Klientët e Raiffeisen Bank – njërës prej bankave komerciale në Kosovë – nga muaji shkurt do të paguajnë tarifa me rritje për mirëmbajtje të llogarisë. Nga 0.75 euro, kjo tarifë do të rritet në 1.5 euro.
Raiffeisen Bank i ka paralajmëruar klientët për këtë ndryshim përmes mesazheve telefonike dhe një njoftimi në ueb-faqen e saj zyrtare.
Shërbimi i tillë do të hyjë në fuqi nga data 5 shkurt.
Ilirjana Tahiraj, zëdhënëse në Raiffeisen Bank, thotë se rritja e tarifave vjen pas investimeve të shumta që ka bërë banka në avancimin e shërbimeve të saj digjitale.
Investime ka pasur edhe në rrjetin e 40 degëve dhe 132 bankomatëve, thotë ajo.
“Këto mundësi të ndryshme që ne i ofrojmë për klientin [edhe digjitale, edhe në degë e bankomate] kërkojnë resurse dhe shpenzime shtesë për mirëmbajtje dhe për avancime të vazhdueshme. Kjo është edhe arsyeja kryesore se përse ka pasur ndryshim të tarifave për disa nga shërbimet bankare”, thotë Tahiraj për Radion Evropa e Lirë.
“Ofrimi i shërbimeve digjitale bankare u mundëson klientëve tanë të kenë qasje në shërbime bankare 24/7 në të gjithë vendin, në lokacione të ndryshme”, shton ajo.
Sipas saj, rritja e tarifës nuk do t’i prekë vetëm pensionistët dhe studentët.
Përveç për mirëmbajtje të llogarisë, qytetarët në të gjitha bankat komerciale që operojnë në Kosovë duhet të paguajnë para edhe për tërheqje të pagës, transfere dhe shërbime tjera.
Mirëmbajtja e llogarisë individuale – si shërbimi më i thjeshtë – fillon nga një deri në pesë euro, varësisht nga banka dhe pakoja e shërbimeve.
Për të tërhequr para apo për të bërë transfere në sportele brenda bankës, qytetarët duhet të paguajë tarifë nga 1.5 deri në 2.5 euro.
Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje edhe në ProCredit Bank, në Bankën Kombëtare Tregtare dhe në Teb Bank, për të marrë informacione nëse do t’i ndryshojnë tarifat, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Tarifat për shërbime edhe tani janë shumë të larta, thotë Muharrem Krasniqi, agro-ekonomist.
Krasniqi, i cili punon në një kompani private, thotë se bankat po i ulin kamatat e kredisë, ndërsa, në anën tjetër, po i rrisin çmimet për shërbime.
“Rritja e tarifave është një ndër format që ato [bankat] i mendojnë për të arritur deri te fitimi, për shkak se tregu po ua imponon uljen e tarifave të kredive dhe tani kompensimin po e bëjnë me forma të ndryshme”.
“Çmimet edhe ashtu janë të shtrenjta, sepse ne po e paguajmë mirëmbajtjen e llogarisë… dhe nëse duhet të paguajmë edhe për shërbime të tjera, mendoj se janë shumë të larta”, thotë Krasniqi.
Rritja e këtyre tarifave vjen në kohën kur Kosova ka përmbyllur vitin me rritjen më të lartë të çmimeve.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se norma vjetore e inflacionit në muajin nëntor të vitit të kaluar ka arritur në 6.9 për qind – nga 0.1 për qind sa ka qenë në periudhën e njëjtë të vitit 2020.
Rritja më e lartë e çmimeve është vërejtur te buka, drithërat, mishi, qumështi, djathi, vaji, vezët, pemët dhe perimet, ndërsa rritje është paralajmëruar edhe për çmimin e energjisë elektrike dhe të ujit.
Fatlum Gjokaj, punonjës në sektorin privat, thotë se me rritjen e çmimeve të shërbimeve, bankat po i “plaçkitin” qytetarët.
Ai thotë se pagën e merr në sportele brenda bankës dhe se paguan tarifë.
“Është shumë e lartë tarifa; për tërheqje të një shume të vogël parash, të ndalen 2.5 euro. Por, bankat përfitojnë në këtë mënyrë”, thotë Gjokaj.
Sipas Milazim Abazit, njohës i çështjeve financiare në Kosovë, bankat e kanë gjetur mënyrën më të lehtë të përfitimit nga tarifat e shërbimeve.
“Tarifat, edhe ashtu, janë shumë të larta dhe kjo është kundër interesave të shoqërisë. Duhet që tarifat të ulen, në mënyrë që pagesat e qytetarëve të orientohen nëpër banka dhe t’iu iket pagesave në dorë”, thotë Abazi.
Sistemi bankar në Kosovë po ndjek trendin e digjitalizimit, duke ofruar shërbime në kanale elektronike, të njohura si e-banking.
Kjo, sipas Abazit, duhet të ndikojë në uljen e çmimit të tarifave.
Në Kosovë operojnë 11 banka komerciale – nëntë nga to me kapital të huaj dhe dy vendore.
Mbi 90 milionë euro llogaritet të ketë qenë vlera e fitimit të tyre nga muaji janar deri në shtator të vitit të kaluar.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, fitimi më i lartë është realizuar nga interesi në kredi, pasuar nga kategoria e tarifave dhe komisioneve.
Krasniqi thotë se nëse vazhdon trendi i rritjes së çmimeve në institucionet financiare, ndërhyrja e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës “është e domosdoshme” për të bërë “një standard të çmimeve”.
Zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës, deri në publikimin e këtij teksti, nuk i janë përgjigjur REL-it nëse mund të ndërhyjnë ose jo në rregullimin e çmimit të tarifave të shërbimeve në bankat komerciale në Kosovë.
Shumica e bankave komerciale që operojnë në tregun e Kosovës operojnë edhe në vendet e rajonit.
Tarifat ndryshojnë nga shteti në shtet.
Në Maqedoninë e Veriut, mirëmbajta e llogarive bankare në të gjitha bankat kushton 30 denarë, apo 0.5 euro në bazë mujore.
Transferet, ndërkaq, variojnë nga shuma dhe afati kohor. Nëse paratë tërhiqen në ditën që janë bartur në llogari, atëherë paguhet 0.2 për qind nga shuma e përgjithshme. Nëse paratë qëndrojnë në llogari mbi pesë ditë, atëherë nuk paguhet për transferin apo tërheqjen e tyre.
Në Serbi, mirëmbajtja e llogarisë kushton 1.25 deri në 5 euro, varësisht nga pakoja e shërbimeve. Pagesat për transfere jashtë bankës sillen nga 0.70 për qind deri në 1 për qind të shumës së transferit.
Në Bosnje e Hercegovinë, mirëmbajtja e llogarisë kushton nga 2.5 deri në 7.5 euro, varësisht nga banka dhe pakoja e shërbimeve.
Qytetarët në Mal të Zi duhet të paguajnë pesë deri në gjashtë euro për mirëmbajtjen e kartelës. /REL/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Nxitoni, vetëm edhe 4 vende të lira në kursin intensiv për kamerë “From Zero to Hero”
Përfaqësuesit e BQK-së takojnë zëvendësndihmës sekretarin amerikan të Thesarit, diskutohet thellimi i bashkëpunimit dhe fushat me interes
Po, po 31 vetura Dacia Logan shpërblim për konsumatorët nga ETC
Produkte natyrale, vegane dhe organike për kujdesin e lëkurës - My Skin Project
50 brende botërore dhe 60 kuzhinierë pjesë e panairit Horeca - Frigo Deluxe
Shije italiane në zemër të Prishtinës - Vapiano hapet së shpejti
Nxitoni, vetëm edhe 4 vende të lira në kursin intensiv për kamerë “From Zero to Hero”
Kush përfiton nga ulja e çmimit të energjisë elektrike?
Nisin punimet për ndërtimin e Unazës Qendrore të Prishtinës, kostoja e projektit 3.3 milionë euro
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Krijo hapësirën tënde të biznesit – zyre me qira te 4 Llulat – 300€/muaj ID-252
Më të lexuarat
Notat e lojtarëve, Man City 1-1 Real Madrid: Lunin heroi i mbretërve
Komandanti suprem i NATO-s, Cavoli: Po i shtojmë forcat në Kosovë dhe Bosnje, po sjellim artileri të rëndë
Arrestohet një i dyshuar lidhur me rastin e ukrainases që u gjet e vdekur në autostradën Ferizaj-Prishtinë
Sir Alex Ferguson i ofroi lojtarit të Man United 100 mijë euro për t'u tërhequr nga futbolli
Hisen Berisha 'ngacmon' Adelina Ismailin në emision: "Ushtrinë time do ta bëj" ma ke kushtuar mua, sepse po e bëja ushtrinë në atë kohë
Mbretër për Ligën e Kampionëve, Real Madridi fiton ruletin e penalltive dhe eliminon kampionin