro me çek, me kartë krediti ose kartë EC. Tri vjet më vonë, në 1 janar 2002 pasoi euroja si para në dorë.

Që prej hyrjes së saj në qarkullim, euroja konsiderohet pas dollarit të SHBA – monedha e dytë e rëndësishme në botë. Në ndërkohë 19 shtete që paguajnë me monedhën euro, atë e përdorin rreth 340 milionë qytetarë. Më vonë, me grupin e shteteve të Euros u bashkua edhe Greqia (2001), Sllovenia (2007), Malta dhe Qiproja (2008), Sllovakia (2009), Estonia (2011), Letonia (2014) dhe Lituania (2015). /Dw/Telegrafi/