LAJMI I FUNDIT:

E kaluara tretet vetëm duke e kujtuar

E kaluara tretet vetëm duke e kujtuar
Ilustrim

Nga: Ndriçim Kulla

Që të mund të jetojmë me një kujdes të përkryer, duke nxjerrë nga përvoja vetjake të gjitha mësimet e mundshme, është e nevojshme t’i kthehemi shpesh së shkuarës me mëndje dhe të rishqyrtojmë atë që kemi parë, bërë, provuar dhe vuajtur, për të përballur gjykimet e asaj kohe me të sotmet, qëllimet dhe aspiratat, me pasojat dhe kënaqësitë që kanë pasuar – këshillonte Shopenhaueri në librin “Këshilla për jetën “.


Në fakt kjo është një përsëritje që bëhet nga tutori i të gjithëve: përvoja! Ajo mund të quhet si një tekst, ndërsa arsyetimi mbi të dhe njohja e përfituar, si komenti. Shumë arsyetime dhe njohje, përkundër pak përvoje, janë si ato botimet tipografike që përmbajnë në çdo faqe dy rreshta tekst dhe dyzet rreshta koment. Ndërsa, shumë përvojë dhe pak përsiatje, shoqëruar nga një njohje e kufizuar, të kujtojnë botimet e Bipontit që duke mos pasur shënime, lënë shumë gjëra të paqarta.

Porosisë së mësipërme i bashkëngjitet edhe parimi i Pitagorës, për të menduar çdo mbrëmje para gjumit, gjithçka kemi bërë gjatë ditës. Kush jeton në zallamahinë e punëve, ose të kënaqësive dhe nuk gjen kohë për të menduar për të kaluarën e vet, humbet kuptimin e qartë të jetës. Shpirti i këtij njeriu trazohet dhe njëfarë rrëmuje përzihet në mendimet e tij. Kjo shfaqet qartë në copëzimin dhe në kundërthëniet e bisedës, gjithmonë pa hapësira, gjë që ndodh shpesh dhe varet nga masa e përshtypjeve apo veprimtarisë së jashtme dhe nga aktiviteti i pakët i shpirtit të tij.

Në këtë pikë, ia vlen të vëmë re, se pasi ka kaluar një periudhë kohe çfarëdo, ne nuk mund të ndjejmë apo të ripërtërijmë ato gjendje shpirtërore dhe ato ndjesi, të cilat u shkaktuan nga vetë rrethanat që ndikuan mbi ne. Mund të kujtojmë vetëm shfaqjet e tyre të jashtme, por këto janë rezultati. Prandaj, duhet ta ruajmë me kujdes kujtimin e ngjarjeve të rëndësishme. Në këtë kuptim sfera e vlerave kulturore, si muzika, arti dhe letërsia kanë qenë pjesë e përvojës së hidhur historike që lidhet me sistemin e egër komunist. Të gjithë ne që sot jemi dëshmitarë të asaj periudhe, vazhdojmë që ta kujtojmë e ta përjetojmë në mënyra të ndryshme atë shoqëri ku kishim humbur arsyen dhe u arrit deri aty sa të viktimizoheshin krijuesit e mendimit, të ideve, tablove dhe tingujve, sepse krijime e tyre nuk përputheshin me ndjenjat, idetë dhe interesat ideologjike të regjimit komunist që qeverisi Shqipërinë për afro 50 vjet me radhë. Dhe, sigurisht, që kujtimet tregimet, romanet, këngët piktura dhe dramaturgjia, sot po bëjnë punën më të mirë të mundshme me mënyrën si po i shërbejnë ringjalljes së kësaj periudhe të hidhur e cila na ka lënë si trashëgim mekanizmin më të poshtër, denigrues, të shkatërrimit fizik dhe moral të njeriut që krijonte jetën artistike dhe intelektuale.

Para disa vitesh kam parë një dramë në teatrin tonë në Tiranë e cila shprehë mjeshtërisht këto që po mendoj unë dhe që, herë pas here, jam si me magji nën kujtimet e gjalla të saj.

Drama “Një tablo absurde” e shkruar nga regjisori Ferdinand Hysi dhe e vënë në skenë nga regjisori Milto Kutali, që u shfaq një fundviti disa vite më parë në sallën e Teatrit kombëtar në Tiranë, e që u rishfaq disa herë nëpër Shqipëri – edhe pse ka kohë që nuk po vazhdon të shfaqet sërish – më ngacmon me mesazhin e saj tronditës dhe më shpie qartësisht në atë pjesë të dhimbshme të historisë sonë. Pasi e ke parë ndjesinë, ajo vjen si një mesazh i çiltër dhe përforcues për mësimin historik, se e kaluara tretet duke e kujtuar. Edhe pse drama në interpretim ka organizimin e një teatri absurd, në përputhje me idenë e absurditetit që kishte krijuar regjimi për të vënë nën kontroll dhe muzën krijuese të piktorit mbi ngjyrat, filli i saj realist është mjaft i lehtë për të tërhequr dhe të bën të meditosh i emocionuar. Subjekti metaforik i kësaj drame të ngacmon që të përshkruash shkurtimisht dhe në një kohë fare të shkurtër në mendjen tënde historinë e së shkuarës mbi censurimin e artit. Një tablo absurde e krijuar nga penelata e talentuar e një piktori që kishte arritur të “penetronte” në një cep hapësire, ku mund të nuhaste pak aromë lirie dhe ta përjetonte në art si një pjesë të realitetit, me shijet e tij estetike, vendoset në një hapësirë konkurruese. Në moment ndjesia dyshuese e diktaturës gjallëron mekanizmin e saj veprues të alarmit duke urdhëruar ndryshim. Në fillim ai mekanizëm psikiko-analitik është përkëdhelo- paralajmërues, por kur krijuesit të tablosë i bie ndërmend të mbrojë veprën e tij bëhet kërcënues. Instrumentit censurues të kontrollorëve dhe censorëve u qëndrojnë përbri për alibi mbështetëse njerëzit manekinë të kohës që janë transformuar në një iso kori që nuk këndojnë këngë për të gjallët.

Një grua simbol dogmatizmi, e indoktrinuar deri në kufijtë e shfemërizimit interpreton në mënyrë të përkryer aktorja Olta Daku. Ndërsa aktori i madh ndjeri Roland Trebicka, mbartësi i një konformisti të spikatur e të frikësuar deri në palcë nga mësimet e hidhura që i kishte marrë prej përvojës se pushtetit vjen në mënyrë të qarte, si një personazh i nënshtruar dhe mjaft dramatik, duke i thënë po-së po pa patur arsye të ishte e tillë dhe jo-së jo pa qenë e tillë. Madje, deformimi i tij psikologjik shkon deri në frikë dhe paranojë në lidhje me fatin e piktorit të shkretë që u detyrua të iki si arratisur, ndoshta për të kërkuar ndonjë rrëzë për pak liri duke braktisur tablonë e vetë që kishte krijuar, ndoshta i detyruar, ndoshta…

Por, mbas vetësyrgjynosjes së pavullnetshme duket se fatin e të jetuarit ai s’e ka më në dorë vetë. Piktori që tentoi të mbronte shpirtin e tij krijues, përshkrimet dhe përjetimet e tij piktoreske, tashmë është subjekt i ndëshkimit të rëndë të kasapit, dhe sigurisht që ndëshkimi është në rangun e atyre verdikteve ndëshkuese që kishte arritur të jepte vetëm diktatura jonë e egër me stilin e saj të zymtë. Ky akt finalizohet me vrasjen, pra me zhdukjen fizike të artistit, të një engjëlli që pikturonte. Ai pushkatohet dy herë. Njëherë vritet dhe njëherë shpallet publikisht si i vetëvrarë. Një dramë absurde në të gjitha përmasat dhe në të gjitha linjat dhe detajet e saj, absurditet ky në shkallën më të lartë që nuk e zbut dot aspak, as aktori Dritan Boriçi me rolin mjaft të këndshëm, ne kundërvëniet e arsyeshme të mjaft filozofëve dhe njerëzve të ditur.

Pra, as Sokrati i lashtë, as Aristoteli. as Nice, as Shopenhaueri asnjë literaturë nuk gjente dot një vrimë për t’u futur dot në qarkun e mbyllur të kësaj marrëzie të egër deri në pakuptimësi, e cila na u rezervua ne shqiptarëve si shoqëri për afro pesë dekada me radhë. Madje as aktorja Anila Bisha në rolin e një balerine naive, të bukur dhe lozonjare që “përplas kokën” nëpër shkëmbinjtë e shkretëtirë enveriane për të jetuar pak në ëndrrat e saj si kërcimtare, nuk ia zbut sadopak zymtësinë. Është vërtet një moment i ringjalljes, që të fton të shkosh mes përmes asaj kohe ku arsyeja ishte shkatërruar fare.

Subjekti i kësaj drame të shkruar me përkushtim dhe i interpretuar me përkushtim është një kontribut real, që e ngrin në një nivel më lartë vetëdijen tonë për t’u marrë realisht me të kaluarën e afërt dhe me historinë. Për ta shprehur më qartë ndjeshmërinë time ne raportin vlerësues që unë kam krijuar me këtë dramën që kam parë po perifrazoj gjykimin e Oscar Uajlldit: “Kritika e shtjellon artin jo si shprehje, por si përshtypje”.

Më duket se në këtë rast, të paktën në këtë rast gjykimi me konverton me të. Shpesh në vlerësimet e mia respektoj më shumë përvojën time personale, emocionet, kulturën dhe ndjeshmërinë time. Ajo që më pëlqen, ajo që më emocionon, ajo që më rrëqeth, ajo që më ripërtëritë më duket art, më duket histori. Edhe pse shijet e mia më përkojnë më së shumti me gjykimet dhe vlerësimet kritike mbi shumë vepra letrare, shpesh më duket se thatësira e shterur e kritikës sonë letrare e vendos arkitekturën e rregullave, gjykimeve, parime të një vepre letrare mbi një rrafsh të shtirur që duket e shkëputur nga ato që ndjen realisht lexuesi ose shikuesi.

Sot vërtet që jemi të lirë bëjmë çfarë mendojmë, dëshirojmë dhe përjetojmë, por nuk është shumë e largët dita kur duhet të bëje çfarë donin dhe mendonin ata. Do të dëshiroja që krijime të tilla letrare dhe teatrale të kishim më shumë në të ardhmen. Kjo liri që kemi fituar duhet ruajtur dhe administruar. Dhe, kjo është e domosdoshme, për të vendosur dhe mbajtur një qëndrim më realist me historinë për të cilën kemi shumë nevoje.

Ngjarjet dramatike e kanë kushtëzuar vërtet jetën e brezave që na kanë paraprirë, ashtu siç mund të na kushtëzojnë edhe ne. Të fitosh një ndërgjegje të saktë historike është mënyra më e mirë për të qenë i lirë kah së ardhmes. E, historia është mëse e dobishme për të parë përpara me sy më kritikë e më të rreptë, pra kësisoj, me më shumë liri. Pasi mungesa e një njohje të duhur të së shkuarës, e vendos njeriun në një kusht vartësie, nënshtrimi ndaj fuqive dhe kushtëzimeve kulturore. Në këtë sens, vetëm njohja kritike e së shkuarës mund të na ofrojë hapësira lirie.

Nga ana tjetër, e shkuara nuk arrin të fshihet me asgjë. E shkuara tejkalohet, por nuk fshihet, sepse mbetet brenda njerëzve që e jetuan. Disa ngjarje të caktuara lënë gjurmë të tipit antropologjik, ekonomik, social a psikologjik, disa të tjera jo. E kjo sepse njerëzit janë të ndryshëm, vetë njerëzimi është i ndryshëm në komponentët e vet. Nuk mund të kthehesh dot mbrapsht. Mund të lindin, natyrisht, fenomene që kanë analogji me ato të së shkuarës, për të cilët dija historike shfaqet goxha e dobishme për të shmangur determinizmin e rikthimit, këtë lloj iluzioni të veçantë të restaurizacionit. Në këtë këndvështrim, historia arrin ta çlirojë njeriun nga determinizmi, i bën të kuptojë se përse arritën të ndodhnin gjëra të tilla, e pasi i bën të kuptueshme, i pengon të përsëriten.

Një studiues francez e ka krahasuar historinë me psikanalizën. Kur nëpërmjet psikanalizës njeriu arrin thellësinë e pavetëdijes së vet, pra atë që e kushtëzon, që kushtëzon aktet e tij e për të cilën nuk është i vetëdijshëm, atëherë ai arrin njëherësh edhe t’i zbulojë këto realitete të ndërgjegjes e kësisoj të çlirohet prej tyre. Kështu është edhe historia. Përderisa arrin të na bëjë të kuptojmë se përse ndodhin disa ngjarje të caktuara, ajo na vendos në kushtet e një lirie më të madhe përballë së tashmes, por edhe përballë së ardhmes. Ekziston, pra, një lloj analogjie midis njohjes psikoanalitike, që e çliron njeriun nga kushtëzimet e pavetëdijes dhe njohjes historike, që e lirëson nga fijet lidhëse të së shkuarës. Falë saj ai nuk duhet të imagjinojë të jetë i paradeterminuar. Jemi ne vetë ata që në një lloj mënyre kontribuojmë në ndërtimin e së ardhmes sonë. E, në këtë pikë, ndodhi të tilla si kjo dramë absurdi, që janë pjesë e historisë kthehen në një instrumenti të volitshëm për të pasur në zotërim sensin e kësaj lirie, që është njëkohësisht edhe sensi i përgjegjshmërisë njerëzore përballë historisë.