LAJMI I FUNDIT:

“Zhdukja” e flamurit shqiptar, në Kosovën e vitit 1945

“Zhdukja” e flamurit shqiptar, në Kosovën e vitit 1945
Ilustrim

Në raportin e Arif Haskos, të datës 13 mars 1945 dërguar Komitetit Qendror të Shqipërisë, flitet sesi partizanët shqiptarë të brigadës 18 nuk ishin sqaruar si duhet për çështjen e Kosovës. Duket se ata nuk ishin dakord për lëshimin e territoreve Jugosllavisë. Aq më tepër kur kanë vënë re se kudo është zhdukur flamuri shqiptar. Ky detaj reflekton në raportin e Haskos, i cili shkruan tekstualisht:

“Në përgjithësi, parullat e reaksionit kanë filluar që të demaskohen nga partizanët, vetëm në brigadën 18 është akoma e errët çështja e Kosovës, e cila përforcohet me rastin e heqjes së flamurit shqiptar”.


Kësaj çështjeje ai i rikthehet sërish kur raporton për gjendjen e “reaksionit në Mirditë dhe Mat”, ku çështja e Kosovës dhe e flamurit shqiptar është bërë shkas për përforcimin e reagimit kundër komunistëve.

“Parullat e reaksionit janë rrënjosur thellë në popullin e Mirditës dhe të Matit, megjithë që bëhet ç’është e mundur për sqarime të tilla: shenja përmirësimi akoma nuk duken, operacioni ka bërë ç’armatimin e popullit dhe zhdukjen e një pjese të reaksionarëve, por jo shkëputjen e popullit nga ata. Kjo vërtetohet se reaksionarët akoma gjejnë strehë në popullin e Mirditës dhe të Matit. Populli dyshon se me ardhjen e verës, englezët do të zbarkojnë dhe reaksionarët do të bashkohen me ta. Nuk shikojnë me sy të mirë gjendjen e Kosovës dhe sidomos me heqjen e flamurit dhe aq më tepër në konferenca që bëhen në Prizeren nuk zihet n’goja emri i Komandantit tonë shokut Enver Hoxha”.

Kujto.al sjell të plotë dokumentin që ruhet në Arkivin e Shtetit, në fondin 14, dosja 18.