LAJMI I FUNDIT:

Enver Hoxha, “Skënderbeu” që nuk e ushqente popullin e vet

Enver Hoxha, “Skënderbeu” që nuk e ushqente popullin e vet
Undated picture showig Albanain head of State Enver Hoxha during a political meeting. (Photo by - / AFP) (Photo credit should read -/AFP via Getty Images)

Paul Lendvai si fëmijë e kishte parë mbretin Zog me mbretëreshën Geraldinë, në Budapest. Që prej asaj kohe, në mendjen e tij ishte krijuar një imazh i vagullt mbi Shqipërinë. Qëkur ishte fëmijë ishte kurioz për Shqipërinë ndaj, si i rritur dhe si profesor, gjeti një mënyrë për të shkuar në vendin e izoluar nga bota.

Në Tiranën e vitit 1984, nga Austria vjen Lendvai. Me premtimin se do të bënte një dokumentar ku do ta krahasonte Enver Hoxhën me Skënderbeun, atij i jepet leja që të xhirojë kudo në Shqipëri, për 21 ditë.

“Lendvai iu kishte thënë autoriteteve që do ta bënte një film që do të çmendte serbët. Ata i dhanë leje dhe ai ishte shumë më i lirë se gazetarët e tjerë për të xhiruar”, thotë përkthyesi Sokol Mici.

Por, Lendvai udhëtoi kudo në Shqipëri për të treguar radhën e qytetarëve për të blerë ushqime, dyqanin e mishit të mbyllur, vendin e mbushur me statuja të Leninit, Stalinit e Enver Hoxhës, duke denoncuar hapur propagandën dhe ngritjen e Hoxhës në pushtet.

“Kur përktheva filmin për udhëheqjen dhe panë që filmi nuk ishte ashtu siç Lendvai e kishte premtuar, u zunë. Debati u bë kush ia kishte dhënë lejen e lirinë atij për të parë e xhiruar kaq shumë”, thotë Mici. “Për të gjitha vizitat e kësaj natyre kishte një program që ndiqej. Lendvai nuk e ndoqi. Një rast e kishim lënë që të xhirohej një dyqan mishi. Ai shkoi te dyqani i mishit pa shoqërues dhe pa që shitësja nuk e kishte nisur shitjen pa shkuar grupi i xhirimit. Njerëzit ishin në radhë e po ankoheshin. Kuptoi çdo gjë: shteti nuk arrinte të furnizonte me ushqim qytetarët e vet, se socializmi kishte dështuar”.

Filmi i Paul Lendvai hedh dritë mbi qasjen që shteti komunist kishte me të huajt dhe propagandën me të cilën ushqente qytetarët e vet, në mungesë të mallrave ushqimore, duke bërë thirrje për ndërgjegjësim mbi aftësitë e pushtetit për të manipuluar në çdo kohë.