LAJMI I FUNDIT:

Edhe Llalla do të dorëzojë formularin e “pafajësisë”

Edhe Llalla do të dorëzojë formularin e “pafajësisë”

Shefi i prokurorisë së Republikës do të plotësojë një formular për t’u vetëdeklaruar se nuk është hetuar apo dënuar. Nuk është një shaka, por një detyrim ligjor edhe për Adriatik Llallën, kryehetuesin e vendit, emri i të cilit figuron në listën e personave të detyruar të “betohen” se nuk preken nga ligji për dekriminalizimin. Sipas një urdhri të kryeparlamentarit Ilir Meta, një strukturë e veçantë do të mbledhë dhe administrojë formularët e vetëdeklarimit për funksionarët publikë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi.

“Shërbimi i Monitorimit të Institucioneve të Pavarura Kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj caktohet struktura e posaçme përgjegjëse për regjistrimin, administrimin dhe përpunimin e formularit të vetëdeklarimit për kandidatët për funksione në organet kushtetuese apo të krijuara me ligj dhe që zgjidhen nga Kuvendi dhe për funksionarët publikë aktualë”, thuhet në urdhrin e Metës. Ndërkohë Shërbimi i Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve detyrohet të krijojë regjistrin për regjistrimin e formularëve të vetëdeklarimit dhe të marrë masa për të siguruar ruajtjen dhe dokumentimin e tij në rrugë elektronike.


Në listën e publikuar nga Kuvendi me 109 emra, Adriatik Llalla, i cili nga ana e tij ka ngritur një tjetër njësi për zbatimin e ligjit për dekriminalizimin, nuk është i vetëm. Edhe Bujar Leskaj, drejtues i Kontrollit të Lartë të Shtetit apo Gent Sejko, guvernator i Bankës Qendrore, duhen të marrin letër e laps dhe të vetëshpallen të dekriminalizuar. Aty janë përfshirë edhe drejtuesit e anëtarët e enteve rregullatore apo këshillave drejtues që zgjidhen nga Kuvendi. Mes tyre ndodhet edhe Shkëlqim Ganaj, kreu i Inspektoriatit të Lartë të deklarimit dhe kontrollit të pasurive dhe konfliktit të interesit.

Gjithashtu, edhe vetë rrogëtarët e Kuvendit do të preken nga procesi i dekriminalizimit. Mes tyre spikat edhe emri i Agron Kuliçit, ish-truprojës së Sali Berishës dhe ish-drejtues i policisë, i cili punon si këshilltar pranë grupit parlamentar të Partisë Demokratike. “Në përputhje me afatet ligjore të procesit të vetëdeklarimit, stafi politik i Kuvendit të depozitojë pranë titullarit të institucionit formularin e vetëdeklarimit, të plotësuar në përputhje me kërkesat e ligjit dhe të vendimit të Kuvendit”, thuhet në një tjetër urdhër, që përcakton se këtë detyrim do ta kenë kabineti i Kryetarit të Kuvendit, kabineti i zëvendëskryetarëve, shërbimi i grupeve parlamentare, si dhe shërbimi për zyrat e deputetëve në qarqe.

Gjithashtu, detyrim për të plotësuar formularët do të ketë edhe stafi civil i Kuvendit, i përbërë nga nëpunësit civil të nivelit ekzekutiv (specialist), nëpunësit civil të nivelit të ulët drejtues (shef sektori), nëpunësit civil të nivelit të mesëm drejtues (drejtor dhe këshilltar) dhe nëpunësit civil të nivelit të lartë drejtues (drejtor, drejtor i përgjithshëm dhe sekretar i përgjithshëm). Ata detyrohen të depozitojnë pranë Departamentit të Administratës Publike formularin e vetëdeklarimit.

Pikërisht dje, në nisjen e procesit të dekriminalizimit, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti në një takim prokurorin e Përgjithshëm të Republikës, “për të biseduar mbi vijimin e procesit të zbatimit të këtij ligji, përgjegjësitë që ai ka si organ përgjegjës për administrimin e vetëdeklarimeve, si dhe bashkëpunimin me këtë institucion në zbatim të parashikimeve ligjore”. “Kryetari i Kuvendit inkurajon të gjithë titullarët apo anëtarët e organeve kushtetuese dhe institucioneve të krijuara me ligj, që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e ligjit 138/2015 dhe Vendimit të Kuvendit, si subjekte të këtij ligji por edhe për nëpunësit civil të institucioneve të tyre”, thuhet në njoftimin zyrtar. /Shekulli/Telegrafi/