LAJMI I FUNDIT:

Edhe më të mirët kanë të meta, Rolls-Royce tërheq 442 njësi të Phantomit për një servisim urgjent

Edhe më të mirët kanë të meta, Rolls-Royce tërheq 442 njësi të Phantomit për një servisim urgjent

Kur paguani për një veturë 500 mijë dollarë, nuk prisni të keni çfarëdo problemi me të – të paktën jo për disa vite.

Megjithatë, agjencia kombëtare amerikane për siguri në trafik (NHTSA), ka urdhëruar kompaninë Rolls-Royce që t’i tërheq për një servisim urgjent mbi 442 njësi të modelit Phantom, për shkak të një gabimi teknik që nuk ishte detektuar edhe gjatë prodhimit në fabrikë.


Siç bënë të ditur NHTSA, në raste të caktuara ekrani i sistemit multimedial nuk projekton fotografinë nga kamera e pasme. Në raport thuhet se kur vetura është e hapur apo më mirë thënë dera e shoferit është e hapur – ekziston mundësia që mekanizmi i ekranit qendror (Central Information Display – CID) të mos kryej funksionet e parapara.

Kjo çon deri të pozicionimi i pasaktë i ekranit, kështu fotografia nuk do të shihet mirë dhe sistemi për asistim gjatë parkingut, thjesht do të jetë i padobishëm.

Shkak i këtij problemi është një defekt në softuer, madje një përditësim urgjent do të jetë i nevojshëm për zgjedhjen e problemit. Për këtë pronarët e veturave do të informohen dhe ftohen për t’i dërguar Phantomët për servisim.

Deri atëherë, shoferët duhet të mbështeten në sensorët e vjetër të parkimit dhe sinjalet audio, që mundësojnë që kjo veturë luksoze të parkohet sigurt dhe pa ndonjë gërvishtje.

Nga kjo tërheqje janë prekur 442 Rolls-Royce Phantom që janë prodhuar nga viti 2019. /Telegrafi/