LAJMI I FUNDIT:

Ekonomia gjermane para një vjeshte të vështirë – mungesë e lëndëve të para dhe ndërprerje e furnizimit

Ekonomia gjermane para një vjeshte të vështirë – mungesë e lëndëve të para dhe ndërprerje e furnizimit

Mungesa e lëndëve të para dhe zinxhirët e ndërprerë të furnizimit po i krijojnë industrisë gjermane gjithnjë e më shumë shqetësime.

Duke u prodhuar më pak, eksportohet më pak, me pasoja negative për ekonominë gjermane.


Ekonomia gjermane bazohet te eksportet dhe Gjermania kryeson në vendet eksportuese. Prandaj njoftimet se pas rënies së porosive dhe të prodhimit në muajin gusht ranë – për herë të parë pas 15 muajsh rritjeje të pandërprerë – edhe eksportet janë shqetësuese.

Eksportet në muajin gusht ishin 1.2 për qind më të ulëta se një muaj më parë, njoftoi Zyra Federale e Statistikave. Kjo është befasi, sepse ekonomistët prisnin një rritje të mëtejshme prej 0.5 për qind.

“Ekonomia gjermane duhet të përgatitet për një vjeshtë të vështirë. Problemet në zinxhirët e furnizimit botëror, kostot e larta logjistike dhe mosmarrëveshjet e pazgjidhura tregtare po shkaktojnë vështirësi ekonomike”, tha drejtori i përgjithshëm i Federatës së Industrive Gjermane (BDI), Joachim Lang.

Mungesa e lëndëve të para ngadalëson eksportin e mallrave. Kësaj i shtohet edhe mbingarkesa në porte dhe mungesa e kapaciteteve për kontejnerë. Nga ana tjetër importet u rritën në muajin gusht me 3.5 për qind, pothuajse dy herë më shpejt nga sa supozohej, duke u rimëkëmbur kështu prej rënies muajin e kaluar.

Por herët a vonë gjërat do të fillojnë të përmirësohen përsëri, mendojnë analistët.

“Ekonomia botërore do të vazhdojë kursin e rimëkëmbjejes dhe industria gjermane e eksportit do të përfitojë nga kjo”, tha shefi i bankës VP-Bank, Thomas Gitzel, duke shpjeguar optimizmin e tij.

Sipas tij edhe pengesat në furnizimet me lëndë të para do të zgjidhen në një moment.

“Nëse supozojmë se gjatë vitit të ardhshëm do të jenë përsëri në dispozicion mjaft lëndë të para dhe prodhime paraprake, industria gjermane e eksporteve pritet të arrijë përsëri kulmin e saj”, shton ai.

Biznesi me vendet e BE-së u rrit me 15.7 për qind duke arritur 55.7 miliardë euro. Eksportet drejt Shteteve të Bashkuara u rritën me 22.4 për qind në 9.4 miliardë euro, ndërsa eksportet për në Kinë u rritën vetëm 4.4 për qind duke arritur në 7.6 miliardë euro.

Shefi i tregtisë së jashtme të DIHK, Volker Treier tha se në Kinë sundon një klimë dukshëm e zymtë ekonomike për shkak të frikës nga kolapsi i kompanisë së pasurive të paluajtshme Evergrande, që ka borxhe prej më shumë se 300 miliardë dollarë. /Deutsche Welle/