LAJMI I FUNDIT:

Edhe Albulena Haxhiu rikthehet në Ministrinë e Drejtësisë – pranon detyrën nga Selimi

Edhe Albulena Haxhiu rikthehet në Ministrinë e Drejtësisë – pranon detyrën nga Selimi

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot ka pranuar detyrën e re për të udhëhequr këtë dikaster, detyrë kjo e cila i është dorëzuar nga ministri i deritanishëm Selim Selimi.

Pas ceremonisë së pranim-dorëzimit të detyrës, ministrja Haxhiu tha se edhe përkundër sfidave që e presin Qeverinë dhe Ministrinë e Drejtësisë, ajo është e përkushtuar në disa çështje që kanë të bëjnë me drejtësinë.


“Sapo të votohet programi Qeverisës, ne do të nisim punën që e kishim lënë në çështjen e Vettingut në drejtësi, luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit përmes fuqizimit të legjislacionit. Po ashtu themelimin e Institutit për Hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, fuqizimin e kapaciteteve të institucionit për hetimin dhe gjykimin e këtyre krimeve, adresimin e dhunës në familje por edhe shumë çështje të tjera”, tha ministrja Haxhiu.

Ministrja Haxhiu shprehu gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me opozitën për çështjet që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë dhe që janë në interes të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, ministri i deritanishëm Selim Selimi ka uruar ministren e sapo emëruar të Drejtësisë, Albulena Haxhiu si dhe i dorëzoi Raportin e Punës së Ministrisë së Drejtësisë. /Telegrafi/