LAJMI I FUNDIT:

Ekonomia e Britanisë së Madhe në momente të vështira para BREXIT-it

Ekonomia e Britanisë së Madhe në momente të vështira para BREXIT-it

Deri sa Britania e Madhe po përgatitet të largohet nga Bashkimi Evropian më 31 janar dhe kur pritet që së shpejti të fillojnë bisedimet rreth tregtisë, besimi në ekonominë vendase është sjellë në pikëpyetje pas turbulencave të BREXIT-it.

Oda Britanike e Tregtisë (BCC) pasi kreu një hulumtim me mijëra bizneseve në fund të vitit 2019, përcjell Telegrafi, gjeten se që planet e investimeve nga prodhuesit ishin në pikën e tyre më të ulët në tetë vitet e fundit, ndërsa eksporti dhe porositë e brendshme nga fabrikat ishin negative në dy tremujorë radhazi për herë të parë në dhjetë vitet e fundit.


“Ekonomia e Britanisë së Madhe filloi të çalojë në tremujorin e fundit të vitit 2019. Tremujori i katërt u karakterizua me një ngadalësim në sektorin dominues të shërbimeve me dobësimin e të gjithë treguesve kryesorë në tremujor, në mes të shpenzimeve familjare në rënie dhe presionit të ashpër të shpenzimeve”, thuhet në hulumtim.

BCC parashikon një rritje vetëm prej 1 për qind të ekonomisë britanike në vitin 2020.

“Me gjithë disa përmirësime, treguesit në sektorin e prodhimit mbeten shumë të dobëta nga standardet historike. Një sektor shërbimesh falimentues së bashku me aktivitetin prodhues pa energji tregojnë për një rezultat pesimist për rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto në tremujorin e katërt të vitit 2019”, ka shtuar BCC.

Po ashtu, mediet kanë raportuar se katër zinxhirët e supermarketeve të mëdha britanike përjetuan vështirësi gjatë periudhës së Krishtlindjes dhe humbën shitjet, kurse sektori pësoi rritjen më të ngadaltë të shitjeve në katër vjet, vetëm 0.2 për qind.

Një pjesë e saj ishte për shkak të pasigurisë së BREXIT-it, por edhe zgjerimit të vazhdueshëm të zinxhirëve të supermarketeve me çmime të ulëta Lidl dhe Aldi.

Vitin e kaluar gjithashtu pati rënie të shitjeve të makinave në nivelet e tyre më të ulëta që nga viti 2013, duke rënë me 2 për qind.

Siç raporton Bloomberg, BREXIT tashmë ka shkaktuar humbje të ekonomisë prej 170 miliardë dollarë, me një shtesë prej 90 miliardë dollarë deri në fund të vitit.

Më 9 janar, kryenegociatori i BE-së për BREXIT-in, Michel Barnier, tha se, “askush nuk duhet të dyshojë në përcaktimin e komisionit dhe vendosmërinë time, se do të vazhdoj të mbroj interesat e qytetarëve dhe bizneseve të 27 vendeve anëtare të BE-së dhe të mbroj integritetin e tregut të vetëm”.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka thënë se dëshiron një “marrëveshje të gjerë të tregtisë së lirë që përfshin mallrat dhe shërbimet, dhe bashkëpunimin në fusha të tjera”, por pa përafrim rregullator me BE-në, dhe ai këtë e dëshiron deri në fund të vitit 2020. Ai ka insistuar se nuk do të ketë bisedime shtesë.

Pas një fundi të vështirë të vitit 2019, ekonominë britanike e pret një rrugë edhe më e vështirë në vitin 2020. /Telegrafi/