ESHS: Çdo i pesti qytetar i Maqedonisë është i varfër

Çdo i pesti qytetar i Maqedonisë jeton nën pragun e varfërisë, tregojnë të dhënat përfundimtare të Entit Shtetëror të Statistikës, sipas të cilave shkalla e varfërisë në vitin 2024 ka qenë 21,9 për qind. Kjo do të thotë se më shumë se një e pesta e popullsisë jeton me të ardhura nën pragun e përcaktuar të varfërisë. Për një familje njëanëtarëshe, ky prag është 178.286 denarë në vit. Për një familje katëranëtarëshe me dy të rritur dhe dy fëmijë nën 14 vjeç, është 374.400 denarë në vit. Ose këto familje mbijetojnë me 31.200 denarë në muaj. Ekspertët problemin e shohin te fakti se si shoqëri nuk kemi dhe nuk zhvillojmë politika reale sociale.
“Kjo do të thotë se mekanizmat që duhet të funksionojnë në një shtet, në kuptimin që të krijohet një gjendje ku ata që janë të varfër jo me fajin e tyre – e theksoj, jo me fajin e tyre – do të thotë se shteti duhet t’u mundësojë atyre, ta sigurojë atë që do ta quaja mbijetesë elementare në kuptimin material”, tha Ilija Acevski, sociolog.
Të dhënat e Statistikës tregojnë se më kritike është gjendja te familjet me shumë anëtarë dhe te prindërit e vetëm. Te familjet me dy të rritur dhe tre ose më shumë fëmijë në ngarkim, shkalla e varfërisë është 54,8 për qind, ndërsa te prindërit e vetëm 45,8 për qind. Varfëria godet fort edhe më të rinjtë – te fëmijët deri në 17 vjeç është 29,5 për qind. Ajo që shqetëson më shumë është se pa transferet sociale dhe pensionet, shkalla e varfërisë pothuajse do të dyfishohej, pra do të arrinte në 39,4 për qind.
“Ekonomia gri në një farë mënyre i zbut, do të thosha, ato goditje që mund të pasojnë, pra e zbut atë gjendje dhe nuk krijon ndonjë parakusht për trazira sociale, protesta, që të kërkohen këta njerëz. Përndryshe, si do ta shpjegoni nëse këta njerëz vërtet nuk kanë kushte elementare për jetesë, e megjithatë në një farë mënyre as nuk revoltohen, as nuk protestojnë, as nuk kërkojnë diçka më shumë”, deklaroi Acevski.
Statistika tregon se 7,9% e të punësuarve janë të varfër, ndërsa 45,7% e të papunëve. Edhe pse varfëria te të punësuarit në vitin 2024 është paksa në rënie krahasuar me vitin 2023, shqetësuese mbetet se 12 për qind e pensionistëve janë të varfër. Përqindja është rritur krahasuar me vitin 2023, pavarësisht rritjes lineare prej 2.500 denarësh që morën pensionistët.
Të dhënat statistikore për shpërndarjen e pasurisë tregojnë se koeficienti Gini, si masë e pabarazisë, është 29,2 për qind. Ndërsa 20% më të pasurit e qytetarëve kanë të ardhura 5,2 herë më të larta se 20% më të varfrit e popullsisë./TV21/


















































