Burimi: The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Vrasja e Hassan Nasrallahut ndodhi vetëm pak ditë para përvjetorit të parë të sulmeve të Hamasit në Izrael, më 7 tetor. Duke prerë kokën e Hizbollahut në Liban, qeveria izraelite shpreson se më në fund do të ketë avantazhin në betejën me armiqtë e saj rajonalë.
ShBA-ja po i kërkon Izraelit të mos e përshkallëzojë më tej konfliktin, por Izraeli ka të ngjarë që momentin aktual ta perceptojë si një mundësi shumë të mirë, të cilën nuk duhet ta humbasë. Shumëkush tani është i prirur të shfrytëzojë këtë avantazh, me shpresën për të dhënë goditjen vendimtare jo vetëm kundër Hizbollahut, por edhe kundër Iranit – dhe “boshtit të rezistencës” që ai drejton dhe që përfshin Hamasin, Hizbollahun, milicitë në Irak dhe Siri, si dhe lëvizjen Huti në Jemen.
Pas vrasjes së Nasrallahut, Benjamin Netanyahu, kryeministri i Izraelit, foli për një mundësi për “ndryshimin e ekuilibrit të fuqisë në rajon, për vite me radhë”. Nëse Izraeli mund të dëmtojë rëndë “boshtin e rezistencës”, arritja e tij do të mirëpritet në heshtje nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat gjithashtu kanë frikë nga Irani dhe kanë luftuar kundër lëvizjes Huti.
Ndryshe nga qeveria izraelite, sauditët vazhdojnë të këmbëngulin se krijimi i shtetit palestinez është kritik për arritjen e paqes së qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Qeveria saudite gjithashtu ka arsye të forta për të pasur frikë nga përshkallëzimi i armiqësive rajonale, të cilat mund të kërcënojnë planet e tyre ambicioze të zhvillimit.
Për Izraelin, ndryshimi i ekuilibrit të fuqisë përfshin gjithashtu përmbysjen e narrativës kombëtare të humbjes dhe konfuzionit që filloi pas 7 tetorit. Sulmi i Hamasit ishte poshtërues për shërbimet e inteligjencës izraelite. Reputacioni i vendit për të qenë gjithmonë një hap përpara armiqve të tij ishte pjesë kyçe e strategjisë së tij parandaluese. Ky reputacion u humb në një ditë të vetme vitin e kaluar, kur Izraeli u mashtrua plotësisht nga Hamasi.
Lufta e mëvonshme në Gazë ka dështuar të rivendosë krenarinë apo sigurinë e Izraelit. Pavarësisht operacionit që ka shkaktuar vdekje masive civile, Izraeli nuk ka qenë në gjendje të lirojë të gjithë pengjet e tij. Ai ka humbur gjithashtu betejën për opinionin publik ndërkombëtar dhe është akuzuar për gjenocid në seancat dëgjimore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Seria e sulmeve ndaj Hizbollahut – duke filluar me shpërthyesit e pajxherëve, të cilët vranë ose gjymtuan shumë nga ushtarët e këmbësorisë së organizatës – ka rritur reputacionin e inteligjencës izraelite dhe moralin e publikut izraelit. Fakti që Hizbollahu është i urryer nga shumë qytetarë libanezë dhe disa në botën më të gjerë arabe, e ndërlikon gjithashtu dënimin e zakonshëm të Izraelit.
Shkatërrimi i Hizbollahut e vendos qeverinë e Iranit në situatën më të rrezikshme ndërkombëtare, me të cilën është përballur për dekada. Prania e një force të fuqishme militante të mbështetur nga Irani, me një arsenal të madh raketash – pikërisht në kufirin verior të Izraelit – konsiderohej gjithmonë si çelësi i fuqisë parandaluese të Iranit kundër Izraelit. Teoria ishte që izraelitët do të shmangnin një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Iranit – pjesërisht nga frika se Teherani do të yshtte Hizbollahun.
Tani, me dorën e zgjatur dhe aleatin e tij që po merr tatëpjetën, Irani është përballur me një dilemë. Nuk i ka shkuar drejtpërdrejt në ndihmë Hamasit. Nëse qëndron mënjanë ndërsa Hizbollahu goditet, aleatët e tij do të ndihen të tradhtuar dhe Izraeli mund të inkurajohet të ndërmarrë veprime edhe më radikale – ndoshta duke përfshirë sulme të drejtpërdrejta ndaj objekteve bërthamore të Iranit, me të cilat ka kërcënuar për dekada.
Nga ana tjetër, nëse Irani përfshihet drejtpërdrejt në një luftë me Izraelin, mbijetesa e regjimit do të vihej në rrezik – veçanërisht pasi ShBA-ja mund të përfshihet në konflikt. Amerikanët janë zotuar se nuk do të hyjnë në luftëra të mëtejshme në Lindjen e Mesme, të paktën në teori. Por, ata janë gjithashtu të vendosur fuqimisht për mbrojtjen e Izraelit dhe kanë treguar se janë të aftë të sjellin ndryshimin e regjimit në Lindjen e Mesme. Pasojat e përgjakshme dhe kaotike të luftës së udhëhequr nga ShBA-ja në Irak, mbeten një kujtim i freskët dhe i dhimbshëm në Uashington. Megjithatë, fakti që dihet se Irani është shumë afër kapacitetit për të ndërtuar një armë bërthamore, rrit tundimin e Izraelit për të goditur që tani.
Disa mbështetës të ngazëllyer të Izraelit po e krahasojnë momentin aktual me Luftën Gjashtë Ditore të vitit 1967 – një fitore e befasishme dhe e papritur e Izraelit, që ndryshoi ekuilibrin e fuqisë në Lindjen e Mesme.
Por, ndërkohë që ekzistojnë qartë mundësitë për Izraelin në situatën aktuale, ka edhe rreziqe të mëdha. Hizbollahu po lëkundet, por mund të jetë ende në gjendje të përdorë atë që ka mbetur nga arsenali i tij i raketave dhe të përsërisë goditjet ndaj qyteteve kryesore të Izraelit. Nëse Izraeli i zbaton kërcënimet e tij për një pushtim tokësor të Libanit, mund ta gjejë veten në një konflikt të pazgjidhshëm, që zgjat me vite – në një kohë kur forcat e tij tashmë janë në luftë në Gazë.
Në planin afatgjatë, vdekja dhe shkatërrimi në Liban, të shkaktuara nga sulmet ajrore izraelite, ka të ngjarë të krijojnë një brez të ri luftëtarësh të Hizbollahut. Rreth 60 për qind e luftëtarëve të Hamasit mendohet se janë jetimë nga konfliktet e mëparshme.
Hizbollahu dhe Hamasi janë dëmtuar rëndë. Por, Izraeli ende nuk është përgjigjur se si do të qeveriset Gaza pas përfundimit të luftës. Qeveria e dobët dhe e përkohshme e Libanit mund të jetë e paaftë për të plotësuar vakumin e lënë nga Hizbollahu, në të cilin rast Izraeli mund të përballet me një shtet të dështuar në kufijtë e tij.
Netanyahu mund të ëndërrojë të sjellë një rend të ri rajonal në Lindjen e Mesme. Por, kaosi rajonal – me të gjitha rreziqet që sjell – duket si rezultati më i mundshëm. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Vdekja e Agon Zejnullahut, pesë policët e dyshuar për përfshirje arrijnë në Gjykatën Themelore në Lipjan

NATO ngrit në ajër aeroplanët luftarakë pas sulmeve intensive ruse në Ukrainë

Trump tha se kërcënoi të bombardonte Moskën nëse Putin sulmonte Ukrainën, tregojnë kasetat e mbledhjes së fondeve të vitit 2024

Zbulohet arsyeja e sëmurjes së Mbappes dhe humbja e gjashtë kilogramëve

Paguan qeveria shqiptare, mund të riparoni falas çatinë ose të vishni muret e shtëpisë

Luis Diaz pranon transferimin te gjiganti evropian

Shitet shtëpia me sipërfaqe prej 360 m² në lagjen Pejton në Prishtinë

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Partnerë në elegancë: Telegrafi dhe Melodia Px ofrojnë 4 kravata Pierre Cavelli për vetëm 19.95 euro!

Kompletohu dhe shkëlqe në mbrëmjen e maturës me marrëveshjen mes Telegrafit dhe Melodia PX!

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?
Më të lexuarat

Pas aktgjykimit të Kushtetueses, reagon Vetëvendosje

Trump po planifikon marrëveshje 30 miliardë dollarëshe për një program bërthamor me Iranin?

Viktimë e shantazhit seksual online, rrëfimi i 48-vjeçarit: Më kërkuan para për të mos publikuar video intime

A ju kujtohet 'stadiumi fantazmë' që kishte filluar të ndërtohej para 15 vitesh? Shikoni çfarë po i ndodh sot

Stuhi të fuqishme me breshër godasin Tirolin e Austrisë, raportohet për dëme të shumta materiale

Ky është interpretimi i Kushtetueses për votim të hapur apo të fshehtë