LAJMI I FUNDIT:

Eksperimenti i urryeshëm Milgram: Çmimi fatal i bindjes ndaj autoritetit

Eksperimenti i urryeshëm Milgram: Çmimi fatal i bindjes ndaj autoritetit

Sokol Shameti

Në verën e vitit 1961, në një bodrum të universitetit Yale në Shtetet e Bashkuara, po zhvillohej një eksperiment tronditës. Profesori i këtij universiteti, psikologu Stanley Milgram po synonte të zbulonte se deri në çfarë shkalle mund të arrijë bindja ndaj detyrës të shërbejë si justifikim që një njeri i zakonshëm t’i shkaktojë vuajtje një njeriu tjetër. Ndërkohë që prej tre muajsh ishte duke u zhvilluar gjyqi i famshëm ndaj kreut të Holokaustit, Adolf Eichmann, eksperimenti Milgram vuri njerëz të ndryshëm të “torturojnë” pa pikë mëshire pjesëmarrësit e tjerë në eksperiment me goditje elektrike tensioni të lartë.


Kjo torturë e maskuar si “eksperiment shkencor”, zbatohej nën udhëzimet e një ekipi i cili merrte në këtë rast rolin e “autoritetit” që shtron, jep udhëzime dhe ofron garanci. Eksperimenti në fjalë vërtetoi se bindja ndaj autoritetit është një dukuri më e përhapur nga sa supozohej edhe te njerëzit (e jo vetëm te kafshët).

Bindja në gjuhën shqipe paraqitet me dy koncepte kuptimore. Atë të bashkimit rreth një besimi të patundur dhe atë të dëgjueshmërisë apo më qartë, nënshtrimit. Etimologjikisht, bindja duket sikur ka lidhje me dy fjalë të familjes së vjetër anglo-kelte që vërtiten rreth versioneve të sotme të fjalëve “bind” (të lidhesh) dhe “bend” (të përkulesh).

Në një këndvështrim filozofik, bindja si lidhje dhe bindja si përkulje qëndrojnë pa ndonjë kontradiktë brenda njëra-tjetrës. Përkulja apo nënshtrimi ndaj një autoriteti nënkupton sigurisht edhe lidhje të pazgjidhshme, e po aq edhe varësi të fatit tënd prej vullnetit të autoritetit sundues. Ajo është lidhje, por sigurisht lidhje prej frikës, e ngjashme me Sindromën e Stokholmit.

Në një vështrim psikanalitik, kjo përkatësi etimologjike (“bind” dhe “bend”) duket se ilustron më së miri marrëdhënien e ndërlikuar midis dominancës dhe submisives, e replikuar kjo edhe në një mori praktikash seksuale të klasifikueshme, pothuajse si disiplina sportive apo ushtarake. Jacques Lacan, psikanalist i rëndësishëm frëng, flet ndërkohë për autoritetin simbolik virtual dhe për nevojën e autoritetit simbolik për të qëndruar në nivelin e virtuales. Pra, bindja ka nevojë për një figure simbolike autoritare të cilës ajo duhet t’i kushtohet. Mirëpo, që autoriteti i kësaj figure të funksionojë, ai duhet të mbetet përgjithmonë në kufijtë e virtuales; brenda limitit të së mundshmes, por asnjëherë të realizueshmes.

Me një fjalë, bindja është kapitullim i pandërgjegjshëm, jo thjesht përballë frikës por, mbi të gjitha, përballë mundësisë së saj. Çka do të thotë se kush i nënshtrohet i bindur vullnetit autoritar të dikujt, e bën këtë jo sepse ka pësuar diçka të keqe prej tij, por sepse numëron me mendje tërë të këqijat që mund të pësojë, e kjo e bën subjektin që jo thjesht të jetë i bindur, por të jetë në mënyrë permanente i trembur.

Qysh në agimet e qytetërimit, bindja ka luajtur saktësisht këtë funksion që nënkupton edhe frikën ndaj autoritetit. Homeri përshkruan se si Helena e lajkaton vjehrrin e saj Priam me fjalët: “Të nderoj i dashur vjehërr, e njëkohësisht edhe të trembem”. E po kështu, kur përshkruan përparimin e ushtarëve drejt kasaphanës, sërish Homeri shkruan: “Pa bërë gëk, në frikë të udhëheqësve të tyre”.

Te “Kleomeni”, Plutarku flet edhe për institucionin e bindjes ndaj frikës që ushqejnë në Spartë. Tempuj të Frikës ishin ngritur kudo dhe cilido që hynte atje, detyrohej të rruante mustaqet, si për t’u rikujtuar se përpara autoritetit të frikës të gjithë janë fëmijë. E, ndërsa jemi te fëmijët, bash për faktin se bindja ndaj autoritetit është një shprehi që mësohet e nuk lind me njeriun, a nuk është nevoja e pashmangshme e autoritetit prindëror për konfirmim ajo që kushtëzon sjellje të cilat synojnë të edukojnë bindje te fëmijët? A nuk është stereotipi i fëmijës apo adoleshentit të pabindur një narrativë e kudondodhur urbane nën kërcënim të përhershëm nga një truprojë e vlerave morale të familjes (lexo: autoritetit paternal)?

Bindja pra ka nevojë për masa shtrënguese për t’u përbrendësuar, e këto masa shtrënguese nuk janë gjë tjetër, veçse forma trajnimi apo edukimi.

Kur flasim për edukim të bindjes, kemi parasysh një proces që vetvetiu nënkupton gjithë gamën e mjeteve të specializuara në stërvitjen e shprehive. Stërvitja e bindjes (obedience training) është kryesisht stërvitje për ta mësuar subjektin t’i bindet të zot, por edhe për ta mësuar të zonë e subjektit të ndihet një zot. Në terma të thjeshtuar, stërvitja ndaj bindjes përfshin të mësuarit e zbatimit të urdhrave apo direktivave të dhëna nga drejtuesi.

Që një subjekt të konsiderohet i bindur, duhet që ai t’u përgjigjet me gatishmëri dhe vetëmohim komandave që i jepen nga pronari i vet. Një element bazë i kultivimit të bindjes te subjekti është hyjnizimi i figurës së të zotit. I zoti është perëndia kapricioze e cila ka një karakter të paparashikueshëm të cilin nuk duhet ta kuptosh, sepse fundja, a kuptohet dot Perëndia? Nëse do të arrihej të bëhej një hartë e mendimeve të një subjekti i cili e njeh autoritetin hyjnor të të zotit, mbase mund të rezultonte në diçka të ngjashme me frazën pasive: Zoti e ndihmoftë dhe ia lehtësoftë rrugën bindjes sime!

Një subjekt i bindur është sigurisht sot në një pozitë shumë më të favorshme sociale se subjektet rebele apo ata të pabindurit që vagabondojnë në gjendje të egër. Me kushtin e nënshtrimit, subjekti i stërvitur për t’u bindur përfiton privilegje. Politikisht subjekti i bindur i përket një klase të borgjezisë në antagonizëm me proletariatin e rebelëve dhe egërsirave primitive të cilat madje edhe synohen të shmangen me anë të praktikave të ndryshme të relativizimit, defaktorizimit, përçmimit ose edhe thjesht, asgjësimit. Bindja, pra, të shpërblen. Por jetojmë në ekonomi tregu. Të mos kemi iluzione. Bindja, shpërblehet vërtet. Por vetëm pasi ka shërbyer fillimisht si një çmim i shtrenjtë me anë të të cilit është paguar ky shpërblim.