Dyshimet për spiunazh në favor të Serbisë - lirohet piloti kroat, vazhdon paraburgimi për të dashurën e tij nga Mitrovica

Pilotit të helikopterit ushtarak kroat të Forcave Ajrore Kroate J.I. nga Spliti, i është hequr masa e paraburgimit ndërsa e dashura e tij A.M. nga Mitrovica e Kosovës është ende në paraburgim.
Kështu raportojnë mediat kroate, sipas të cilave një informacion i tillë është bërë i ditur nga Gjykata e Qarkut në Split.
"Paraburgimi i J.I. u ndërpre dhe ndaj tij u vendosën ‘masa kontrolli’, ndërsa nesër do të merret një vendim për kohëzgjatjen e mëtejshme të paraburgimit për të pandehurin A.M.", ka thënë gjykata, shkruajnë mediat kroate, përcjell Telegrafi.
Siç kujtojnë mediat kroate, piloti ushtarak dhe e dashura e tij, një shtetase serbe nga Mitrovica, u arrestuan në fund të korrikut me dyshimin për spiunazh në favor të Serbisë.
Gruaja e ndaluar dyshohet se punonte për një organizatë gjermane dhe u akuzua penalisht për mbledhjen e të dhënave që i ishin dhënë asaj nga piloti ushtarak i Splitit i cili kaloi ca kohë në Kosovë si anëtar i kontingjentit kroat (HRVCON) si pjesë e KFOR-it.
Dyshohet se të dy shkëmbyen mesazhe përmes WhatsApp në të cilat ai i transmetonte asaj informacione konfidenciale në lidhje me lëvizjet dhe planet e forcave të KFOR-it në lidhje me situatën në veri të Kosovës.
Ato informacione thuhet se ajo më pas ia kaloi udhëheqësve të partisë Lista Serbe dhe madje edhe një gazetari nga një agjenci e njohur ndërkombëtare lajmesh.
Po sipas mediave kroate, bëhej fjalë për lëvizjen e serbëve në veri të Kosovës nga fundi i vitit 2022, për lëvizjen e trupave të KFOR-it, por edhe për shumë detaje të tjera.
Mediumi kroat thekson se Lista Serbe është një parti politike e komunitetit serb në Republikën e Kosovës dhe është e lidhur ngushtë me Qeverinë e Republikës së Serbisë, e cila udhëhiqet nga Partia Progresive Serbe dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. /Telegrafi/


















































