LAJMI I FUNDIT:

Dyshimet për keqpërdorime në shpronësimet e rrugës Kijevë-Zahaq, deklarohet ministri Aliu

Dyshimet për keqpërdorime në shpronësimet e rrugës Kijevë-Zahaq, deklarohet ministri Aliu

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu sot në një konferencë për media ka folur për shpronësimin e tokave në kuadër të projektit për rrugën Kijevë-Zahaq, duke thënë se procesi i shpronësimit është i dyshimtë dhe ndër sfidat më të mëdha. 

Aliu në këtë konferencë për media tha se në fillim të vitit borxhi i shtetit lidhur me shpronësimet ka qenë 182 milionë euro, ndërkohë lëndët vazhdojnë në gjykata ku shteti është i paditur.


Sipas tij, buxheti i shtetit po vazhdon të dëmtohet për shkak të këtyre proceseve.

Ai më tej tha se vijat e shpronësimeve janë tjera prej atyre që janë të paraparë me projekt, ndërkohë që problem tha se po paraqitet fakti që pronat po shpronësohen disa herë.

Aliu ka folur edhe për procesin e shpronësimit në fshatin Hade , duke thënë se është i dyshimtë.

“Ka ndryshuar kahja e mihjes prej projektit bazë….ka ndodhur edhe shpronësimi në zona tjera”, tha ministri, raporton Telegrafi.

Ai më tej shtoi se situata me Haden është një ndër turpet më të mëdha të Qeverisë së Kosovës përgjatë viteve.

“Ne jemi duke punuar intesivisht në këtë çështje për me gjet zgjidhje dhe pas një muaji do të flasë me hollësi për shkeljet që kanë ndodhur dhe për zgjidhjet para nesh”.

Ministri ka folur edhe për hidrocentralet, duke thënë se nuk do të lejohet asnjë hidrocentral të punojë derisa nuk plotësohen kushtet.

Ndryshe, një ditë më parë lidhur me çështjen e shpronësimit në autostradën Prishtinë-Pejë ka folur edhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Ai tregoi që është ndalur keqpërdorimi i 43 milionë eurove në shpronësimin e iniciuar për autostradën “Prishtinë-Pejë.

Duke nxjerrë krahasimin e vlerës totale të parcelave që shkon diku 6.2 milionë euro me atë të vlerësimit të tyre prej 43 milionë euro, Murati ka thënë se kjo lëndë është dosje për prokurorinë e shtetit.

“Autostrada Prishtinë-Pejë, ashtu si edhe çdo rrugë tjetër, do të bëhet duke marrë parasysh nevojat dhe interesin qytetar dhe jo atë të klaneve partiake siç është vepruar më parë kur është zhvatur shteti i Kosovës”, ka thënë ai. /Telegrafi/