LAJMI I FUNDIT:

Ekonomia gjermane e pakënaqur me Marrëveshjen CDU/CSU dhe SPD

Ekonomia gjermane e pakënaqur me Marrëveshjen CDU/CSU dhe SPD

Pa u bërë mirë i njohur lajmi për një koalicion tjetër të madh ekonomia gjermane reagoi e pakënaqur.

“Me gjysmë zemre, pa dëshirë, pa frymëzim”. Shoqata gjermane e Industrisë së Prodhuesve të Makinerive (VDMA), u shpreh me shumë kritikë për koalicionin e ri mes CDU/CSU dhe SPD. Rezultati i negociatave nuk ishte më i mirë se historia e mëparshme e ish-koalicionit të madh nën kancelaren Merkel, kështu thuhet në një reagim të VDMA-së. “Fillimi i ri i nevojshëm mungon”.

Më i balancuar, por jo më pak i vendosur, tingëllon reagimi i Shoqatës Federale të Industrisë Gjermane (BDI). “Në përgjithësi, industria gjermane është e pakënaqur me marrëveshjen e koalicionit.” Shefi i BDI-së Dieter Kempf kritikoi se sa i takon shpenzimit të parave ekziston “një mungesë ekuilibri që ka tendencë të qartë në drejtim të rishpërndarjes”. Në politikën fiskale, koalicionit të ri, si edhe të vjetrit, i mungon sipas BDI-së “guximi për lehtësime të dukshme dhe reforma strukturore” pavarësisht situatës së mirë ekonomike.

Shefi i BDI-së, Dieter Kempf, tha se koalicioni i ri nuk është shprehur qartë pro lehtësimeve fiskale për nxitjen e studimeve dhe të zhvillimeve teknologjike.

Planet për të shpenzuar dy miliardë euro shtesë për ndërtimin e banesave për personat që nuk kanë mjaft të ardhura dhe kanë probleme sociale u kritikua si nga shoqatat e ndërtuesve dhe nga sekserë të pasurive të patundshme.

Kryetarja e partisë e Majta Sahra Wagenknecht, kritikoi faktin që CDU/CSU dhe SPD nuk do të aplikojnë taksa më të larta për super të pasurit dhe koncernet, sepse kështu nuk do të ketë para të mjaftueshme për investime. Sipas saj në Gjermani do të ketë mungesë banesash, pasiguri në vendin e punës, rroga të ulëta dhe pensione që nuk mjaftojnë.

Nga ana tjetër Shoqata gjermane e Industrisë dhe e Tregtisë DIHK vuri në dukje që ekonomia gjermane është gjithë besim për të ardhmen. DIHK-ja publikoi rezultatet e një ankete të anëtarëve të saj dhe sipas saj sipërmarrjet gjermane janë tepër të kënaqura si s’kanë qenë për shumë vite me radhë. Po ashtu DIHK parashikon këtë vit një rritje të ekonomisë gjermane deri në 2.7 për qind dhe parashikon hapjen e rreth 600 mijë vendeve të reja pune. /DW/