Shkeljet e fundit të marrëveshjes së paqes së vitit 2020 nga ana e Armenisë, që rezultuan në tensione të reja kufitare me Azerbajxhanin, janë “të papranueshme”, tha sot presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, duke përsëritur mbështetjen e Ankarasë për Azerbajxhanin.

Duke folur në një ngjarje në kryeqytetin Ankara, Erdogan tha se Turqia i sheh tensionet e fundit kufitare si rezultat i shkeljes nga Armenia të marrëveshjes së nëntorit 2020 që i dha fund luftës së Karabakut që rezultoi në fitoren e Azerbajxhanit, duke shtuar se ai i konsideron këto shkelje “të papranueshme”.

Erdogan përsëriti gjithashtu mbështetjen e vendit të tij për Azerbajxhanin, duke thënë se “e gjithë bota duhet ta dijë se ne qëndrojmë pranë vëllezërve tanë azerbajxhanas”, raporton aa.

Reklama
Reklama

Turqia shpreson se Armenia do të tërhiqet nga rruga e gabuar dhe të bëjë përpjekje për paqen, tha ai, duke shtuar se Armenia do të përballet me ‘pasoja’ për ‘qëndrimin e saj agresiv’ dhe shkeljen e marrëveshjes.

Armenia dhe Azerbajxhani kanë pasur marrëdhënie të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Nagorno-Karabakun, i njohur gjithashtu si Malësia e Karabakut, territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit.

Në vitin 2020, Azerbajxhani çliroi disa qytete dhe mbi 300 vendbanime dhe fshatra që ishin të pushtuara nga Armenia, dhe luftimet përfunduan me një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia. /Telegrafi/