LAJMI I FUNDIT:

E dashur Prishtinë, harrimi i prioriteteve çon në humbje

E dashur Prishtinë, harrimi i prioriteteve çon në humbje

Një moment piku po nxitet artificialisht në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë lidhur me arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve. Çfarë bën Serbia është e kuptueshme në logjikën e mbrojtjes së interesave të saj dhe vazhdimit të trajtimit të Kosovës si provincë. Serbia po ngutet shumë, sepse e din nga përvoja që diplomacia shqiptare në ngutje hutohet dhe humbet gjithmonë ndeshjet diplomatike. Në këtë ngutje idiote, që i duhet Serbisë, por jo Kosovës, Prishtina po harron disa shtyllat të epërsisë së saj diplomatike dhe strategjike:

1. Që Serbia është shteti agresor, kundër të cilit Aleanca Atlantike ndërmori ndërhyrjen humanitare ushtarake në 1999 dhe çliroi Kosovën;


2. Që Serbia ka nevojë për Kosovën tani, ka nevojë më shumë se Kosova për marrëveshjen përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve, sepse marrëveshja është veto e pranimit të Serbisë në BE;

3. Kosova i ka ezauruar kompromiset e saj të dhimbshme me planin Ahtisaari para se të bëhej shtet i pavarur dhe nuk mund e nuk duhet t’I përsërisë ato tani, që është shtet;

4.Tribunali më i lartë gjyqësor i OKB, GJND, e ka legalizuar pavarësinë e Kosovës në 22 korrik 2010 si të përputhshme me ligjin ndërkombëtar dhe me Rezolutën 1244.

Kosova i ka bërë një dhuratë të madhe Serbisë me bisedimet “në vendnumëro” me të në Bruksel, të cilat i mundësuan Serbisë marrjen e statusit të shtetit kandidat dhe hapjen e bisedimeve të pranimit me BE. Dhe, Kosova, në shkëmbim nuk mori ndonjë arritje politike apo lëshim politik nga Serbia.

Kosova harron se në bisedimet me Serbinë duhet ta vendosë veten në pozitën që SHBA, Bashkimi Sovjetik, Britania e Madhe dhe Franca kishin përballë Gjermanisë së mundur naziste në vitin 1945. Shteti viktimë nuk mund të vejë shenjën e barazimit me shtetin agresor, presidenti i sotëm i të cilit ka qenë ministër i qeverisë së agresionit dhe që sot e kësaj dite ende nuk i ka kërkuar falje Kosovës për krimet dhe masakrat e ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë.

Ajo që është shqetësuese, për të mos thënë ulëritëse, është humnera diplomatike dhe strategjike që Prishtina po hap me duart e veta nën këmbët e saj. Instrumenti i hapjes së kësaj humnere është ngatërrimi apo vendosja kokëposhtë e rendit të prioriteteve apo të detyrave në planin diplomatik dhe strategjik në tratativat me Serbinë.

Gabimi i parë është nxjerrja në plan të parë e çështjes efemere të korrigjimit apo ristrukturimit të kufijve apo e shkëmbimit të territoreve, duke fshirë kërkesën primare dhe kryesore, që është njohja reciproke e dy shteteve. Objektivi primar i njohjes nga Serbia të shtetit të pavarur të Kosovës, që duhet të kishte qenë finalja e bisedimeve të Brukselit dhe e një marrëveshje reale normalizimi, befas është spostuar prapa listës për t’u zëvendësuar me temën folklorike të ndarjes së kufijve, temë ku dehen të gjithë udhëheqësit ballkanikë. Vetëm presidenti serb nuk duket i dehur në këtë katrahure diplomatike ballkanike, sepse edhe dy ditë më parë foli për korrigjim kufijsh midis shqiptarëve dhe serbëve dhe jo midis dy shteteve, sepse për Beogradin fjala është për një ndarje të re administrativo-territoriale të Serbisë, ku Kosova llogaritet si provincë serbe.

Gabimi i dytë është kërkesa e një referendumi për të pyetur popullin e Kosovës nëse është dakord me korrigjimin e kufijve. Është absurde të bësh referendum për një çeshtje, që nuk ekziston, dhe për të cilën nuk ka një marrëveshje ndërshtetërore të nënshkruar me shtetin fqinj. Referendumi ndoshta mund të kërkohej pas njohjes zyrtare nga Serbia të shtetit të Kosovës. Prishtina nuk bëri referendum për marrëveshjen e kufirit me Maqedoninë, perse iu tek tani të bëjë me Serbinë pa marrëveshje kufiri?

Gabimi i tretë i pafalshëm është prishja e prioriteteve, duke hedhur tezat filoserbe të rihapjes së çështjes se statusit të Kosovës. Kjo do të thotë të vesh vetë në dyshim realitetin juridik, politik dhe gjeografik të shtetit të Kosovës dhe të fshish pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Këtë synon dalja me idenë e një konference ndërkombëtare të tipit të Rambujesë.

Pavarësisht naivitetit të referimit te konferenca e mëparshme diplomatike, që nuk ka asnjë lloj ngjashmërie me temën e normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë, çështja shtrohet pse dikush do të përmbysë rendin e gjërave dhe të kthejë mbrapsht historinë, duke u rikthyer 20 vjet apo 12-13 vjet mbrapa kur nisen bisedimet ndërkombëtare për statusin e Kosovës. Serbia dhe Rusia kanë 20 vjet që i bien këtij kavalli diplomatik. Del edhe një zëdhënës profan i OKB në 1 gusht 2018 dhe flet në majë të thanës si zëdhënës i Rusisë për bisedime për statusin. Ata, që bashkë me Serbinë kërkojnë Rambujera, synojnë të fusin Rusinë në tryezën e bisedimeve dhe në Ballkan. Ndaj është e papranueshme që t’i hapet rrugë në mjediset politike dhe mediatike të Kosovës një ideje kaq të mbrapshtë.

Rambujeja sot është BE e cila duhet t’i përmbahet kushtit zyrtar, që i ka vënë Serbisë se nuk ka anëtarësim në BE pa njohur shtetin e pavarur të Kosovës. Do të jetë një gabim fatal, tragjik dhe kombëtar i Prishtinës, nëse e lejon veten të futet nëpër degët e ngatërruara të lianeve diplomatike, ku diplomacia serbe, ruse dhe ndonjë evropiane, duan të tresin pavarësinë e Kosovës.

E dashur Prishtinë, rendi i prioriteteve diplomatike dhe strategjike të Kosovës është i thjeshtë: Njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia. Ky është prioriteti i prioriteteve! Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mund të diskutohen çështje që dy palët i konsiderojnë të hapura.

Prishtina nuk duhet të dëgjojë asnjë sirenë diplomatike, që e fton të mbytet në detin e Serbisë. Nuk duhet të dëgjojë as këshilltarët jugosllavë, që i gëlojnë nëpër zyrat qeveritare, të cilët i bëri Serbia milionerë dhe janë gati t’i shesin asaj territore shqiptare dhe gjithë Kosovën dhe Shqipërinë. Njohja e Kosovës si shtet nga Serbia pa asnjë çmim është prioriteti numër një, është kushti i parë dhe çelësi i normalizimit real të marrëdhënieve dhe është zgjidhja, që mund të quhet e përhershme.

Në trend

Më shumë
Laporta shumë nervoz pas humbjes me Gironan – ai bërtiti vetëm me pesë fjalë, humbja mund t'i kushtojë miliona euro Barcelonës

Laporta shumë nervoz pas humbjes me Gironan – ai bërtiti vetëm me pesë fjalë, humbja mund t'i kushtojë miliona euro Barcelonës

La Liga
Buleshkaj: Vitin e kaluar jemi njoftuar për një politikan që i ka pasë 5 milionë euro në një bankë në Zvicer

Buleshkaj: Vitin e kaluar jemi njoftuar për një politikan që i ka pasë 5 milionë euro në një bankë në Zvicer

Lajme
Erjolën e hedhin në mes të natës në pishinë, i ekspozohen pjesët intime

Erjolën e hedhin në mes të natës në pishinë, i ekspozohen pjesët intime

Magazina
Tjetër fitore për Ukrainën: Rusia tërheq nga vijat e frontit dhjetëra aeroplanë luftarak

Tjetër fitore për Ukrainën: Rusia tërheq nga vijat e frontit dhjetëra aeroplanë luftarak

Botë
Larg Meritonit me pushime në Itali, turisti e pyet a je e famshme? - Ilnisa Agolli jep përgjigjjen interesante

Larg Meritonit me pushime në Itali, turisti e pyet a je e famshme? - Ilnisa Agolli jep përgjigjjen interesante

Magazina
Vinicius ironizon me Araujon: Publikon trofetë e fituar nga gjenerata e re e Real Madridit

Vinicius ironizon me Araujon: Publikon trofetë e fituar nga gjenerata e re e Real Madridit

La Liga
Kalo në kategori