LAJMI I FUNDIT:

Edhe një emër pa/për shqiptarët në IRJM

Edhe një emër pa/për shqiptarët në IRJM
Ilustrim

Zeqir Vica

Nuk habitem aspak me partitë “politike” shqiptare në IRJM që nuk kanë asnjë qëndrim serioz politik karshi ndërrimit të emrit të shtetit. Këta parti e kanë dëshmuar që shumë herët se nuk janë aspak politike, përkundrazi janë klane për pazar e biznes.


Por, është shqetësuese fakti se me sa humor dhe joseriozitet e trajton pjesa më e madhe e popullit shqiptar në IRJM çështjen e emrit të shtetit ku do vazhdojmë të jetojmë. Është shqetësuese se sa të cekëta i kemi kërkesat dhe pritshmëritë tona politike në IRJM. Sa të pavetëdijshëm dhe të paorganizuar jemi në momente të këtilla politike. Fakti që partitë shqiptare nuk kanë qëndrim politik karshi emrit të shtetit nuk duhet të na ndalojë neve të ngrisim zërin dhe të insistojmë në emër të pranueshëm edhe për ne shqiptarët që jetojmë në atë shtet. Emër ndaj të cilit nuk do kemi ndjenjën e mospërfilljes.

Duhet t’ua bëjmë të qartë të gjithëve se emri duhet të ndërrohet më shumë për shkak të shqiptarëve të papërfillur, pa përfaqësuar e të shtypur, sesa për qejfin e shtetit grek.

Por, për të arritur gjëra të tilla ne shqiptarët duhet të bëhemi popull i organizuar politikisht veçanërisht atëherë kur “partitë” nuk janë politike.

Ta kemi të qartë e vetmja mundësi që referendumi në shtator të kalojë pro ndërrimit të emrit duke pasur parasysh që pjesa më e madhe e popullsisë sllavomaqedonase është kundër, është që shqiptarët në mënyrë masovike të mobilizohen dhe të votojnë pro. Dhe, nëse kjo ndodh (që unë dyshoj se do ketë mobilizim aq të madh tek shqiptarët për këtë emër) do të krijohet problem edhe më i madh. Tek sllavomaqedonasit do thellohet edhe më shumë ndjenja se ne jemi armikun kryesor i tyre. Kjo do të thellojë edhe më shumë konfliktin ndëretnik në IRJM që do rezultojë me mbështetje edhe më të madhe se sa ndaj Gruevskit për antishqiptarin tjetër në radhë për të ardhur në krye të qeverisë në zgjedhjet e ardhshme që nuk do jenë shumë larg.

Zaevi dhe qeveria e tij janë duke i përdorur shqiptarët për të ruajtur pushtetin. Pushtet të cilin e fituan me votat e shqiptarëve. Zaevi sërish llogarit në shqiptarët për të kaluar referendumin. Shqiptarët duhet të ndalojnë së qënuri objekt për interesat e Zaevit. Ne shqiptarët duhet patjetër të bëhemi subjekt i organizuar mirë politik karshi këtyre politikanëve pazarxhinj.

Shpesh jam pyetur se përderisa i kundërshtoj të gjitha variantet e përfolura më herët për emrin si e shoh zgjidhjen e këtij problemi. Për mua si aktivist politik që angazhohem për barazi të plotë kushtetuese në mes shqiptarëve dhe të tjerëve në atë shtet, duke pasur parasysh se nuk është e mundur të kemi një emër që përfaqëson të gjitha kombet (sllavomaqedonasit, shqiptarët, bullgarët, vllahët, torbeshët, romët, turqit, boshnjakët, serbët …) e vetmja zgjidhje ngel që të kemi një emër të paanshëm “neutral” karshi të gjitha kombeve. Emër si shembull Republika e Vardarit, ose mund të bëhemi edhe më kreativ, por me rëndësi të jetë emër që nuk privilegjon asnjë kombësi e në të njëjtën kohë nuk diskriminon akënd. Vetëm një emër i tillë do të zgjidhte problemin e vërtetë politik në IRJM. Vetëm një emër i tillë do të krijonte mundësi për bashkëjetesë si të barabartë në këtë shtet. Çdo zgjidhje tjetër është e përkohshme.