LAJMI I FUNDIT:

Edgar Allan Poe – jeta, vdekja dhe misteret

Edgar Allan Poe – jeta, vdekja dhe misteret

Nga: Alessio Marchionna

Prej disa kohësh mund të shihet në platformën e Neteflix filmi “The Pale Blue Eye” me regji nga Scott Cooper dhe protagonist aktorin Christian Bale në rolin e Augustus Landorit, një ish-polic që duhet të gjejë fajtorin e një vrasjeje të ndodhur në akademinë e famshme ushtarake në vitin 1830.

Në hetimin e tij ai ndihmohet nga një kadet i ri i cili është gjithashtu poet, Edgar Allan Poe, që luhet nga aktori Christian Bale. Pjesa që flet për Poe-n është ndoshta më e mira në film, dhe është gjithashtu e vetmja e vërtetë. Para se të bëhej i famshëm në ShBA dhe në mbarë botën, duke krijuar zhanrin e fantashkencës, Poe ishte kadet.

Sipas raporteve të kohës, mund të kishte pasur një karrierë të suksesshme në ushtri, po të mos ishte për disa tipare të karakterit jo shumë të përputhshme me disiplinën ushtarake, por edhe për një sërë ngjarjesh të rastësishme. Edgari lindi në Boston në vitin 1809 dhe jetoi në një nga periudhat më të vështira të historisë amerikane, e karakterizuar nga dy kriza të mëdha financiare – ajo e viteve 1819 dhe 1837.

Kur ishte vetëm një vjeç, babai i tij e braktisi familjen, ndërsa një vit më vonë e ëma, një aktore e talentuar, vdiq nga tuberkulozi. Ai u dërgua të jetonte në Virxhinia me John dhe Frances Allan (nga këtu emri i mesëm i poetit), të cilët u përpoqën ta bënin atë një person të disiplinuar dhe të respektueshëm.

Por, nuk patën sukses. Kur u rrit, i riu Poe nisi të pijë rregullisht, të luajë bixhoz dhe të frekuentojë shtëpitë publike. Pa një plan të qartë se çfarë do të bënte në jetë dhe i mbytur në borxhe, vendosi të bashkohej me ushtrisë në Boston në vitin 1827.

Në formularët e regjistrimit shkroi se ishte 21 vjeç (në fakt ishte 18), dhe e quajti veten Edgar A. Perry. Vendimi për të mos përdorur mbiemrin e tij të vërtetë, ishte ndoshta për shkak të frikës se mos arrestohej për borxhet e pashlyera. Në ushtri ngjiti shpejt shkallët e karrierës, duke u bërë rreshter major, grada më e lartë në ushtri për një nënoficer.

Në vitin 1829 u përjashtua nga pesë vjet shërbimi në ushtri për t’u bërë kadet në akademinë Uest Point, më e rëndësishmja në ShBA, që ndodhej në veri të Nju-Jorkut, këtë herë duke përdorur emrin e tij të vërtetë. Në fillim po ia kalonte mirë, por me kalimin e kohës u pendua dhe e kuptoi se nuk mund të rrinte edhe katër vite të tjera atje.

Kështu, bëri gjithçka që ta përzinin. I braktisi leksionet dhe shpërfilli urdhrat e eprorëve. Thuhet se në një rast u shfaq në një stërvitje lakuriq, me vetëm një kapele në kokë dhe një gjerdan fishekësh në trup. Vetë-sabotimi funksionoi dhe ai u përjashtua nga akademia më 6 mars 1831.

Edgari shkoi në Nju-Jork, ku botoi një libër me poezi të financuar pjesërisht nga shokët e tij të klasës në Uest Point. Që nga ai moment ai e ndërtoi pak e nga pak karrierën e tij letrare. Por, bashkë me famën si shkrimtar u rrit edhe varësia ndaj alkoolit dhe veseve të tjera.

Kjo deri më 3 tetor 1849, ditën e zgjedhjeve presidenciale, kur u gjet gjysmë i vetëdijshëm, i paaftë për të lëvizur dhe i veshur me rroba që nuk ishin të tijat, jashtë një qendre votimi në Baltimor. Vdiq katër ditë më vonë, mes iluzioneve dhe halucinacioneve vizuale, pa qenë në gjendje të shpjegonte se si kishte përfunduar në atë gjendje.

Sipas mjekut të tij, para se të vdiste, Poe përmendi disa herë emrin “Rejnolds”, por nuk është e qartë se për kë e kishte fjalën. Shkaqet e vdekjes mbeten të panjohura dhe me kalimin e viteve shumë njerëz janë përpjekur ta zgjidhin misterin. Sipas njërës prej teorive të para, të paraqitura në vitin 1867 nga Elizabeth Smith, Poe u rrah nga një burrë i nxitur nga një grua që pretendonte se ishte sulmuar seksualisht nga poeti.

Në vitin 1872 Eugjen Didier shkroi se ndërsa ishte në Baltimor, Poe takoi rastësisht disa miq të Uest Pointit, të cilët e bindën të pinin diçka së bashku. Ai u deh shpejt dhe nisi të ecën i vetëm nëpër qytet, ku u rrah dhe u grabit nga disa kriminelë të cilët e lanë pa ndjenja në rrugë gjatë natës.

Por, as kjo teori nuk shpjegon shkakun e saktë të vdekjes dhe as iluzionet e tij para vdekjes. Ka të tjerë mendojnë se Edgari ishte viktimë e një lloj mashtrimi elektoral që ishte i përhapur në atë kohë. Bandat kriminale që donin të ndikonin në zgjedhje në një drejtim të caktuar, rrëmbenin një person, e maskonin dhe e detyronin të votonte disa herë për një kandidat të caktuar, duke përdorur çdo herë identitete të ndryshme.

Në atë kohë votuesve të tillë u ofrohej alkool pas votimit, si një lloj shpërblimi. Edgari mund të ketë pirë shumë dhe ka përfunduar në një gjendje gjysmë të vetëdijshme nga alkooli dhe nga rraskapitja. Sipas të tjerëve, vdekja u shkaktua vetëm nga alkoolizmi. Me sa duket Poe nisi të ndihej keq pas konsumit të vetëm një gote verë.

Disa muaj para vdekjes së tij ai ishte sëmurë rëndë, po për shkak të efekteve anësore të alkoolit. Ishte shëruar si për mrekulli dhe mjeku e kishte paralajmëruar se nëse do të sëmurej prapë, me siguri që do të vdiste. Ndaj shkrimtari kishte hequr dorë nga pija. Por, disa njerëz që i qëndruan pranë në ditët e fundit të jetës, pohojnë se ai nuk i rezistoi dot tundimit për të pirë prapë.

Gjithsesi hetimet më të fundit e kanë vënë në dyshim këtë teori. Mostrat e flokëve të tij të marra pas vdekjes tregojnë nivele të ulëta plumbi dhe kjo sugjeron se ai i qëndroi besnik deri në vdekje zotimit të tij për të mos abuzuar më me alkoolin. Një hipotezë tjetër ka të bëjë me helmimin nga metalet e rënda. Analizat e flokëve zbuluan nivele të larta të merkurit në trup, para vdekjes, për shkak të recetës së një mjeku pak javë më parë që i kishte përshkruar atij kalomel ose klorur merkuri. Helmimi me merkur mund të shpjegojë disa nga halucinacionet dhe iluzionet e Edgarit para vdekjes së tij.

Gjithsesi, sasia e merkurit që u gjend në flokët e tij është 30 herë më e vogël se niveli që përputhet me helmimin me merkur. Në vitin 1996, kardiologu R. Michael Benitez arriti në përfundimin se Poe kishte vdekur nga virusi i tërbimit. Një nga teoritë më të fundit rreth vdekjes pretendon se shkrimtari kishte një tumor në tru. Kjo e fundit bazohet në dëshminë e një varrmihësi, sipas të cilit kur trupi u zhvarros gati 30 vjet pas vdekjes, ai vuri re një masë të fortë tek kafka. Por, më vonë shkencëtarët e përjashtuan këtë mundësi, pasi truri është një nga pjesët e para të trupit që nis të dekompozohet.

Por, kohët e fundit një patolog  i mjekësisë ligjore arriti në këtë përfundim se masa në kafkë mund të jetë një tumor i trurit që kalcifikohet pas vdekjes. Dy hipotezat e fundit pretendojnë se Poe vdiq nga gripi që i shkaktoi një pneumoni fatale, apo edhe se ai u vra nga vëllezërit e të dashurës së tij të pasur, Sarah Shelton, të cilët nuk e panë me dashamirësi martesën midis të dyve. Por, as kjo teori nuk i bind historianët e Po. Misteri vazhdon …  /Burimi: Internazionale/Në shqip nga: Bota.al/