LAJMI I FUNDIT:

Dy prindërit që janë duke i edukuar fëmijët me Netflix, YouTube, hiking, dokumentare e vizita në muze

Dy prindërit që janë duke i edukuar fëmijët me Netflix, YouTube, hiking, dokumentare e vizita në muze

Për t’i mbajtur larg nga edukimi i zakonshëm, dy prind po i përdorin platformat Netflix dhe YouTube për t’i mësuar fëmijët e tyre.

Derek dhe Taylor Catron, 28 vjeçar dhe 24 vjeçare nga Ohio, e kanë marrë këtë vendim pasi i kanë hulumtuar shkollat fillore në zonën e tyre, transmeton Telegrafi.


Rrugëtimi i çiftit për t’i edukuar fëmijët në shkollë ka filluar me fëmijën e tyre Dereon, shtatëvjeçar, të cilin e kanë larguar nga shkolla në vitin 2016.

Qysh prej atëherë, ata i kanë edukuar në të njëjtën mënyrë që të tre fëmijët e tyre – Aerity, Aeviny dhe Derek.

Prindërit i edukojnë fëmijët e tyre duke shkuar në hiking, duke vizituar muze, duke shikuar dokumentare edukative në Netflix, siç janë “Blue Planet” dhe “Life Story”.

Por edukimi nuk është vetëm lojëra e argëtim, një pjesë të kohës ata ia dedikojnë edhe ushtrimeve dhe ligjëratave shkollore.

Prindërit kanë treguar se i lejojnë fëmijët e tyre të jenë në kontroll se si duan të edukohen. Çfarëdo që pyesin fëmijët apo duan të dinë, prindërit ua mësojnë gjerësisht.

“Ne shkojmë në kopshte zoologjike dhe muze dhe qendra mësimi. Eventualisht duam t’i shkollojmë ata përreth botës dhe të udhëtojmë në shtete e kontinente të ndryshme për t’u mësuar gjithçka gjatë udhëtimit”, kanë rrëfyer ata.

Prindërit thonë se ka shumë gjëra të cilat fëmijët nuk mund t’i mësojnë në shkolla dhe se janë të bindur që është vendimi më i mirë që e kanë marrë për fëmijët e tyre.

“Përmes shikimit të dokumentareve në YouTube dhe Netflix, fëmijët mësojnë fjalë të reja, i zhvillojnë aftësitë e zgjidhjes së problemeve, e mësojnë zemërgjerësinë, kreativitetin, sjelljen, fakte interesante dhe shumë tjera”, kanë shtuar ata.

Një prej arsyeve që i ka shtyrë prindërit t’i largojnë fëmijët nga sistemi tradicional i edukimit ka qenë mungesa e rëndësisë për kreativitet.

Sa i përket kritikave, prindërit janë përgjigjur: “Kujtdo që e kritikon këtë stil të edukimit i them se vetëm sepse i bëjmë gjërat ndryshe kjo nuk nënkupton se jemi  duke i edukuar fëmijët gabimisht apo pa efikasitet. Në fakt, Finlanda e ka sistemin më të mirë edukativ në botë dhe atje nuk kanë teste, nuk kanë detyra të shtëpisë dhe shumicën e ditëve i kalojnë jashtë apo duke luajtur”. /Telegrafi/