LAJMI I FUNDIT:

E qëlloi disa herë derisa ra përtokë – detaje nga ekzekutimi i shqiptarit poshtë apartamentit të tij (Foto/Video)

E qëlloi disa herë derisa ra përtokë – detaje nga ekzekutimi i shqiptarit poshtë apartamentit të tij (Foto/Video)

E kishte pritur poshtë shtëpisë, në rrugën Galvani, në qendër të Terni-t, ku Demir Hyseni, një murator 49-vjeçar nga Shqipëria, jetonte me bashkëshorten dhe vajzën, në një apartament në katin e dytë.

Pak para orës 7 të mëngjesit të së martës, si çdo ditë, ai zbriti poshtë për të shkuar në punë, një fabrikë në zonën e Stroncone. Hipi në makinën e tij Volkswagen Touran dhe dikush iu afrua.

Mes palëve shpërtheu një zënkë, në kulmin e së cilës ndodhi dhe vrasja.

Autori, sipas dëshmitarëve ishte një burrë i bëshëm në trup, i veshur me një bluzë blu e flokë të zeza. Ai nxori një pistoletë gjysmë automatike, kalibri 7.65 dhe qëlloi mbi shqiptarin disa herë.

Ky i fundit, i plagosur rëndë tentoi të largohej, por autori nuk hezitoi, duke e qëlluar sërish, derisa viktima ra përtokë.

Në këtë moment autori u largua me shpejtësi në drejtim të rrugës Galilei, fillimisht në këmbë, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që më pas të ketë përdorur një mjet, ndoshta një motor.

Ai e hodhi armën e krimit në një kosh mbeturinash, të një supermarketi që ndodhej aty pranë.

Drejt 49-vjeçarit të shtrirë përtokë dhe të mbuluar me gjak shkuan shërbimet e emergjencës, pas alarmit të dhënë nga banorët e zonës të cilët dëgjuan fillimisht zënkën e më pas të shtënat dhe ulërimat e familjarëve të Hysenit, që kishin dalë me vrap në rrugë.

Por pavarësisht ndihmës së parë, shqiptari nuk mundi t’i mbijetonte plumbave të marrë nga autori, i cili dyshohet se mund të jetë nga Ballkani. Aktualisht karabinierët e Terni-t kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e tij.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar zyrtarë të lartë të policisë, ndërsa paraprakisht mbeten të panjohura motivet e kësaj vrasjeje.

Dy prej pistave kryesore janë ato për motive sentimentale dhe ajo e larjes së hesapeve. Ata që e njihnin Demir Hysenin flasin për një burrë të qetë dhe familjar.

Mediat fqinje theksojnë se një gjë është e sigurt, viktima dhe autori njiheshin me njëri–tjetrin. /tvklan.al/