LAJMI I FUNDIT:

Intervistë me David Phillips: Nëse Vuçiq nuk e nënshkruan marrëveshjen e Ohrit, mund të mos e zbatojë në të ardhmen

Intervistë me David Phillips: Nëse Vuçiq nuk e nënshkruan marrëveshjen e Ohrit, mund të mos e zbatojë në të ardhmen
David Phillips është Drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave të Njeriut në Universitetin Kolumbia

Eksperti amerikan i politikës së Jashtme, David Phillips –  marrëveshjen verbale të Ohrit e ka quajtur si të mirë, por ka hedhur dyshime nëse Serbia do t’i përmbahet në të ardhmen.

Në një intervistë për Telegrafin, Phillips tha se njohja reciproke është në thelb të çdo marrëveshjeje për të arritur progres të qëndrueshëm në marrëdhëniet Kosovë-Serbi.


Ai theksoi se SHBA-ja dhe BE-ja kanë bërë përpjekje të mëdha, por hezitimi i Serbisë për të mbështetur në mënyrë eksplicite njohjen reciproke, ngre pikëpyetje për të gjithë procesin diplomatik.

Duke folur për Asociacionin, Phillips tha se çfarëdo pushteti që i jepet AKS-së duhet të shtrihet edhe në komunitetet etnike shqiptare në Luginën e Preshevës.

Sa i përket nenit 7, paragrafi i dytë, të Propozimit Evropian, eksperti amerikan ka thënë se dhënia e statusit special të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë përbën një precedent akomodues të rrezikshëm, veçanërisht duke pasur parasysh debatin e nxehtë mbi Asociacionin.

Phillips foli edhe për rrezikun e destabilizimit të Ballkanit nga Rusia përmes Serbisë.

“Rusia po vepron përmes përfaqësuesit të saj, Qeverisë në Beograd, për të zgjeruar praninë ushtarake dhe për të destabilizuar rajonin. Rusia është një aktor i keq i kryesuar nga një regjim kriminal. Mbështetja e saj për Beogradin është më shumë e frymëzuar nga anti-amerikanizmi sesa nga mbështetja për Serbinë. Rusia është e aftë për çdo aktivitet të poshtër. Një operacion “False flag” mund të organizohet për të ndezur dhunën dhe për të minuar përparimin”, u shpreh ai.

Sipas tij, mbështetja e saj për Beogradin është më shumë e frymëzuar nga anti-amerikanizmi sesa nga mbështetja për Serbinë. Rusia është e aftë për çdo aktivitet të poshtër.

Telegrafi: Kosova dhe Serbia me 18 mars kanë arritur një marrëveshje verbale në Ohër. Si e shihni këtë proces?

David Phillips: Një marrëveshje verbale është më mirë se asgjë. Por nëse Serbia është e përkushtuar për një marrëveshje, atëherë pse të mos ta nënshkruajë dokumentin për të dëshmuar angazhimin e saj. Mendoj se Beogradi mund të tërhiqet në të ardhmen. Shprehjet e të menduarit të dëshiruar nuk përbëjnë një marrëveshje detyruese ndërmjet palëve.

Telegrafi: Në nenet  4-5 të marrëveshjes, parashihet që palët të kenë misione të përhershme diplomatike, të mos e pengojnë rrugën e njëra-tjetrës drejt BE-së. Por në këmbim të kësaj, Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë do ta ketë statusin e saj të formalizuar. Si e shihni këtë, mendoni se mund të ketë pengesa në këtë proces?

David Phillips: Krijimi i Misioneve të Përhershme Diplomatike dhe vendimi për të hequr dorë nga pengesat ndaj anëtarësimit në BE janë hapa pozitivë. Kosova tashmë ka mbrojtje të gjerë të trashëgimisë kulturore të Serbisë në kushtetutën e saj dhe përmes respektimit të parimeve të Ahtisaarit. Dhënia e statusit special të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë përbën një precedent akomodues të rrezikshëm, veçanërisht duke pasur parasysh debatin e nxehtë mbi Asociacionin.

Telegrafi: Në marrëveshje nuk parashihet njohja e Kosovës nga Serbia, a mendoni se SHBA-ja dhe BE-ja kanë dështuar ta bindin Beogradin, duke ditur se në vazhdimësi synimi ka qenë marrëveshje me njohje reciproke?

David Phillips: Njohja reciproke është në thelb të çdo marrëveshjeje për të arritur progres të qëndrueshëm në marrëdhëniet Kosovë-Serbi. SHBA-ja dhe BE-ja kanë bërë përpjekje të mëdha, por hezitimi i Serbisë për të mos e mbështetur në mënyrë eksplicite njohjen reciproke, ngre pikëpyetje për të gjithë procesin diplomatik.

Telegrafi: Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte shprehur gatishmërinë që ta nënshkruaj marrëveshjen, por sipas tij ishte presidenti serb, Vuçiq që kishte hezituar ta nënshkruajë. A mendoni se kjo që po bënë Vuçiqi është një lojë e tij për të përfituar më shumë nga kjo marrëveshje?

David Phillips: Vuçiq e di se ka një kundërshtim të fortë të brendshëm në Serbi për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Nëse Vuçiq është serioz për paqen e qëndrueshme, ai duhet të nënshkruajë marrëveshjen dhe të angazhohet për një proces dhe afat për zbatimin.

Telegrafi: Marrëveshja e shkurtit përkrah edhe krijimin e Asociacionit, pa e përmendur asociacionin me emër –  por krijimi i një niveli të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë. Mendoni se Kurti është duke vepruar drejt, dhe do të arrijë ta bëjë, pasi është prej pikave që Kosovës vazhdimisht po i bëhet presion ndërkombëtar?

David Phillips: Emri i Asociacionit nuk është aq i rëndësishëm sa përcaktimi i kompetencave të tij. Fuqitë ekzekutive mund të duken si një hap drejt fragmentimit. Çfarëdo pushteti që i jepet Asociacionit duhet të shtrihet edhe në komunitetet etnike shqiptare në Preshevë dhe Bujanoviq. Simetria është e rëndësishme. Po kështu është një mekanizëm për monitorimin e zbatimit të kompetencave të Asociacionit në mënyrë që ato të kontribuojnë në stabilitetin afatgjatë dhe integritetin territorial të Kosovës.

Telegrafi: Agresioni rus në njëfarë mënyre po vazhdon edhe përtej Ukrainës, në forma të ndryshme. Sa i prekshëm është Ballkani ndaj destabilizimit?

David Phillips: Rusia po vepron përmes përfaqësuesit të saj, Qeverisë në Beograd, për të zgjeruar praninë ushtarake dhe për të destabilizuar rajonin. Rusia është një aktor i keq i kryesuar nga një regjim kriminal. Mbështetja e saj për Beogradin është më shumë e frymëzuar nga anti-amerikanizmi sesa nga mbështetja për Serbinë. Rusia është e aftë për çdo aktivitet të poshtër. Një operacion “False flag” mund të organizohet për të ndezur dhunën dhe për të minuar përparimin.

Telegrafi: A mendoni se për një stabilitet më të madh në Ballkanin Perëndimor, Kosova duhet sa më shpejt të anëtarësohet në NATO?

David Phillips: Natyrisht, NATO duhet ta mirëpresë anëtarësimin e Kosovës sa më parë. Progresi mund të arrihet duke u mbështetur në pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Partneritetit ose Paqes, pastaj duke zgjeruar kapacitetin e Kosovës në operacionet e stabilitetit pas konfliktit.

Telegrafi: Kosova e Serbia do t’i vazhdojnë bisedimet në kuadër të dialogut me 4 prill në Bruksel. Në takim, mes kryenegociatorëve është  paraparë  të diskutohen hapat e ardhshëm në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve. Mendoni se do të ketë progres që të vazhdohet me hapat e tjerë të dialogut?

David Phillips: Vuçiq duhet të nënshkruajë marrëveshjen më 4 prill. Dështimi për ta nënshkruar atë ngre pyetje të rëndësishme për sinqeritetin dhe zbatimin e ardhshëm të Serbisë.

Shënim: David Phillips është Drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave të Njeriut në Universitetin Kolumbia. Ai shërbeu si Këshilltar i Lartë dhe Ekspert i Punëve të Jashtme në Departamentin e Shtetit të SHBA-së gjatë administratave të Clinton, Bush dhe Obama.

Në trend Lajme

Më shumë
Momenti kur vetura “fluturon” në Veternik dhe përplaset në një pompë derivatesh

Momenti kur vetura “fluturon” në Veternik dhe përplaset në një pompë derivatesh

Kronika e Zezë
Kryesuesja në KS të OKB-së përplaset ashpër me Vuçiqin për minutat e fjalimit

Kryesuesja në KS të OKB-së përplaset ashpër me Vuçiqin për minutat e fjalimit

Lajme
Përplasja e SHBA-së me Rusinë në KS të OKB-së: Nuk mund të ndryshoni historinë e intervenimit të NATO-s në Kosovë

Përplasja e SHBA-së me Rusinë në KS të OKB-së: Nuk mund të ndryshoni historinë e intervenimit të NATO-s në Kosovë

Lajme
Vasfije Krasniqi pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit: Serbia humb çdo betejë kur jemi në kushte të barabarta

Vasfije Krasniqi pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit: Serbia humb çdo betejë kur jemi në kushte të barabarta

Lajme
Katër të mbijetuara të luftës nuk u lejuan të futeshin në sallën e KS të OKB-së, Osmani refuzoi pjesëmarrjen derisa lëshoi pe protokolli

Katër të mbijetuara të luftës nuk u lejuan të futeshin në sallën e KS të OKB-së, Osmani refuzoi pjesëmarrjen derisa lëshoi pe protokolli

Lajme
Momenti kur Osmani i thotë Vuçiqit

Momenti kur Osmani i thotë Vuçiqit "Shikoj në sy dhe kërkoju falje katër viktimave të krimeve serbe"

Lajme
Kalo në kategori