LAJMI I FUNDIT:

E kemi mundësinë për paqen e qëndrueshme në Gazë dhe këta janë hapat që duhet bërë

E kemi mundësinë për paqen e qëndrueshme në Gazë dhe këta janë hapat që duhet bërë

Nga: Roee Kibrik, udhëheqës i hulumtimeve në Mitvim – Instituti Izraelit për Politikat e Jashtme Rajonale / The Guardian (titulli origjinal: A lasting peace in Gaza is now within reach – here’s how it can be achieved)
Përkthimi: Telegrafi.com

Pas marrëveshjes për lirimin e pengjeve dhe pauzës në luftime, lufta në Gazë po hyn në një fazë të re. Ky armëpushim katër-ditor do të sjell dorëzimin e dhjetëra pengjeve, por komunitetit ndërkombëtar kjo pauzë gjithashtu ia jep mundësinë për të promovuar paqen e qëndrueshme dhe të pandryshueshme – në Izrael dhe në territoret palestineze. Jemi në një udhëkryq: para nesh është ose vazhdimi i konfliktit ose nxitja për ta gjetur zgjidhjen e përhershme.


Sulmi vrastar i Hamasit më 7 tetor, ka shkatërruar shumë bindje të vjetra. Çështjen palestineze e solli në qendër të skenës; e sfidoi nocionin se konflikti izraelito-palestinez mund të menaxhohet me kosto të ulët; ndërsa, e minoi besimin se – duke i injoruar kërkesat palestineze – Izraeli mundet të ndjek integrimin në Lindjen e Mesme. Në vend të kësaj, tashti ekziston pikëpamja e zakonshme në të gjithë shoqërinë izraelite se “menaxhimi i konfliktit” nuk ka funksionuar dhe se duhet të ketë zgjidhje të përhershme.

Në të njëjtën kohë, ka arsye se pse menaxhimi i konfliktit, dhe jo përpjekja për zgjidhje, do t’i përshtatej disa akterëve kryesorë. Qeveritë e ShBA-së dhe të Britanisë së Madhe, në vitin 2024  përballen me zgjedhjet dhe janë të preokupuara me luftën në Ukrainë – për shkak të nevojës për stabilitet dhe çmime më të ulëta të energjisë. Ndërkohë, lidershipet arabe po përballen me një sërë sfidash të brendshme, ndaj qetësia relative në arenën palestineze mund të jetë e mjaftueshme për t’i rehatuar ato. Hamasi do të ishte i lumtur nëse e vazhdon luftën me Izraelin – pa u përballur me procesin diplomatik që mund t’ia jepte legjitimitetin Autoritetit Palestinez, që do të forconte politikanët e moderuar dhe në fund do të minonte fuqinë e tij.

Netanyahu gjithashtu do të ishte i kënaqur me menaxhimin e konfliktit, pasi çdo përpjekje për ta zgjidhur atë do ta kërcënonte stabilitetin e koalicionit të tij dhe vazhdimin e sundimit të tij. Koalicioni i tij, dhe rrjedhimisht lidershipi i tij, mbështetet në përkrahjen e lëvizjes ekstremiste të kolonëve. Ky fraksion me vendosmëri e kundërshton çdo kompromis me palestinezët, ndërsa Hamasin e shikon si “aset”, sepse ekzistenca e tij e pengon mundësinë e një procesi të paqes.

Prandaj, është e lehtë të imagjinohet se të dyja palët përsëri do të rrëshqasin në menaxhimin e konfliktit me intensitet të ulët. Sipas këtij skenari, IDF-ja [Forcat Mbrojtëse të Izraleit] do të qëndronte në Gazë për një periudhë të gjatë, duke e vazhduar luftën kundër Hamasit. Konflikti do të kufizohej në Rripin e Gazës. Publiku do të mësohej me këtë. Nuk do të jetë më lajm dhe bota do ta zhvendos vëmendjen diku tjetër – derisa shpërthimi tjetër të ndodhë në Gazë, në Bregun Perëndimor ose në Liban.

Përndryshe, në mungesë të vullnetit ose aftësisë së qeverisë izraelite dhe të Autoritetit Palestinez për t’i sjellë ndryshimet domethënëse, komuniteti ndërkombëtar – i udhëhequr nga ShBA-ja – mund të shtyjë drejt zgjidhjes së konfliktit. Për ta arritur këtë, komuniteti ndërkombëtar duhet të promovojë disa hapa të rëndësishëm.

Para së gjithash, duhet ta përcaktojë qëllimin përfundimtar – që duhet të jetë angazhimi për zbatimin e zgjidhjes me dy shtete, mbështetja e Iniciativës Arabe për Paqe, si dhe një afat kohor brenda të cilit kjo do të arrihet. Kjo mund të arrihet me anë të një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KS i OKB). Për ta kapërcyer tensionin midis ShBA-së dhe Rusisë, mund të kërkohet që një përfaqësues i botës arabe, si Emiratet e Bashkuara Arabe, ta mbështesë propozimin në KS të OKB-së. Nëse kjo rrugë bllokohet, alternativë e kënaqshme do të ishte samiti rajonal i paqes i thirrur nga ShBA-ja.

Së dyti, dhe me rëndësi të madhe, është jetike që Joe Bideni të udhëheq njohjen e shtetit palestinez nga ShBA-ja dhe nga vendet e tjera të mëdha, si pjesë e një procesi gjithëpërfshirës diplomatik. Një hap i tillë do ta ofrojë sigurinë që të mos ketë kthim prapa. Do ta ndryshojë dinamikën në Gazë dhe në Bregun Perëndimor, duke e bërë të vështirë për Izraelin vazhdimin e aneksimit të ngadaltë dhe do ta forcojë Autoritetin Palestinez kundër Hamasit. Për më tepër, një veprim i tillë mund ta nxiste Bidenin në aspektin elektoral, duke e ndihmuar të rifitojë – potencialisht – mbështetjen që e humbi kur e përkrahu operacionin e Izraelit në Gazë.

Duke e ditur se krijimi i shtetit palestinez është fundi i lojës, kjo do t’ia mundësonte komunitetit ndërkombëtar ndërmarrjen e hapit të tretë kritik: formulimin e një regjimi të përkohshëm ndërkombëtar dhe palestinez. Me qëllim të qartë dhe të njohur për arritjen e zgjidhjes me dy shtete, mund të rekrutohet një forcë ndërkombëtare nga vendet arabe dhe perëndimore, për ta zëvendësuar gradualisht IDF-në në Gazë dhe për ta marrë përgjegjësinë në përpjekjet për siguri dhe zhvillim. Nëse përcaktohet rruga drejt zgjidhjes me dy shtete, vendet evropiane dhe arabe do të bien dakord që të investojnë në ndërtimin e infrastrukturës fizike dhe institucionale të asaj që Bideni e quajti “Autoriteti i rigjallëruar Palestinez” – duke prirë kështu në rrugën drejt shtetit palestinez. Askush nuk dëshiron të vazhdojë të derdhë para në Gaza nëse vazhdon strategjia e menaxhimit të konfliktit dhe nëse infrastruktura e saj duhet të rindërtohet çdo disa vjet – pas çdo raundi tjetër të luftës.

Mungesa e lidershipit të denjë në Izrael dhe në territoret palestineze do të thotë se sigurimi i paqes bie mbi supet e Bidenit dhe komunitetit ndërkombëtar. Ai duhet të veprojë dhe këtë ta realizojë. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
'Selfie' me Xhakën i kushtoi shtrenjtë tifozit të vogël kosovar, babai i tij i tronditur: Një djalë 10-vjeçar nuk përbën rrezik për askënd

'Selfie' me Xhakën i kushtoi shtrenjtë tifozit të vogël kosovar, babai i tij i tronditur: Një djalë 10-vjeçar nuk përbën rrezik për askënd

Ndërkombëtare
Pësoi infrakt në aeroplan derisa ishte duke ardhur nga Zvicra, policia njofton për vdekjen e gruas

Pësoi infrakt në aeroplan derisa ishte duke ardhur nga Zvicra, policia njofton për vdekjen e gruas

Kronika e Zezë
Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Botë
Rusia humbet kontrollin e ishullit kyç

Rusia humbet kontrollin e ishullit kyç

Botë
Qëndrim Januzi dënohet me 17 vjet burgim për vrasjen e 30-vjeçarit në Ferizaj

Qëndrim Januzi dënohet me 17 vjet burgim për vrasjen e 30-vjeçarit në Ferizaj

Drejtësi
Dyshohet se kreu marrëdhënie seksuale me familjaren e tij në Klinë, arrestohet një person

Dyshohet se kreu marrëdhënie seksuale me familjaren e tij në Klinë, arrestohet një person

Kronika e Zezë
Kalo në kategori