LAJMI I FUNDIT:

Eleni Laperi: “Onufrin” e mbylli Ministria

Eleni Laperi: “Onufrin” e mbylli Ministria

Mbyllja e konkursit “Onufri” që mbahej prej 20 vitesh në Galerinë Kombëtare të Arteve, u njoftua zyrtarisht vetëm drekën e 24 dhjetorit, kohë kur ekspozita duhej të ishte në një nga sallat e GKAsë.

Prej një muaji, debati për të në rrethet artistike kishte nisur, por kishte rënë në veshin e shurdhër të Ministrisë së Kulturës dhe Galerisë Kombëtare të Arteve. Ndërsa, artistët kundërshtonin mbylljen e tij, institucionet zyrtare heshtnin.


Njoftimi i shpërndarë mediave më 24 dhjetor, shprehej se vendimi ishte marrë në mesin e nëntorit nga mbledhja e bordit të GKA-së. Megjithëkëtë, rregullorja e “Onufrit”, që ende gjendet në faqen zyrtare të Galerisë, parashikon që për konkursin puna nis në prill, kur hapet thirrja për kurator i cili pasi zgjidhet përcakton konceptin e tij, temën dhe nis përzgjedhjen e artistëve. Paçka se njoftimi shkruan se vendimi u mor nga bordi në nëntor, de facto “Onufri” është mbyllur që në prill – dhe nëse në këtë vendim është i përfshirë bordi, është e paqartë.

Eleni Laperi, studiuese e artit pamor, ish-punonjëse e GKA-së dhe kryetare e Bordit aktual, në një intervistë për Gazetën Shqiptare thotë se mbyllja e konkursit u vendos nga Ministria e Kulturës.