Inteligjenca Artificiale (IA) paraqet një mundësi historike për modernizimin e administratës publike në Kosovë, duke krijuar procese më efikase, shërbime më cilësore dhe vendimmarrje më të shpejtë në institucionet shtetërore.

Kështu vlerëson eksperti i teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale, Korab Zhuja, i cili njëherësh është konsulent me përvojë shumëvjeçare në projekte të transformimit digjital dhe reformave në sektorin publik.


Sipas tij, transformimi digjital nuk nënkupton vetëm zëvendësimin e dokumenteve fizike me ato elektronike, por një ndryshim të mënyrës së funksionimit të administratës publike.

Zhuja vlerëson se themelimi i Ministrisë së Digjitalizimit dhe puna që po zhvillohet për ndërtimin e kapaciteteve të saj përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një administrate moderne dhe të orientuar ndaj qytetarëve.

"Inteligjenca Artificiale nuk duhet parë si një teknologji që zëvendëson ekspertët dhe nëpunësit publikë, por si një asistent inteligjent që ndihmon profesionistët të marrin vendime më të mira, të analizojnë më shumë informacion në më pak kohë dhe të automatizojnë proceset rutinë", thekson Zhuja.

Ai bën të ditur se gjatë diskutimeve me ekipe profesionale në institucione publike janë trajtuar një sërë idesh për përdorimin praktik të Inteligjencës Artificiale në administratë.

Ndër shembujt që ai përmend janë analiza automatike e hartave të krijuara nga dronët për identifikimin e mospërputhjeve në sistemin e tatimit në pronë, harmonizimi i legjislacionit dhe listave të kontrollit të inspektorateve, automatizimi i përshtatjes së përmbajtjes së RTK-së për platformat sociale, si dhe analizimi inteligjent i Regjistrit Social për të ndihmuar institucionet në identifikimin e masave që mund të kontribuojnë në uljen e varfërisë.

Megjithatë, Zhuja thekson se këto janë vetëm disa ilustrime të potencialit që ofron Inteligjenca Artificiale.

"Mundësitë janë shumë më të mëdha dhe shtrihen pothuajse në çdo institucion dhe çdo procedurë administrative. Çdo ministri, agjenci, komunë apo ndërmarrje publike mund të identifikojë procese që sot kryhen në mënyrë manuale dhe të shqyrtojë mënyrat se si ato mund të përmirësohen me ndihmën e IA-së", shprehet ai.

Sipas tij, sfida kryesore nuk lidhet vetëm me zhvillimin teknologjik, por edhe me ndryshimin e kulturës organizative dhe mënyrës së të menduarit në administratë.

"Punonjësit e sektorit publik duhet të inkurajohen të bëjnë pyetje të reja: A mund të automatizohet ky proces? A mund të analizohen këto të dhëna më shpejt? A mund të ofrohet ky shërbim me më pak hapa administrative? Pikërisht nga këto pyetje lindin inovacionet që transformojnë administratën", thekson Zhuja.

Ai shton se përdorimi i Inteligjencës Artificiale duhet të ketë një objektiv të qartë: përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike, përshpejtimin e procedurave administrative, uljen e barrës burokratike, rritjen e transparencës institucionale dhe përdorimin më efikas të burimeve publike.

Në fund, Zhuja shpreh bindjen se integrimi i Inteligjencës Artificiale si kapacitet strategjik në institucionet e Kosovës mund të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e besimit të qytetarëve ndaj administratës publike.

"Nëse Kosova arrin ta ndërtojë këtë kulturë të inovacionit, Inteligjenca Artificiale nuk do të jetë vetëm një teknologji e re, por një motor i rëndësishëm i reformës administrative dhe i zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit publik", përfundon ai.