LAJMI I FUNDIT:

“Ego te absolvo!” (Unë të liroj nga mëkatet)

“Ego te absolvo!” (Unë të liroj nga mëkatet)

“Të falësh vërtet do të thotë ta marrësh e ta pranosh tjetrin ashtu siç është – por jo t’i kërkosh pendesë dhe besnikëri të verbër dhe nënshtrim, përpara se të denjosh t’i thuash: Ego te absolvo! (Unë të liroj nga mëkatet)”-Obelisku i Zi

Erich Maria Remarque është shkrimtari më i dashur i brezit të humbur që u lind dhe u rrit në një qytet të vogël gjerman gjatë krizës së madhe të viteve 1920, para, pas dhe përgjatë luftërave botërore.


Tematika e luftës ka qenë shoqëruesja kryesore e çdo vepre të tij, por te Obelisku, ngjarjet e të cilit zhvillohen gjatë “armëpushimit” të akullt midis Luftës së parë e të Dytë Botërore, veprimet kanë një stad më të lartë tragjizmi. Gjermanët janë viktimat kriminelë. Ata jetonin midis mbetjeve nga shkatërrimi i parë dhe parandjenjës se lufta e dytë nuk do të vononte.

Humori i dhimbshëm, sakrifica midis shokëve, dashuria e sinqertë, mospajtimi në ideologji me asnjë lloj lufte po ndërkohë edhe besimi verbërisht në profecinë e të ardhmes së përgjakur, e bëjnë këtë vepër të papërsëritshme. Këto janë karakteristikat tipike të një brezi të humbur e një rinie të vonuar që po bëhej gati të vdiste për të dytën herë.

Robert Shvarc, përkthyesi i shumicës së librave të Remarkut, komenton mbi veprën në fjalë: “Ëndrrat rinore lulëzojnë dhe jetojnë në kohën e tyre, por kurrsesi më vonë! Më vonë është tepër vonë. Të kërkosh të jetosh një rini të vonuar, është diçka tragjike, thuajse e papërballueshme për shpirtin e njeriut, në qoftë vërtetë njeri. Sepse: Dhembja të bën të ditur dhe, kush di shumë, atij i dhemb më tepër e vërteta e hidhur – që pema e njohjes nuk është pemë e jetës!”

Remarque “qan” për 17-vjeçarët që u detyruan të lënë kënaqësinë e të jetuarit pa filluar mirë akoma. Edhe nëse dikush do të kishte fatin të mbijetonte nga llogoret e frontit të Perëndimit, ai gjithmonë do të mbetej i pafati që pa nga afër shokët e tij të vdisnin në format më makabre, që vetëm dora njerëzore mundi të krijojë, ndoshta pa ndonjë këmbë a ndonjë krah. Por, gjymtimi me sa duket nuk ishte vetëm fizik. Ata edhe nga truri duhet të ishin të mangët që mendonin për hakmarrje pas gjithë asaj që përjetuan. Epo të gjykosh nga presioni që ushtohej çdo ditë nga inflacioni ekonomik, nuk mund t’u vësh as faj.

Bota nuk mundi t’i fali gjermanët. Bota e nënvlerësoi mençurinë e kishës, të vetmen diktaturë që nuk u përmbys dot gjatë dymijë vjetësh. Bota nuk i tha “Ego te absolvo” Gjermanisë, dhe kështu Zoti krijoi nazistët! /bota.al/