LAJMI I FUNDIT:

EULEX: S’kemi as mandat as kapacitete për t’i hequr barrikadat, në veri ka grupe të armatosura

EULEX: S’kemi as mandat as kapacitete për t’i hequr barrikadat, në veri ka grupe të armatosura

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka thënë se ata nuk kanë as mandat dhe as aftësi për të hequr fizikisht barrikadat në veri të vendit.

Megjithatë, EULEX-i tha se të gjitha barrikadat janë të paligjshme dhe se ato duhet të hiqen menjëherë, teksa shtuan se situata e sigurisë në veri të Kosovës është shumë shqetësuese dhe e tensionuar.


“Të gjitha barrikadat janë të paligjshme dhe ato pengojnë lirinë e lëvizjes si dhe gëzimin e të drejtave të tjera themelore të njeriut. Ne dëshirojmë të ripërsërisim mesazhin e Përfaqësuesit të Lartë [Josep] Borrell se barrikadat nuk janë të pranueshme dhe duhet të hiqen menjëherë. Megjithatë, siç ka përmendur Shefi i Misionit tonë në një intervistë të fundit, EULEX-i nuk ka as mandat dhe as aftësi për të hequr fizikisht barrikadat”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it, njofton Klan Kosova.

Tutje, ata thanë se në veri të Kosovës ka prani shqetësuese të individëve dhe grupeve të armatosura dhe të maskuara, dhe sipas tyre, kjo është e papranueshme.

EULEX-i si reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë, më tej tha se tani është e rëndësishme që situata të shtensionohet menjëherë dhe palët të përmbahen nga veprimet provokuese.

“Kjo është para së gjithash për të mirën e popullatës lokale, siguria e së cilës është në rrezik për shkak të situatës aktuale. EULEX-i mbetet vigjilent dhe monitoron nga afër të gjitha zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës, si dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë përmes një numri dukshëm të shtuar të patrullave, duke përfshirë patrullimet në këmbë në Mitrovicën Veriore dhe në Zveçan”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.