LAJMI I FUNDIT:

Edhe LR-PDSH organizon protesta (Foto)

Edhe Lëvizja për Reforma PDSH e Ziadin Selës do të organizoj protesta në Maqedoni për të kundërshtuar amnistinë e presidentit Ivanov, kështu thuhet në komunikatën e kësaj partie drejtuar Telegrafit në Maqedoni.

Nga LR-PDSH thonë se protesta do të mbahet në Shkup, nga ora 14 dhe bashkë organizator do të jenë RDK, Shoqata e ish të burgosurve dhe të përndjekurve politik shqiptarë në Maqedoni, Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL-UÇK) dhe organizata tjera qytetare.


”Kriza shumë-dimensionale që ka kapluar vendin nga mos funksionimi i shtetit të së drejtës, partizimit të institucioneve, anashkalimit të së drejtës për barabarësi të plotë ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve, nxitjes së tensioneve ndëretnike, kanë goditur drejtpërdrejt në themelet e stabilitetit dhe qenies së shtetit.
Situata e fundit e krijuar me vendimin e Ivanovit për të aboluar politikanët maqedonas dhe shërbetorët e tyre shqiptarë që kanë shkelur ligjin, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, janë të inkriminuar në krim të organizuar dhe korrupsion, flet edhe njëherë se drejtësia në Maqedoni funksionon me standarde të dyfishta dhe se shqiptarët kanë të drejta të qytetarit të dorës së dytë.
Të ndodhur në situatë të këtillë, ku dialogu politik nuk jep më shpresë, ku shpërfillen në mënyrën më brutale edhe marrëveshjet e nënshkruara me ndërmjetësim të faktorin ndërkombëtar, ku burgjet janë plot e përplotë me shqiptarë të pafajshëm, ku e drejta për barazi të plotë shitet paturëpsisht nga një grup shërbetorësh që i thonë vetes shqiptarë, na detyrojnë Neve si shqiptarë të lirë në ndërgjegje dhe karakter, të pakapur nga askush, që veprim politik kemi ardhmërinë dhe dinjitetin e shqiptarëve në trojet tona, të ndërmarrim aksion të koordinuar për të shprehur revoltën tonë ndaj këtij sistemi që na robëron, që na përul dhe nënçmon, që na mohon dhe shkel të drejtën tonë për barabarësi të plotë.
Ftojmë publikisht të gjithë shqiptarët që vetes nuk i thonë robër, por i thonë të lirë, organizata joqeveritare të shqiptarëve, intelektualë të pavarur, parti politike dhe të gjithë qytetarët që duan liri, drejtësi, dinjitet, progres, që synojnë perspektivën dhe lumturinë, t’i bashkangjiten kësaj PROTESTE GJITHËPOPULLORE për t’i thënë NDAL KËTIJ SISTEMI…”(sic) thuhet në komunikatën e LR-PDSH./Telegrafi/

Protesta LR-PDSH