Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për posedim të substancave narkotike dhe armëmbajtje pa leje.

Arrestimi ka ndodhur të dielën rreth orës 19:00, në qytetin e Prishtinës, gjatë një kontrolli të realizuar ndaj të dyshuarve.


Sipas raportit zyrtar të policisë, gjatë kontrollit, tek të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar: 2.1 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, dy pistoleta me gjithsej 23 fishekë, 13,360 euro para të gatshme dhe një peshore e vogël digjitale.

Të dyshuarit janë shtetas kosovarë dhe janë arrestuar në vendin e ngjarjes.

Pas procedurave fillestare dhe inicimit të rastit, me vendim të prokurorit të shtetit, ata janë dërguar në mbajtje.

Rasti është duke u trajtuar nga njësitet përkatëse të hetimeve. /Telegrafi/