Nga: Jonathan Margolis / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com

Nuk ka gjë më bezdisëse sesa të detyrohesh të paguash për diçka që dikur ishte falas.


Përdoruesit e Snapchat-it janë të irrituar nga lajmi se së shpejti do të duhet të paguajnë për të ruajtur videot dhe fotot e tyre të vjetra - nëse ato kalojnë kufirin prej 5GB. Snapchat-i deklaroi se veçoria e tij, “Memories”, tashmë ka të ruajtura një trilion materiale gjë që nuk është aspak e lirë për t’u mbajtur të sigurta. Por, kompania po akuzohet gjerësisht për lakminë e korporatave.

Pakënaqësia e përdoruesve ka qindra shembuj që nga koha e Romës së Lashtë e deri më sot. Në Romë, uji, banjat publike dhe madje edhe gruri ishin falas. Sa herë që përhapej fjala se do të vendosej një tarifë ekonomike për këto shërbime bazike - sidomos për grurin falas - shpërthenin trazirat.

Kur në Anglinë Viktoriane tualetet me pagesë u prezantuan në Ekspozitën e Madhe të vitit 1851 - për një qindarkë merrje një tualet të pastër, një peshqir dhe lustrim këpucësh - pati zemërim të madh për këtë risi. Një qindarkë përbënte koston e ushqimit për një ditë për të varfrit.

Në kohën tonë, interneti nisi si shërbim plotësisht falas - dhe një pjesë e madhe e tij vazhdon të jetë i tillë. Deri në vitin 2008, ideja e “ekonomisë falas” po shihej nga disa si e ardhmja.

Megjithatë, në të njëjtën kohë zëra të tjerë me ndikim - ndër ta edhe gurutë e teknologjisë Malcolm Gladwell dhe Clay Shirky, si edhe autorët kryesorë në Financial Times dhe The Wall Street Journal - argumentuan se “falas” nuk është parim i qëndrueshëm ekonomik dhe se bizneset, në fund, do të duhej të paguheshin.

Shirky e donte modelin falas, por pranoi se ai mund të zgjaste vetëm deri kur “mbaron subvencioni” - që do të thotë reklamat, kapitali investues, ose thjesht durimi i investitorëve. Mund ta krahasosh këtë me ditën kur prindërit sugjerojnë se mbase duhet të kontribuosh me pak qira për të jetuar në shtëpinë e tyre - tani që nuk je më student i varfër, por ke një punë.

Sigurisht, një mënyrë për të fituar para nga shërbimet në internet është dinakëria. Kur sheh gamën e gjërave që Google na ofron - në dukje falas - nga kërkimi te hartat, përkthimi, emaili e deri te inteligjenca artificiale, kjo duket një gjë e mrekullueshme.

Por, nuk është. Siç kanë thënë analistët e zgjuar të teknologjisë - në forma të ndryshme që nga viti 1999: nëse nuk paguan për diçka, ti nuk je klienti - ti je produkti që po shitet. Me fjalë të tjera, për të marrë të dhënat tua, detajet, vendndodhjen dhe preferencat e tua si konsumator, ia vlen të të ofrojnë disa shërbime falas.

Në teknologji tashmë kemi parë një mori gjërash falas që janë bërë me pagesë, nga lajmet te argëtimi e deri te transmetimet sportive. Na pyesin çdo ditë nëse duam të paguajmë për të hequr reklamat bezdisëse, dhe nëse nuk je i kujdesshëm - ose i gatshëm të shtrëngosh dhëmbët për të parë të njëjtën reklamë të padurueshme disa herë çdo natë - do ta gjesh veten duke paguar një shumë të madhe çdo muaj në abonimet e frikshme.

Snapchat-i e publikoi një shpjegim mjaft të habitshëm për vendimin e saj për të vendosur pagesë për ruajtjen e të dhënave. “Këto ndryshime do të na lejojnë të vazhdojmë të investojmë në përmirësimin e Memories për të gjithë komunitetin tonë”, thuhej në një postim në blog.

Ndoshta do të ishte më e zgjuar të përdorte një frazë në stilin e Greta Thunbergut dhe të publikonte disa detaje për koston mjedisore të mbajtjes së gjithë këtij materiali në serverë - gjë që nuk është e vogël, sidomos nëse përdoruesit rrallë i hapin klipet e tyre të vjetra.

Kur mendon jo vetëm për aspektet shqetësuese të privatësisë, në mënyrën se si është zhvilluar bota në internet, por edhe për vërshimin e mbeturinave dhe dezinformimit, nuk është e vështirë të imagjinohet se do të hapet një internet krejtësisht privat, më i zgjedhur dhe jo i korruptuar - pak a shumë si segmenti privat dhe i shtruar mirë i autostradës M6 që u lejon atyre që paguajnë tarifën të shmangin trafikun rreth Birmingemit.

Tashmë ekziston të paktën një motor i garantuar privat kërkimi dhe një shfletues i “pastër”, me pagesë, ndërsa nuk është aspak e paimagjinueshme që, ashtu si një sistem shëndetësor privat, krahas NHS-së, kjo lloj gjëje të bëhet shpejt më e zakonshme.

Motori i kërkimit quhet Kagi, shfletuesi i tij partner, Orion, dhe ato kushtojnë 10 dollarë [8.54 euro] në muaj, duke premtuar mungesë ndjekjeje [tracking] dhe mos shitje të të dhënave. Themeluesi, një inxhinier serb me bazë në Kaliforni, Vladimir Prelovac, beson se Google është “një fyerje për inteligjencën e njerëzve”. “Kemi qenë të pavetëdijshëm për dy dekada që Google nuk është optimizuar për ne si konsumatorë, por për reklamuesit”, thotë ai.

Kagi është ende shumë i vogël - rreth 50 mijë përdorues deri tani - por, është fitimprurës dhe shumë i pëlqyeshëm. Madje, disa e kanë shpallur si kërkuesin më të mirë që mund të marrësh.

Në përdorimin e parë, nuk është e lehtë të kuptosh pse Kagi është vlerësuar nga disa si kërkuesi më i mirë në dispozicion. Ka pak veçori, por kur e përdor, shumë shpejt fillon të mbështetesh te rezultatet e thjeshta, të ndershme dhe me integritet më të lartë që merr.

Snapchat-i mund të jetë aplikacioni i parë i këtij lloji që thyen modelin dhe bën atë që një biznes duhet, në fund të fundit, të bëjë. Por, do të ketë të tjerë që do ta ndjekin. /Telegrafi/