Edhe Albin Kurti u bën thirrje shqiptarëve të votojnë për Shkodrën Elektronike

Në prag të mbylljes së votimit për gjysmëfinalen e parë të Eurovision 2025, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka dalë me një thirrje publike në mbështetje të Shqipërisë dhe përfaqësuesve të saj këtë vit – Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm”.
Në një postim në Facebook, Kurti shkruan: “Zjerm në Eurovision! Të dashur vëllezër e motra shqiptarë kudo që jeni, votoni për Shkodrën Elektronike! Vazhdo me shndrit, shndrit, shndrit”
Postimi është shoqëruar edhe me një udhëzues për votim, duke përfshirë numrat për secilin shtet pjesëmarrës, si dhe foton zyrtare të përfaqësuesve të Shqipërisë në Bazel.
Thirrja e Kurtit vjen në një moment vendimtar, kur shqiptarët që jetojnë jashtë vendit kanë vetëm pak minuta kohë për të votuar dhe ndihmuar Shqipërinë të kualifikohet për në finalen e madhe të së shtunës.
Mbyllet votimi – në pritje për emrat e shteteve që do të kualifikohen në finalen e 'Eurovision 2025'

Shkodra Elektronike është vlerësuar për një performancë autentike dhe artistikisht të fuqishme në skenën e Eurovisionit, ndërsa mbështetja nga mbarë kombi shqiptar duket se po arrin kulmin. /Telegrafi/












































