“Era luftë, barut dhe tym” – Duncan tregon detaje nga takimi i qershorit ’99, thotë se fuqinë në UÇK e kishin komandantët e zonave
Në Dhomat e Specializuara në Hagë është duke vazhduar dëshminë dëshmitari i tretë i mbrojtjes, John Duncan, diplomati britanik.
Ai deklaroi se UÇK-në e quanin “ushtria e atyre që nuk kishin asgjë”.
“Ne e quanim ushtria e atyre që nuk kishin asgjë. Ky është termi që kam përdorur atë kohë dhe kur kam shkuar në terren, kam parë njerëz që kishin një jetë normale, ata ishin civilë, doktorë, avokatë, njerëz të ndryshëm që kishin lënë punën dhe kishin marrë armët”, tha ai.
Një problem tjetër i madh sipas Duncan ishte udhëheqja e UÇK-së, siç përfaqësohej nga Hashim Thaçi, e cila mund të mos kishte ndikim për të bindur ushtarët lidhur me Marrëveshjen e demilitarizimit.
“Një problem tjetër i madh ishte që udhëheqja — po zgjedh fjalët me kujdes — siç personifikohej nga Hashim Thaçi, mund të mos ishte në gjendje të bindte ushtarët e UÇK-së, dhe ne nuk ishim të bindur që kjo do të ndodhte. Po të kishim qenë të bindur, do të kishim kontaktuar udhëheqjen politike për të negociuar marrëveshjen e çarmatosjes,” tha ai.
Duncan gjithashtu theksoi se nuk besonin se Thaçi do të kishte ndikim te ushtarët.
“Nuk kishim besim që z. Thaçi do të ishte në gjendje të bindte ushtarakët apo ushtarët,” tha ai.
Ai e përshkroi rolin politik të Thaçit si të paqëndrueshëm dhe jo real.
Diplomati britanik theksoi se problem tjetër ishte edhe mungesa e një hierarkie udhëheqëse në UÇK, pasi pushtetet dhe organizimi ndryshonin në zona të ndryshme.
Ai theksoi se nuk mjaftonte të negocioje vetëm me figura si Hashim Thaçi apo Agim Çeku, pasi për të zgjidhur çështjet duheshin përfshirë komandantët e zonave, të cilët mbanin fuqinë reale brenda strukturës së UÇK-së.
John Duncan tha se këtë e kishte kuptuar edhe nga takimi me gjeneralin Agim Çeku në qershor të vitit 1999 në Tiranë. Çeku i kishte shpjeguar se pa praninë e komandantëve rajonalë, nuk mund të arrihej asnjë marrëveshje, pasi Thaçi nuk ishte gjithmonë në gjendje t’i bindte ata.
Duncan foli edhe për takimin e 17 qershorit 1999 në Kosovë, një takim ku morën pjesë figura të ndryshme si gjeneral Çeku, Jon Rith, komandantët e zonave, Ramush Haradinaj dhe të tjerë, duke përfshirë edhe Remi-n dhe një person tjetër që Duncan nuk e mbante mend emrin.
Ai përshkruan se komandantët e zonave ishin të veshur me uniforma ushtarake dhe atmosfera e takimit ishte e ngarkuar me ndjenjën e luftës, me erë baruti dhe tymi që mbizotëronte.
“Mund ta shihni se ishin me veshje ushtarake. Vinte era luftë, era barut, tym. Është një nga gjërat që më ka lënë mbresa. Ishe moment mbresëlënës”, tha ai.
Ai u pyet nëse e dinte sesi erdhën komandantët e zonave në atë takim, dhe përgjigja ishte “jo”.
Pikat kryesore të këtij takimi, sipas tij, përfshinin diskutime të hollësishme mbi situatën ushtarake dhe politike.
Nga këndvështrimi ushtarak, Duncan tha takimi ishte shumë frytdhënës dhe ndihmoi në organizimin e mëtejshëm. Por nga aspekti politik, ishte e vështirë për të bindur palët të pranohen zyrtarisht, sidomos për njohjen e qeverisë së përkohshme, që po përpiqeshin ta impononin disa përfaqësues.
Duncan u shpreh se takimi pati një sukses të pjesshëm dhe teksti i marrëveshjes mbeti në formën që ai e kishte hartuar. /Telegrafi/































