LAJMI I FUNDIT:

A është e sigurt të merrni ilaçe për tiroiden gjatë shtatzënisë?

A është e sigurt të merrni ilaçe për tiroiden gjatë shtatzënisë?
Dr. Rreze Serhati Morina, endokrinologe

Dr. Rreze Serhati Morina
Endokrinologe
tel. 049667722

Në fakt, është e pasigurt të mos e merrni mjekimin nëse ju është përshkruar


Nëse keni hipotiroidizëm (një tiroide joaktive) ose hipertiroidizëm që është shumë më pak e shprehur (një tiroide tepër aktive), juve do t’ju duhet të merrni ilaçe dhe të monitoroheni nga endokrinologu.

Disa gra mund të kenë sëmundje të tiroides para shtatzënisë, dhe të tjera mund ta zhvillojnë gjatë shtatzënisë.

Barnat për mjekimin e hipotiroidizmit gjatë shtatzënisë

Arsyeja më e zakonshme që gratë shtatzëna marrin ilaçe për tiroiden është trajtimi i hipotiroidizmit – kur gjëndra juaj tiroide nuk prodhon mjaftueshëm hormone tiroide. Levotiroksina është trajtimi standard për hipotiroidizmin. Është një formë sintetike e hormonit tiroid që nuk paraqet rrezik për fëmijën tuaj në zhvillim

Gjatë shtatzënisë, gjëndra tiroide duhet të prodhojë rreth 40% më shumë hormon për ju dhe për beben tuaj në zhvillim. Gratë të cilat ose nuk prodhojnë ose nuk marrin mjaftueshëm hormon tiroid gjatë shtatzënisë, janë në rrezik më të madh të komplikimeve, duke përfshirë abortin, preeklampsinë dhe lindjen e parakohshme.

Rreziqe të tjera janë anemia, dhimbja e muskujve, hemorragjia pas lindjes dhe anomalitë e placentës.

Hipotireoza e patrajtuar në shtatzëni mund të ndikojë tek bebja juaj, pasi hormoni i tiroides luan një rol kritik në zhvillimin e trurit të bebes.

Nëse jeni shtatzënë dhe ju është dhënë levotiroksinë, vazhdoni ta merrni atë. Me shumë mundësi do t’ju duhet të merrni një dozë të shtuar për të kompensuar nevojën shtesë për hormonin e tiroides gjatë shtatzënisë, kështu që njoftoni mjekun sapo ta merrni vesh se jeni shtatzënë, në mënyrë që mjeku të mund të testojë nivelet e hormonit dhe të rregullojë dozën.

Doza e saktë e mjekimit do të bazohet në nivelin e hormonit tuaj stimulues të tiroides (TSH). Qëllimi është që TSH prej më pak se 4,0 mIU/L (ml njësi ndërkombëtare për litër), megjithëse mjeku do të përpiqet ta mbajë TSH nën 2,5 gjatë shtatzënisë dhe ndonjëherë edhe para shtatzënisë për të bërë më të mundur shtatzëninë.

Niveli i TSH është mënyra më e mirë për të treguar nëse po merrni mjaftueshëm hormon tiroid. Matet me një test gjaku. Në shtatzëni, shpesh është e rëndësishme që të testohet edhe tiroksina e lirë, ose “free T4”. Mjeku do t’i ndjekë të dyja këto nivele për t’u siguruar që ato të qëndrojnë brenda kufijve të duhur.

Funksioni i tiroides do të matet të paktën çdo tremujor, megjithëse gjatë gjysmës së parë të shtatzënisë ju mund të testoheni më shpesh derisa do të caktohet doza e saktë e barit dhe të rregullohet funksioni i gjëndrës .

Barnat për mjekimin e hipertiroidizmit gjatë shtatzënisë

Një gjendje më e rrallë që shfaqet në 1-4 në çdo 1000 shtatzëni është hipertiroidizmi.

Shkaku më i zakonshëm i hipertiroidizmit është sëmundja e Graves, një gjendje autoimune në të cilën trupi prodhon një antitrup që bën që tiroidja të lëshojë shumë hormone.

Nivelet lehtësisht të rritura të hormoneve të tiroides janë shpeshherë të sigurta gjatë shtatzënisë. Sidoqoftë, hipertiroidizmi i rëndë dhe i patrajtuar në shtatzëni, mund të shkaktojë probleme të tilla si aborti, lindja e parakohshme, pesha e ulët e lindjes, abrupcioni i placentës, preeklampsia, e ashtuquajtura “stuhia e tiroides” dhe pamjaftueshmëria kongjestive e zemrës.

Dy ilaçe antitiroide – propiltiouracili dhe metimazoli – janë barnat kryesore të trajtimit të sëmundjes së Graves dhe hipertiroidizmit gjatë shtatzënisë. Këto barna punojnë për të reduktuar sasinë e hormonit që lëshon gjëndra tiroide.

Endokrinologu mund të përshkruajë propiltiouracil në fillim të shtatzënisë, kur kryhet pjesa më e madhe e zhvillimit të fetusit, dhe t’ju kalojë në metimazol më vonë gjatë shtatzënisë.

Nëse keni hipertiroidizëm, ju do të duhet të bëni kontroll endokrinologjik, përveç vizitave që i bëni te mjeku juaj obstetër. Ata do të punojnë së bashku për të testuar rregullisht nivelet e funksionit të tiroides gjatë shtatzënisë dhe mund t’ju ndihmojnë të merrni vendimin më të mirë për përdorimin e këtyre medikamenteve.

Kur nevojitet mjekim, endokrinologu do t’ju japë dozën më të vogël efektive për të normalizuar vlerën e hormoneve tiroide. Simptomat e hipertiroidizmit mund të përmirësohen gjatë tremujorit të dytë dhe të tretë të shtatzënisë, kështu që doza e nevojshme mund të zvogëlohet ndërsa shtatzënia juaj përparon.

Disa shtatzënave endokrinologu mund të rekomandojë që t’i heqin të gjitha barnat antitiroide përpara lindjes.

Në raste të rralla, antitrupat që shkaktojnë sëmundjen e Graves mund të kalojnë placentën dhe të prekin beben tuaj. Këto antitrupa mund të bëjnë që tiroidja e bebes të prodhojë shumë hormone tiroide.

Gratë që janë trajtuar me sukses për sëmundjen e Graves mund ta kenë ende këtë antitrup dhe kërkojnë monitorim të veçantë gjatë shtatzënisë, prandaj sigurohuni që t’i tregoni mjekut nëse keni ndonjë histori të sëmundjes së Graves ose hipertiroidizmit.

Pas lindjes organizmi juaj ndryshon, prandaj endokrinologu do të vazhdojë t’ju monitorojë për t’u siguruar që mjekimi juaj është i saktë.

Nuk është e pazakontë që sëmundja e Graves të shfaqet në periudhën pas lindjes.

Medikamentet antitiroide konsiderohen të sigurta për t’u marrë në doza të ulëta gjatë ushqyerjes me gji.

Është jashtëzakonisht e rrallë, por pediatri do të monitorojë gjithashtu të porsalindurin tuaj për probleme me tiroiden të cilat mund të jenë të pranishme në lindje.

Ekzaminimi i të porsalindurve për hipotiroidizëm duhet të jetë standard për të gjitha foshnjat, por foshnjat e lindura nga nëna me sëmundjen e Graves do të kenë nevojë për testime shtesë. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori